Artan Fuga: Zgjedhjet me zarfe në Akademi, qesharake dhe e trishtë

May 27, 2016 | 15:47
SHPËRNDAJE

Akademiku Artan Fuga është një ndër anëtarët e Akademisë së Shkencave që ka dalë kundër procedurave që ndiqen në proceset zgjedhore në këtë institucion. Ai shprehet kategorikisht kundër votimit me “zarf”, me “postë” apo përpara datës së përcaktuar, edhe pse e pranon edhe ai vetë se e ka bërë më parë këtë veprim, duke mos parë ndonjë gjë të rëndë.

Artan Fuga

Por me kohë, duke studiuar statutin dhe Ligjin për Akademinë, ndërgjegjësohet se kjo mënyrë frenon debatin në Akademi, mbi punët shkencore të kandidatëve apo për çështje të tjera në dobi të shkencës. Në një intervistë për “Panoramën”, Fuga shpjegon se përse nuk mori pjesë në votimin e datës 23 maj.

Sipas tij, edhe sikur të ndodhej në Shqipëri, “do ta kisha kërkuar fjalën për t’iu drejtuar Asamblesë së Akademisë, pra, kolegëve të mi të nderuar, duke u bërë thirrje për të hequr dorë bashkërisht nga ajo metodë votimi që rezultatin e votimeve për një kandidat për t’u bërë akademik e vendosin votat e dërguara me zarfe”.

Në lidhje me zërat për reformim të Akademisë së Shkencave, Fuga shprehet se i gjithë kërkimi shkencor është në krizë dhe Akademia nuk duhet bërë “kokë turku” për të mbuluar krizën e përgjithshme.

Profesor Fuga, ju jeni anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe rezulton se nuk keni marrë pjesë në votimin e anëtarëve të rinj. Ju e keni denoncuar këtë procedurë që ka ndjekur kryesia aktuale e Akademisë, por a mund ta sqaroni pozicionin tuaj, pse nuk morët pjesë në zgjedhjet e 23 majit?

Po. Sipas planit personal të punës së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, aprovuar zyrtarisht, atë ditë ndodhesha me shërbim jashtë vendit dhe nuk mund të isha i pranishëm në votim. Po qe se do të kisha qenë, sikurse u kisha thënë zyrtarisht drejtuesve të Akademisë së Shkencave, nëse mbledhja do të bëhej në datën që kishte në fillim, pra, përpara një muaji, përpara se sa të ndryshohej, do ta kisha kërkuar fjalën për t’iu drejtuar Asamblesë së Akademisë, pra, kolegëve të mi të nderuar, duke u bërë thirrje për të hequr dorë bashkërisht nga ajo metodë votimi që rezultatin e votimeve për një kandidat për t’u bërë akademik e vendosin votat e dërguara me zarfe.

U kisha thënë hapur dhe luajalisht drejtuesve se do ta bëja këtë, madje përpara mediave. Por data u shty dhe unë nuk munda të isha i pranishëm. Kurse, sikurse jam shprehur edhe në media, me postë nuk doja të votoja. Ja se përse nuk figuroj si votues. Nuk mora pjesë edhe për një arsye tjetër që e kam ngritur përpara kryesisë së ASH. Po qe se i referohemi statutit të saj, që ligji e ka paracaktuar si platforma normative e veprimtarisë dhe e procedurave të ASH, do të duhej që para se të shkohej në votim në Asamble, të shqyrtoheshin dosjet në seksionet e specializuara ku bëjnë pjesë fushat ku kandidohej për titullin “akademik”.

Duhej të ishte votuar atje paraprakisht, në seksione, pas shqyrtimit të dosjeve. Atje mund të bëhet debati shkencor në thelb. Por as kjo normë nuk u mor parasysh. Ka një koncept jo të drejtë në Akademinë e Shkencave sot. I trajtojnë zgjedhjet e akademikëve të rinj sikur të ishin votime politike, vjen zgjedhësi dhe voton e ikën. Kur edhe një profesor në universitet mund ta marrë titullin vetëm pasi paraqet punimet e tij, platformën e tij shkencore, bën konferencat e tij, si edhe ekzaminohet nga juri të caktuara.

“Juria” te ne në akademi është seksioni, por ai prej shumë vitesh anashkalohet krejt për të kryer atë që i ngarkon statuti. Problemet lidhur me respektimin e normave juridike nuk janë vetëm këto. Unë i kam ngritur edhe përpara kryesisë dhe më gjerë, kam kërkuar t’i ngre përpara akademikëve në Asamble, por asnjëherë nuk më është pranuar kërkesa. Për këtë arsye, sikurse u kam thënë drejtuesve, nuk më mbeti veçse t’i drejtohesha opinionit publik.

Po qe se shihet bilanci vjetor i punës së ASH, atje kuptohet qartë se ajo që quhet fryti i punës së Akademisë, nuk është ai që ligji pret prej saj. Janë punime individuale, në pjesën dërmuese, të akademikëve, kryer në kontekste të tjera, që raportohen në Akademi. Unë kam protestuar çdo vit kundër kësaj. Por nuk dëgjon njeri.

Ju mos doni të thoni që Akademia e Shkencave nuk është në gjendje të japë një produkt shkencor, një vlerë të shtuar, pra, të ketë një dobi shoqërore?

Unë mendoj se Akademia e Shkencave i duhet shumë peizazhit të kërkimit shkencor në Shqipëri. Por, pasi ajo u nda nga institutet e kërkimit shkencor përpara disa vitesh, drejtuesit e saj nuk arritën ta konceptojnë ASH si një model i ri, pra, si një akademi shkencore sikurse janë në shumë e shumë vende perëndimore.

Ata ishin ndofta të mësuar vetëm me mendësinë prej disa dekadash se ASH është thjesht institucion drejtues edhe administrativ i instituteve që ka pasur në varësi. Të ndodhur përpara një realiteti tjetër nuk rezultoi se ishin në gjendje ta orientonin veprimtarinë e institucionit ashtu sikurse e parashikonte ligji.

Dhe duke u ndodhur përpara detyrave të tjera, nuk gjetën model tjetër, veçse ta drejtonin Akademinë e Shkencave si një institut kërkimi shkencor i zakonshëm. Si i tillë, ky model akademie që kemi nuk funksionon dot, sepse atje nuk mund të qëndrojnë bashkë thjesht si kërkues shkencorë ta zëmë një shkrimtar me një gjeolog dhe një agronom…

Aq më shumë që kjo metodë dhe ky vizion i tanishëm është i dështuar, sepse akademikët atje vijnë si individë, kurse kërkimi shkencor bëhet në ekipe, kryesisht, çka ASH nuk i ka. Për të mos folur që akademikët kanë edhe njëfarë moshe dhe puna në terren nuk është aq e lehtë edhe fizikisht. Mirëpo duhen ndarë dy gjëra, që po qe se nuk ndahen, do të hapet rrugë për gabime të mëdha strategjike.

Mënyra sesi është drejtuar ASH, sipas meje, është një gjë, ndërsa vetë nocioni i Akademisë së Shkencave është tjetër gjë. Mos ngatërrojmë praktikat konkrete të sotme të institucionit me vetë institucionin. Se ne jemi gati të bëjmë konfondime të pashoqe. Si ta jap një shembull, jo për ngjashmëri, por për metaforë?

Dikur, meqenëse gjendej ndonjë dervish që thoshte se di të shërojë edhe infeksionin e bajameve në fyt, pra, gabohej, mbyllej teqeja. Për shkak të dervishit. Përse ndonjë prift kishte ngacmuar ndonjë grua në fshat, përdorej si pretekst për të mbyllur kishën. Mbyllej kisha për shkak të priftit. Po ashtu ndodhte edhe kur ndonjë prift tjetër kishte bekuar martesa qysh në djep. Ose kur hoxha i fshatit nuk dinte të lexonte, përdorej si pretekst për të mbyllur xhaminë.

Për shkak të hoxhës e pësonte xhamia. Po vazhduam kështu, nuk kemi gjë në vijë. Unë mendoj se Akademia e Shkencave mund të ketë një të ardhme shumë të denjë nëse reformohet, në vizione dhe në praktika. Ajo mund të sjellë vlerë të shtuar që nuk mund ta sjellin as institutet, as departamentet universitare, asnjë institucion tjetër, qoftë ky edhe Ministria e Arsimit, ose e Inovacionit.

Mendjet më të pjekura të shkencës shqiptare duhet të jenë në Akademi, në mënyrë që të bëjë në radhë të parë atë që quhet “shkencë për kërkimin”, pra, jo thjesht të bëjë kërkim shkencor në nivel të parë, sepse këtë kërkuesit shkencorë e bëjnë në institute dhe në departamente, por, pra, të hedhin një perspektivë shkencore për zhvillimin shkencor në vend.

Po kjo çështje ia vlen të debatohet më gjerë. Dua të them vetëm se për këtë ka përvoja, nuk ka nevojë të bëhen shpikje.

Të kthehemi tek aktualiteti. Gazeta “Panorama” ka publikuar sot fakte, të pranuara zyrtarisht dhe nga Sekretari i ASH, se në zgjedhjet e 23 majit, madje edhe më parë, është votuar me zarfe nga anëtarë të Akademisë jashtë dhe brenda vendit. A është ligjor ky votim? Çfarë pasojash ka për Akademinë një procedurë e tillë votimi?

Pasoja është që në vend që zgjedhja e akademikëve të jetë një eveniment shkencor për vendin, përfundon me një dërgim zarfesh me postë ose dorazi, si edhe me një njoftim për shtyp në web-in e Akademisë së Shkencave ku njoftohet se filani dhe filani u bënë akademikë!!!

Dhe meqë debat, paraqitje, diskutim, platforma shkencore nuk paraqiten e nuk ka, atëherë zgjedhjet sigurisht kanë prirje të shkojnë drejt trafikut të influencave, ku filozofit i kërkohet shoqërisht të votojë për gjeologun, shkrimtarit për biologun, letrarit për juristin etj. Kjo kthehet në absurditet. Dhe të gjithë ata që zgjidhen pastaj riprodhojnë më shumë pushtetin administrativ sesa prodhojnë fryte shkencore.

Sipas meje, kjo procedurë votimi, madje jo vetëm ky segment i procedurës së zgjedhjes së akademikëve, por që nis nga mungesa e thirrjes publike, që nga njoftimet publike, që nga administrimi i dosjeve dhe mënyra e shqyrtimit të tyre, nga përpunimi i kritereve përzgjedhëse etj., pastaj edhe te votimi, nuk janë në përputhje me normat e statutit që njeh ligji. Unë nuk jam jurist, dhe janë organet e specializuara që duhet të japin mendimin e tyre.

Por, si koncept, për termin “votues”, statuti i Akademisë njeh literalisht ose të gjithë anëtarët e Asamblesë, ose “të pranishmit” në votim. Nuk njeh “votues me korrespondencë”! Edhe më parë është votuar. Sigurisht. Por, për një akademik, nuk mund të barazohet “tradita” me “të arsyeshmen”, me “të drejtën”. Kjo e bën gabimin të shtrirë në kohë dhe “infekton” shumë të zgjedhur. Madje, edhe mua më ka qëlluar të votoj. Fillimisht nuk gjeja ndonjë të keqe. Ishin përvojat e para. Por, kur pashë që në Akademinë e Shkencave nuk kishte debate shkencore për çështje të tematizuara e planifikuara strategjikisht, nuk kishte filtra shkencorë të qartë për zgjedhjen e akademikëve, nisa të mendoj.

Aty fillova të studioj me kujdes ligjin, statutin, dhe pashë që shumë nga defektet vinin pikërisht nga moszbatimi i normave juridike në fuqi. Me një fjalë, në mjaft drejtime m’u krijua bindja se veprimtaria e Akademisë së Shkencave nuk ishte në lartësinë e kërkesave të normave juridike. Duke përfshirë edhe procedurat e zgjedhjeve të akademikëve, pra, brenda tyre edhe votimin. Por jo vetëm këto.

Koncepti i votimit me postë, i “votuesve korrespondentë”, nuk ekziston. Kjo dëmton procesin e votimit. Sipas statutit, në raste të caktuara, votimi duhet përsëritur nëse rezultatet e votimit nuk arrijnë ta zgjedhin akademikun e ri. Si do të bëhet kjo procedurë e dytë, kur ata që kanë votuar herën e parë, nuk janë të pranishëm?

Unë konsideroj se kolegët që u zgjodhën akademikë janë shumë të respektuar nga unë, dhe dëshiroj të më mirëkuptojnë, por pavarësisht tyre, dhe jo për përgjegjësi të tyre, procedurat e zgjedhjes dhe të votimit nuk janë sipas rregullave të normave juridike në fuqi.

Madje, edhe kolegët që nuk arritën të zgjidhen për tre vendet e mbetura vakante, u dëmtuan sepse pikërisht këto procedura të zbatuara realisht nuk lejojnë që punimet e tyre, apo të të tjerëve jashtë Akademisë, të njiheshin dhe vlerësoheshin si duhet. Të gjithë dëmtohen, edhe reputacioni i Akademisë, dhe hijet që hidhen mbi akademikët.

Për Akademinë e Shkencave, sipas informacioneve të mediave, ka pasur së fundmi edhe interesime reformimi nga ana e qeverisë. Mendoni se është bërë vërtet nyja e problemeve të shkencës në Shqipëri?

Jo. Unë kam botuar një shkrim te gazeta juaj dhe nën kujdesin tuaj, ku flas që i gjithë sistemi i kërkimit shkencor në vendin tonë është në kolaps. Pra, na duhet, në radhë të parë, të dilet në një situatë tjetër në institutet e kërkimit shkencor, në qendrat e shërbimeve teknike, në shkollat doktorale universitare publike ose private, në kërkimin shkencor të kryer në departamentet universitare, dhe pastaj sigurisht edhe në Akademinë e Shkencave.

Gjithçka është në një kaos. Shkollat doktorale nuk funksionojnë më, sepse nuk hapen regjistrimet. Qendra Albanologjike nuk dihet qartë nëse ekziston ose jo. Akademia ka dalë jashtë shinave normative dhe nuk gjen dot identitet dhe nuk pozicionohet dot në peizazhin shkencor të vendit. Puna shkencore e pedagogëve as nuk merret për bazë në pagesën e tyre. Titujt shkencorë jepen mbi bazën e performancave në botime, jo në rezultate shkencore. Janë probleme që unë i ngre prej vitesh dhe sidomos që nga koha e debateve për ligjin për arsimin e lartë së bashku me një grup miqsh dhe kolegësh, por askush nuk na dëgjon.

Por koha fatkeqësisht po na jep të drejtë. Me kërkesën për të dhënë mendime dhe propozime që qeveria u paraqiti të gjithë akademikëve së fundmi, edhe unë kam parashtruar një dokument me propozime për të dalë nga kjo gjendje, por nuk është se kam ndonjë përgjigje për të. Një gjë është qartë, unë nuk do të pajtohem asnjë çast, dhe për asnjë çast, me atë që reformimi i Akademisë të përfundojë thjesht në një ndryshim emrash, ku për shkak influencash politike të hapura ose të fshehura, dikush ose disa, gjoja nën maskën se u dhimbset Akademia, nga jashtë, të “reformojnë” Akademinë pa akademikët dhe duke mos i pyetur ata, sikurse ka pasur tentativa deri tani.

As që të pyetet vetëm ndokush në kryesi dhe të injorohet krejtësisht Asambleja që meriton të dëgjohet me propozime të marra solemnisht dhe të certifikuara me votime. Po ashtu, nuk do të pajtohesha kurrë që pasi reformimi i Akademisë të përmbyllej në një ndryshim emrash që marrin “mandate” jolegjitime nga administrata qendrore, që ndërmarrin gjoja “iniciativa reformuese” deontologjikisht të papranueshme në grupe pune që askush nga Asambleja nuk i njeh, sepse priren të veprojnë pas kurrizit të akademikëve, me kaq të përmbyllej dhe të maskohej kriza e gjithë kërkimit shkencor në vend, në të gjitha fushat që përmenda.

Nuk mund të bëhet Akademia e Shkencave “kokë turku” për ta kaluar krizën e kërkimit shkencor në Shqipëri me dy a tre veprime “blic”, sporadike, dhe të improvizuara, pa një studim të thellë paraprak. Unë ua kam thënë kolegëve të mi akademikë, kujdes! Sepse një institucion që nuk reformohet nga brenda, dhe humbet dobinë sociale, nuk ka marifet që e shpëton, ai goditet nga jashtë, dhe shpeshherë nga përfitues të dyshimtë që nisen nga motive të tjera.

Mos e harroni këtë. Nuk e kam thënë unë. Prandaj, nëse ka individë që “fërkojnë duart” nga debati për Akademinë e Shkencave dhe nga faktet që dalin, mos e mendojnë se kanë të bëjnë me naivë e leshko, që nuk janë veçse masha me të cilët ata do të nxjerrin “gështenjat” e pjekura për t’i ngrënë.

Një pyetje e fundit. Nëpërmjet një e-maili që sot është botuar nga “Panorama”, del se përpara zgjedhjeve kryesia e Akademisë ftonte akademikët që të paraqiteshin edhe përpara ditës së zgjedhjeve, edhe jashtë vëzhgimit prej komisionit të votimit, për të votuar. A është e rregullt dhe ligjore kjo procedurë? A vihet në diskutim legjitimiteti i të zgjedhurve dhe çfarë mesazhi jep Akademia e Shkencave për shoqërinë shqiptare të molepsur nga politika me zgjedhje të kontestuara?

Do të ishte njësoj sikur qeveria në zgjedhjet e ardhshme të bënte thirrje për qytetarët që tani: Kush dëshiron, le të na dërgojë qysh tani votën e tij me zarf, se do ta hapin ditën e votimeve që parashikohet për qershorin tjetër!!! Qesharake dhe e trishtë! Fatkeqësisht, jo për faj të akademikëve të zgjedhur, legjitimiteti i zgjedhjeve për akademikë vihet në dyshim.

Sikurse në zgjedhjet politike, sikurse ndodh atje, edhe në Akademinë e Shkencave ende nuk jemi mësuar ta zbatojmë normën juridike literalisht. Norma juridike duhet respektuar sepse ka logjikën e vet. Nuk mund të thuash se po i shkel ligjet dhe normat statutore për të mirë. Jo. Po, ne ende në Shqipëri nuk jemi mësuar që pushtetin ta konsiderojnë se nuk qëndron te kryesitë dhe kryetarët, por tek ata që u japin legjitimitetin kryetarëve të çdo niveli. Harrojmë që janë seksionet dhe Asambleja, Parlamenti, në rastin e politikës, dhe jo kryetarët e zgjedhur të tyre, apo kryesitë, që e kanë sovranitetin e zgjedhjeve dhe zgjidhjeve, vendimmarrjen.

Ende nuk kemi kulturën ta përjetojmë moralin se të zgjedhurit, administrata, janë shërbëtorë, shërbyes. Ne kemi prirjen ta kthejmë shërbyesin në zotni, pra, të ndryshojmë vendet midis bartësit të legjitimitetit dhe atij që i delegohet ky legjitimitet përkohësisht, për të shërbyer. Ende zgjedhjet dhe emërimet duam t’i kontrollojmë nga pushteti që organizon zgjedhjet. Kërkojmë riprodhimin e vazhdimësisë. Jemi ende te kongresi i vazhdimësisë. Nuk ka gjë më të qëndrueshme në shoqëri sesa riprodhimi i së njëjtës. I të kaluarës.

Flas kulturalisht. Nuk lëmë zgjedhësin në qetësinë e vet të bëjë zgjedhjet e veta. Kështu ndodh me konkurset në administratë, kështu ndodh me ministra në raport me deputetët, me deputetë në raport me zgjedhësit etj. I legjitimuari, pasi legjitimohet, deligjitimon faktikisht atë që e ka legjitimuar. Po në këtë kontekst ndodh edhe kjo që po flasim në Akademinë e Shkencave. Por në këtë rrafsh unë po bëj një analizë në planin social dhe historik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura