“Arsyet pse Shqipëria nuk ka një rrjet të brendshëm gazi”- Eksperti: Korrupsioni dhe nepotizmi shkatërruan sektorin energjetik

May 18, 2022 | 14:20
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Gjergj Bojaxhi, ish-drejtues në sektorin energjetik, fajëson qeverinë për keqmenaxhim të situatës energjetike në vend.

Gjergj-Bojaxhi-CV

Bojaxhiu thotë për gazetën “Panorama” se importi i energjisë me çmim më të lartë lidhet jo vetëm me rritjen e çmimit të gazit në Europë, por edhe me mangësitë në marrjen e masave nga strukturat shtetërore, për menaxhimin e krizave të tilla. Ndaj, ai i bën thirrje qeverisë që të reflektojë, të marrë përgjegjësi para se qytetarët t’i rëndojë me rritjen e çmimeve.

Ish-zëvendësministri i Energjetikës flet edhe për arsyet se pse Shqipëria nuk merr gaz nga TAP. Bojaxhi thotë se Shqipëria, ashtu si Greqia dhe Italia, nuk merr gaz, pasi nuk ka tranzit-fi me TAP.

Z. Bojaxhi, përse kemi krizë energjetike? Cilat janë arsyet që arritëm në këtë situatë të vështirë energjetike?

Në kohë vështirësish gjithmonë ka dy faktorë: një faktor të jashtëm dhe një të brendshëm. Faktori i jashtëm, në këtë rast, është shumë i dukshëm, një krizë të paktën në nivel europian, e cila ka shkaktuar rritje të ndjeshme të burimeve të lëndëve të para energjetike dhe si pasojë edhe të energjisë elektrike.

Kjo është një situatë që mund të dojë kohë që të rregullohet dhe kjo situatë vjen jo vetëm për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, por vjen edhe nga tranzicioni që vendet e Europës Perëndimore duan të kalojnë që të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt burimeve të rinovueshme. Por shpeshherë, këto tranzicione nuk llogariten mirë kur ndërpritet një burim jo i rinovueshëm prodhimi dhe kur futet një tjetër në prodhim. Kështu që edhe pa konfliktin Rusi-Ukrainë kishte një tension midis mbylljes dhe futjes në prodhim të burimeve të reja të rinovueshme që kryesisht Evropa Perëndimore kishte planifikuar apo kishte synuar.

Kuptohet, çështja e Rusisë e ka bërë shumë më të ndjeshme këtë gjë, shumë më të ndjeshme dhe jemi në situatën kur çmimet e importit janë shumë të larta. Kjo është pjesa që lidhet me faktorin e jashtëm.

Faktori i brendshëm që ka bërë që ne të jemi në krizë, ka të bëjë me faktin që pavarësisht investimeve masive që janë bërë edhe nga qeveritë e mëparshme, por sidomos nga kjo qeveri në 6-7 vitet e fundit në sektorin e shpërndarjes, si është OSHEE, këto investime nuk mund të themi se kanë dështuar plotësisht, por pjesërisht, për shkak të korrupsionit, nepotizmit, keqmenaxhimit, sepse Shqipëria vazhdon të ketë përqindjen më të lartë të humbjeve të rrjetit në Ballkan. Domethënë, humbjet tona që do të thotë që vjedhjet dhe humbjet teknike janë më të larta se Maqedonia, Kosova apo Malii ZI.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që në një vit normal hidrik, praktikisht sasia që ne importojmë është e barabartë me nivelin e humbjeve që nuk duhet t’i kishim po të menaxhonim sektorin, kompanitë publike, ashtu siç duhet menaxhuar në mënyrë eficiente, transparente dhe me ndershmëri. Duke pasur një situatë ku ne kemi harxhuar mbi 600 milionë dollarë, pothuajse rreth 100 milionë dollarë në vitet e fundit në investime, në OSHEE, në shpërndarje dhe prapë humbjet vazhdojnë të jenë tepër të larta. Kjo bën që ne të jemi të detyruar që të importojmë në një vit normal hidrik.

Dhe si pasojë, përballemi tani me çmime importi të cilat janë në këtë kontekst krize europiane. Kështu që çmimet e importit nuk janë përgjegjësia jonë dhe kanë të bëjnë me një kontekst më të gjerë në kontinentin europian, por fakti që ne jemi të papërgatitur për t’i përballuar këto ndryshime dhe këtë krizë rajonale, vjen nga keqmenaxhimi që i është bërë sektorit të energjisë elektrike dhe duke abuzuar me konsumatorët dhe kjo situatë mes tyre dhe OSHEE-së do të përkeqësohet për shkak të rritjes së çmimeve.

Po për sa i përket përgjegjësisë politike, cila është ajo?

Ajo që ka të bëjë me njëlloj përgjegjësie politike apo me amoralitetin politik, është sepse unë të paktën nuk kam vënë re asnjë reflektim nga qeveria që të pranojë që ka pasur një lloj keqmenaxhimi nga kompani publike dhe OSHEE specifikisht gjatë këtyre viteve të shkaktuara nga drejtuesit, të marrë dhe përgjegjësi përse nuk janë bërë këto ndryshime në drejtimin e bordeve, kompanive më përpara dhe mbase pas kësaj ke të drejtë t’u kërkosh qytetarëve që të paguajnë një faturë më të lartë. Por në këtë rast po u kërkojmë qytetarëve që të paguajnë një faturë më të lartë duke marrë zero përgjegjësi nga ata që kanë gjithë këto vite që e drejtojnë, e menaxhojnë sektorin energjetik qoftë në nivel teknik, qoftë në nivel politik.

A është një zgjidhje krijimi i dy fashave të çmimeve? Çmimi me dy fasha që prek mijëra familje shqiptare, a do t’i rrisë abuzimet?

Një nga zgjidhjet që ka menduar qeveria është për të krijuar dy fasha çmimesh, në mënyrë që konsumi mbi një nivel të caktuar të faturohet me çmimin e importit, që kuptohet është më i lartë. Nëse e marrim këtë gjë në vetvete, duket diçka e logjikshme, por përqasja e qeverisë ka dy probleme, një problem që është teknik dhe një problem që është përgjegjësi, le ta quajmë çështje të imoralitetit politik.  Çështja teknike lidhet me faktin që në kur PS erdhi në pushtet u hoqën fashat. Ishin fashat dhe u hoqën me pretekstin se këto nuk ishin një metodë e mirë për të faturuar qytetarët dhe tani qeveria shkon prapë te një metodë për të cilën ka kritikuar qeverinë e mëparshme.

Ku është problemi në këtë rast?

Problemi me çmimin me dy fasha është se teknikisht duhet që OSHEE, kompania që mat faturat dhe lëshon faturat, të bëjë një matje sa më të saktë mujore të çdo konsumatori. Kjo është shumë e vështirë për t’u arritur. Kompania ka ulur numrin e faturistëve gjatë këtyre viteve që mbulojnë zona të caktuara dhe mjafton që faturisti të vijë disa ditë me vonesë nga data fikse që kishte ardhur muajin e kaluar dhe kjo shkakton probleme me çmime të larta, sepse fatura do tejkalojë nivelin 700kw/h dhe do të shkojë në fashën tjetër të çmimit. Kjo sigurisht do të shtojë konfliktin me shoqërinë dhe shton perceptimin se OSHEE është duke keqmenaxhuar dhe duke abuzuar me konsumatorët.

A i jep zgjidhje situatës plani i masave të qeverisë, ku përshihet rritja e çmimit të energjisë elektrike për të gjitha ato familje shqiptare që harxhojnë më shumë se 700 kWh?

Plani për ta rritur dhe për të krijuar fasha mbi 700 KWh në muaj është një zgjidhje e momentit, ku barrën e mban qytetari, konsumatori. Në qoftë se nuk përmirësohet në mënyrë drastike menaxhimi i kompanive publike në sektorin e energjisë publike siç është KESH, OSHEE, OST dhe sidomos kjo e fundit, nuk ka zgjidhje të përhershme dhe definitive problemi i sektorit energjetik në Shqipëri dhe kostot që përballen qytetarët dhe konsumatorët në Shqipëri.

Përse Shqipëria nuk furnizohet me gaz nga TAP? Përse mungon infrastruktura për përdorimin e gazit?

TAP nuk është kompani gazi. TAP është kompani tubacioni ku kalon gazi dhe TAP merr shërbimin për kalimin e gazit. Nuk është pronare e gazit që do të kalojë. Shqipëria nuk ka ndërtuar asnjë infrastrukturë të saj të brendshme që të marrë gaz nga TAP ose nga ndonjë tubacion tjetër, ose nga ndonjë anije me gaz të lëngshëm që mund të vinte për t’u shkarkuar në Shqipëri dhe të ketë ndërtuar një rrjetë gazifikimi brenda territorit shqiptar, as në zonat industriale, që do të ishte gjëja më e thjeshtë për t’u ndërtuar dhe për t’u integruar industria me përdorimin e gazit dhe as në zonat e mirëfillta urbane, që do të duhej të integrohej rrjeti i gazit në biznese, pallate familjare etj. Kështu që pa u ndërtuar një rrjet i brendshëm i gazifikimit dhe i shpërndarjes së gazit deri te konsumatori final, është e kotë të diskutosh TAP-in apo për të blerë gaz, sepse edhe po e bleu, nuk ka ku ta çojë. Shqipëria apo kompani private apo publike si çdo vend tjetër në Europë kanë të drejtë të hyjnë në kontrata për të blerë produkt gazi nga kompani që e kanë në pronësi gazin ose që kalon nëpërmjet TAP.

Për cilat arsye Shqipëria nuk ka ndërtuar një rrjet të brendshëm gazifikimi?

Kjo pyetje duhet t’i bëhet më mirë qeverisë, por ajo që më shqetëson më shumë është në planet urbanistike, të cilat u miratuan këto 4-5 vitet e fundit nga të gjitha bashkitë në mbarë vendin, nuk ka asnjë segment në këto plane që të parashikojë apo të planifikojë shtrirjen e një rrjeti gazifikues. Padyshim, shtrirja e një rrjeti të tillë gazifikues është ndërhyrja themeltare në infrastrukturën urbanistike të qyteteve shqiptare dhe fakti që kjo nuk ka ndodhur dhe këto plane janë miratuar nga bashkitë dhe qeveria dhe Kryeministri Rama në KKT, tregon që gazifikimi i Shqipërisë është vetëm propagandë. Jo thjesht nuk ka asnjë plan, por nuk është marrë parasysh në planet e ndërtuara realisht efekti i gazifikimit dhe se si infrastruktura ta arrijë ta integrojë këtë element të ri në infrastrukturën ekzistuese, rrugore, elektrike, ujësjellësve, kanalizimeve etj. Shqetësimi është se kjo nuk ka ndodhur vetëm në zonat ekzistuese, por edhe në zonat e reja urbane që po ndërtohen, një pjesë në Tiranë dhe pjesën perëndimore, edhe në këto zona të reja urbane që po shtohen dhe po zgjerohen nuk ka absolutisht asnjë element që të krijojë një rrjet gazi. Domethënë duket qartë që nuk e kanë në plan as zonat ekzistuese, që ishin urbane, rrjetin e gazit, por as në zonat e reja që po ndërtohen në qendrat e reja urbane, nuk ka planifikim apo një koncept për të integruar një rrjet të ri gazifikimi që nëse mund ta bënte më ekonomike ekonominë shqiptare dhe konsumin shtëpiak dhe bizneseve.

Duke kaluar në Shqipëri, TAP a do të krijonte stabilitet politik?

TAP-i është filluar kur Shqipëria nuk ishte as vend i NATOs dhe ishte shumë problematik në atë kohë. E para njëherë TAP është segmenti Turqi-Greqi-Shqipëri dhe Itali. Asnjë nga këto vende nuk ka tranzit për TAP, as Greqia, as Italia dhe as Shqipëria. Rinegocimi i vitit 2016-të vjen si pasojë që Shqipëria ishte e para që bëri kontratë me TAP-in. Ne nuk e dinim se çfarë kontrate do të bënte Greqia, bëmë kontratën që ne duhet të marrim, atë që do të marrë Greqia. Kontrata e 2016-s vjen si pasojë e kontratës së 2013-s. Në këto kushte, Shqipëria ishte në një garë të fortë nëse projekti do të kalonte në Shqipëri apo jo. Në 2013-n u votua nga të dyja grupimet politike.

Çështja është se ne luteshim që në radhë të parë Azerbajxhani të pranonte që TAP të kalonte në Shqipëri. Në kontekstin ku jemi sot të dalësh dhe të thuash si ka mundësi, ne s’kishim forcë negociuese. Duke kaluar në Shqipëri, krijonte stabilitet politik, pasi të gjithë faktorët ndërkombëtarë duan të ketë stabilitet. Duke kaluar ky tubacion, i krijon Shqipërisë potencialisht që të ketë akses në një tubacion për ta blerë këtë gaz dhe për ta integruar në ekonominë tonë. TAP kalon në Shqipëri, Greqi dhe Itali, por asnjë vend nuk merr lekë nga TAP. TAP ka paguar shtetin shqiptar dhe familjet ku kalon tubacioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura