ARSYET/ Pse iu refuzua viza nga SHBA-të kryeprokurorit të Durrësit

Mar 31, 2016 | 18:25
SHPËRNDAJE

Gazeta “Panorama” pyeti dje burime të Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me refuzimin e vizës së drejtuesit të organit të akuzës në Durrës.

Agron Gjana, personi në rreth, prokurori që SHBA nuk i dha vizë
Agron Gjana, personi në rreth, prokurori që SHBA nuk i dha vizë

Burimet zyrtare nuk u shprehën në lidhje me çështjen. Ndërkohë, pas interesimit të gazetës “Panorama”, burime pranë kreut të Prokurorisë së Durrësit Agron Gjana thanë se ai ndodhet në Shqipëri dhe se nuk ka udhëtuar për në SHBA me delegacionin ku ka qenë pjesë.

Burimet në fjalë deklaruan se prokurorit Gjana nuk i është dhënë vizë dhe në momentin e refuzimit, arsyeja i është shpjeguar me një dokument të shkruar.

“Arsyeja e refuzimit të vizës e shkruar në atë letër të dorëzuar aplikuesit ka qenë tekstualisht mungesa e dokumentacionit në fazën e aplikimit për vizë”, thanë burimet pranë drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit.

VIZITA NË SHBA

Tri ditë më parë, disa media në Shqipëri njoftuan se kryeprokurori Adriatik Llalla gjatë vizitës në SHBA ka zhvilluar takime me zyrtarë të Byrosë Federale të Hetimit, FBI-në dhe Agjencinë e Antidrogës, DEA.

Por ditën e djeshme, “Top Channel” mësoi përmes një burimi zyrtar amerikan se zoti Llalla nuk ka pasur takime me zyrtarë të lartë të FBI-së, ose të Administratës Ligjzbatuese të Antidrogës, DEA.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme tha se delegacioni i organit të akuzës ka shkuar me ftesë për vizitë zyrtare në SHBA, pa dhënë komente të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura