Arsimi profesional, Ahmetaj: Rruga e sigurt në tregun e punës

Mar 15, 2018 | 9:08
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte dje në inaugurimin e hapjes së qendrës shumëfunksionale “Salih Çela” në qytetin e Elbasanit, e rikonstruktuar falë një investimi në vlerën mbi 130 milionë lekë nga buxheti i shtetit, përfshirë pajisjen e laboratorëve të informatikës, elektronikës, mekanikës dhe terreneve sportive.

Ahmetaj

Ministri Ahmetaj tha se arsimi profesional është rruga e duhur drejt një të ardhmeje të sigurt në tregun e punës dhe se shumë të rinj tashmë janë ndërgjegjësuar për orientimin drejt arsimit profesional, sikurse tregojnë dhe shifrat në rritje, nga 3 mijë nxënës para pak vitesh, në 20 mijë aktualisht, falë edhe reformimit të sistemit.

“Qendrat multifunksionale janë një risi e reformimit të gjithë arsimit profesional. Ka shumë shkolla profesionale në Shqipëri. Ne kemi vendosur që t’i bashkojmë në qarqe dhe të bëjmë atë që po bëjmë këtu sot në Elbasan. Pra, qendrat multifunksionale, në funksion të një strategjie më të mirë, në shërbim të brezit të ri, për t’i aftësuar në përputhje me nevojat që ka tregu i punës dhe që ne të kemi mundësi të menaxhojmë kërkesën e sipërmarrjes dhe ofertën”, tha ministri.

Kreu i Financave, Ahmetaj përsëriti se familjet me ndihmë ekonomike që i drejtohen arsimit profesional, do të përfitojnë 5,500 lekë në muaj ndihmë ekonomike dhe kurse trajnimi falas.

“Tashmë, qeveria po nxjerr një vendim ku të gjithë ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike, që janë në moshë pune, kanë mundësi të shkojnë të trajnohen në qendrat e formimit profesional, në një qendër multifunksionale si kjo. Të marrin një certifikatë për punën e tyre e ndërkohë që janë duke mësuar këtu, qeveria, buxheti i shtetit, do t’u paguajë 55 mijë lekë të vjetra në muaj, pra, gjysmën e pagesës së papunësisë vetëm që të trajnohen”, u shpreh Ahmetaj.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura