Arsimi profesional, skemë e re për vlerësimin e mësuesve

May 3, 2015 | 17:02
SHPËRNDAJE

Kalimi i arsimit profesional nën varësinë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka sjellë ndryshime dhe në mënyrën e organizimit të këtij sektori. 

Drejtori i Arsimit Profesional, Agron Pullumbi

Specialistë të Ministrisë thonë se mësuesit e arsimit profesional nuk janë të azhurnuar me të rejat e lëndës që japin. Nisur nga kjo, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka menduar një skemë të re për të vlerësuar dijet e tyre e më pas për t’i trajnuar ato. Këtë e bën me dije drejtori i Arsimit Profesional në MRSS, Agron Pullumbi.

“Ne po mendojmë për trajnimin e mësuesve, veçanërisht për ata të lëndëve profesionale në shkolla, të cilët kanë nevojë për t’u trajnuar për modulet psikologji, pedagogji, metodat e mësimdhënies, përdorimi i teknologjisë së informacionit në mësim etj.”. Ndonëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për mënyrën se si do të procedohet me këta mësues, një gjë është e sigurt, të gjithë do t’i nënshtrohen vlerësimit të dijeve, në mënyrë që me nisjen e vitit të ri shkollor të jenë të aftë për të realizuar një orë mësimi model.

“Ndryshe nga mësuesit e lëndëve të përgjithshme, si fizika, matematika, kimia që kanë nocione që nuk rinovohen shumë shpejt, konceptet e profesioneve kanë nevojë të azhurnojnë dijet e tyre herë pas here dhe mundësisht ne të krijomë një sistem të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Ky është edhe qëllimi jonë.” Për këtë, Ministria ka menduar që të shfrytëzojë edhe periudhën e pushimeve verore. “Po shikojmë mundësinë e trajnimit në disa forma që mund të jenë online, me shkëputje nga puna, në kohën e pushimeve verore e të tjera.”

Gjithsesi, nga kjo skemë ka edhe përjashtime si mësuesit në prag pensioni dhe ata që nuk janë të profilit të tyre. “Jemi në fazën e studimit, po studiojmë cili është ‘target grupi’ që i përket mësuesve të lëndëve profesionale, duke përjashtuar një kategori mësuesish. Duke pasur numrin e saktë të tyre, do të gjykojmë si do të veprohet me ta.” RISIA Ndryshimet e Maturës Shtetërore kanë prekur më së shumti ata të shkollave profesionale. Përveç tre provimeve me detyrim, matematika, gjuha e huaj dhe gjuhë shqipe e letërsia, ata do t’u nënshtrohen edhe dy provimeve të tjera, ku njëri do të jetë me zgjedhje, ndërsa tjetri mund të quhet provim me zgjedhje të detyruar.

Bëhet fjalë për lëndën “Teoria profesionale”, që në vitet e kaluara ka qenë në listën e lëndëve me zgjedhje. Sipas drejtorit të Arsimit Profesional, Agron Pullumbi, kjo është bërë me qëllim lehtësimin e futjes së këtyre nxënësve në tregun e punës, në rast se nuk fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet në universitet. Për maturantët e arsimit profesional do të përdoret e njëjta formulë për përllogaritjen e pikëve, si dhe plotësimit të formularëve me maturantët e tjerë.

Por, ata kanë një favor kundrejt këtyre të fundit. Nëse nuk arrijnë të grumbullojnë numrin e nevojshëm të pikëve për të fituar një nga degët e preferuara, me dijet e nxëna në vite, janë të gatshëm për t’u futur në punë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura