Arsyet e forta të Ramës për të miratuar KÇK-në

Feb 5, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI fitim zekthi

Akti normativ i qeverisë shqiptare, që i jep fuqi së ashtuquajturës ligji anti-KÇK. Ky akt normativ i Kryeministrit Rama nuk ka asgjë të veçantë. Ai është vazhdë e një mendësie qeverisjeje të ngulitur thellë te Kryeministri dhe tek ajo që ai përfaqëson.

Kjo mendësi ka dy aspekte themelore. Aspekti i parë ka të bëjë me procesin e ligjbërjes. Albert Venn Dicey, një jurist i madh anglez i para më shumë se 100 viteve, në librin “Ligji dhe Opinioni Publik” ka shpjeguar në mënyrë shteruese procesin e ligjbërjes. Ai thotë se ligjbërja dominohet nga opinioni. Në radhë të parë, opinioni ka të bëjë me filozofinë e kohës, me mënyrën sesi shihen gjërat nga njerëzit në atë epokë, me mënyrën se si janë nënshtresuar dhe mbishtresuar struktura të caktuara që prodhojnë opinion në momentin e ligjbërjes. Për shembull, në qoftë se është një periudhë ku kolektivizmi është sundues, siç ishin vite 1870- 1890 në Angli, atëherë ligjbërja nuk do të dalë dot nga ky trend. Në qoftë se opinioni është liberal, siç ishte në vitet 1920 në SHBA, ligjbërja nuk mund të dalë kundër kësaj qasjeje. Në qoftë se opinioni nuk e pranon dhunimin e lirive fetare siç është sot në SHBA, atëherë ligjet do ta respektojnë opinionin.

Por Dicey thotë se ligjet ndikohen fort edhe nga një formë tjetër opinioni, që është opinioni personal i ligjbërësit. Ligjbërësi, thotë Dicey, vepron mbështetur në filozofinë ose mendësinë me të cilën ai është ushqyer që në fëmijëri dhe në rini. Këto dy forma opinioni janë të vetmet që ndikojnë ligjbërjen.

Sa i takon opinionit, i cili dominon sot Shqipërinë, duhet thënë se kultura e uzurpimit të pushteteve nga një dorë, e sjelljes harbute dhe brutale me të drejtën, e të fortit që mund të “vendosë rregull” ecën paralel me kulturën se krimi dhe droga, korrupsioni dhe e keqja mund të luftohen nga një “dorë e fortë që lufton e vetme të keqen”. Në Shqipëri ka pa dyshim edhe segmente, edhe rryma opinioni që e urrejnë të fortin dhe diktatorin, që e neveritin autokratin, por nuk mund të thuhet se janë dominuese.

Ndërsa opinioni tjetër, ai i Kryeministrit Rama, që siç thotë Dicey formohet në fëmijëri dhe në rini, duket ashiqare se nuk ka asnjë respekt për liritë, për të drejtat, për ndarjen e pushteteve, për kufizimin e pushteteve (Ramës i duket marrëzi kufizimi i pushtetit). Rama është rritur në një kulturë, është ushqyer nga ambiente që vlerësojnë arrogancën, fyerjen, poshtërimin e të tjerëve. Në fëmijëri dhe në rini, kultura politike me të cilën është rritur Rama ka qenë respektimi i diktaturës dhe dhunës ndaj të tjerëve, kontrolli i plotë i gjykatave dhe i prokurorisë nga një dorë, dënimi i armiqve, mbajtja e pushtetit me çdo gjë, propaganda ekstreme etj. Mund të kenë ndikuar gjithashtu edhe leximet apo kontaktet me njerëz apo me ide ia kanë theksuar këtë opinion në rini.

Rama, ndryshe nga Berisha, nga Nano, nga Meidani, nga Meta, nga Majko, nga Bufi, nga Basha po e po- të cilët nuk vinin asnjëri nga nomenklatura, Byroja e Partisë së Punës apo nga elita politike e asaj kohe – vjen direkt nga familje të asaj elite.

Duke qenë kështu, ligji anti-KÇK mishëron saktësisht këtë ndikim të opinionit për të cilin flet Dicey. Konkretisht, Kryeministri Rama sapo mori detyrën e Kryeministrit anuloi me akt normativ ligjin për nëpunësin civil. Akti u shpall antikushtetues dhe Gjykata Kushtetuese u shpreh se nuk mund të nxirren akte normative që prekin ligje, që miratohen me 60% të votave të Kuvendit. Duhet thënë se këshilltarja e Kryeministrit në atë kohë tha se ata (qeveria) mendonin se mund të ndryshonin edhe Kushtetutën me akt normativ (çfarë tmerri).

Më pas, Kryeministri, si për të provuar atë lloj ndikimi në ligjbërje që thotë Dicey, largoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dy anëtarë. Gjykata Kushtetuese tha se shkarkimi i tyre ishte antikushtetues. Po në atë kohë, Kryeministri Rama mori kompetenca të pushtetit vendor dhe ia dha Policisë së Ndërtimit duke shkelur autonominë vendore. Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i qeverisë ishte antikushtetues.

Kryeministri Rama miratoi një ligj për krijimin e FBI-së shqiptare, BKH-së, me anë të të cilit ngrihej një strukturë që do të varej nga ministri Saimir Tahiri. Kjo strukturë do të kishte pushtet prokurorial. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. Kryeministri Rama miratoi një ligj që i merrte Presidentit të Republikës (komandant i përgjithshëm) kompetencat e emërimit dhe të shkarkimit të gjeneralëve të Ushtrisë dhe ia jepte ato Mimi Kodhelit. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi edhe këtë ligj.

Historia e zotit Rama me ligjin, të drejtën, ndarjen e pushteteve, kufizimin e pushtetit është e mbushur me shembuj të tillë. Ky është formimi i Kryeministrit Rama. Prandaj jemi përpara një ligji si ky anti-KÇK, që është edhe më lemeri se të tjerët.

Aspekti tjetër që përshkruan mendësinë e Kryeministrit Rama në miratimin e një ligji të tillë, ka të bëjë me natyrën totalitare të shikimit të politikës nga ai.

Roger Berkowitz, drejtues i Qendrës për Studime mbi Totalitarizmin në Boston, thotë se politikanët me mendësi totalitare janë vazhdimisht në fushatë, ata lëvizin nga një fushatë në tjetrën. Ata, thotë Berkowitz, shpallin një fushatë, kërkojnë të eksitojnë njerëzit, kërkojnë t’i bëjnë ata të rrinë sy e veshë ngrehur te lideri, kërkojnë t’i bëjnë njerëzit të mos mendojnë për gjë tjetër veç asaj që shpall lideri. Më pas, ky lloj lideri e “harron” këtë fushatë dhe shpall një tjetër

Këta liderë totalitarë janë të paaftë të përfundojnë diçka, madje as nuk duan të përfundojnë diçka. Ata, thotë Berkowitz, përpiqen të gjejnë diçka shokuese, që t’i tronditë njerëzit, në mënyrë që njerëzit të rrinë të eksituar dhe të mobilizuar. Kjo është ajo që ka bërë Musolini, ajo që ka bërë Hitleri, ajo që kanë bërë të gjithë liderët totalitarë me qeverisjet e tyre, thotë Berkowitz. Në thelb, kjo është vetëm propagandë dhe vetëm përpjekje për t’u dhënë tagji njerëzve.

Kjo është ajo që bën prej shtatë vitesh edhe Rama. Në fillim vendosi disa bomba në një godinë te Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë, në një godinë te Shkëmbi i Kavajës, te një tjetër në Durrës, te një pallat në Vlorë. Shpalli me tërsëllimë fushatën e prishjes së ndërtimeve pa leje. Pasi i eksitoi (aq sa mundi) dhe shokoi njerëzit, kjo fushatë u shua në heshtje. Nisi menjëherë fushata tjetër. U tha se 6 mijë forca policie nisën një operacion kundër lojërave të fatit. Pati përsëri tërsëllimë për pak ditë dhe më pas asgjë.

Pak ditë më vonë shpërtheu fushata për pagesën e energjisë elektrike dhe për të nxjerrë nga humbjet OSHEE. Pati arrestime hallexhinjsh, mburrje dhe dalje masive në televizion të qeverisë. Disa javë më pas u harrua. Sot OSHEE ka raportuar 60 milionë euro humbje në një vit.

Nisi fushata e re, ajo për kuponin, pra ajo kundër evazionit fiskal. U futën në burg berberë dhe këpucarë. Pak ditë më vonë, fushata pushoi

Pastaj Kryeministri Rama njoftoi fushatën për sahatet e ujit, madje do të vendoseshin sahate edhe në puse. Vazhdoi edhe kjo me tamtam disa ditë dhe u harrua.

Pastaj fushata e famshme kundër hashashit në Lazarat. Kjo është më shembullorja, më domethënësja, më tragjikja dhe më komikja. U rrethua fshati, fliste live Kryeministri, ministri Tahiri dhe drejtori Didi. Fushata kundër hashashit pas pak ditësh u harrua dhe vendi u mbush masivisht me hashash nga Tepelena në Dibër, nga Lumi i Vlorës në Dukagjin.

Nisi fushata për kutinë e ndihmës së shpejtë. Pati gjoba, pati transmetime live. U harrua. Pak muaj më parë nisi përsëri një fushatë kundër evazionit fiskal. Doli ministrja Balluku nëpër karburante dhe shihte faturat dhe pompat e naftës, doli ministrja Denaj duke parë vetë lokalet e shoqëruar nga policët.

Tani kemi fushatën e KÇK-së. Është vetëm një mendje totalitare, që kërkon të bëjë propagandë dhe të lajë ndonjë hesap me ndonjë kundërshtar apo ndonjë kundërshtar të ndonjë miku. Do të harrohet për pak ditë. Kryeministri ka menduar të gjejë diçka sa më të fortë, sa më të çuditshme, sa më të palogjikshme në mënyrë që të shokojë njerëzit, në mënyrë që t’i eksitojë (aq pak sa të kapë) në mënyrë që të prodhojë një narrativë sikur po lufton, po qeveris, po gjallon. Mendjet totalitare kështu funksionojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura