Arsimi në flakë

Mar 6, 2021 | 15:36
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer-e1557227672882

NGA LUÇIANO BOÇI

Flakët që përpinë zyrat e drejtorisë arsimore në Fier nuk janë flakë dosido. Ngjarja krejt e pazakontë e thellësisht e dënueshme të le pa fjalë dhe pa frymë. Aq më tepër, kur mëson se një njeri artist i vë flakën një quasi-tempulli zyrtar dijeje, dilema e shkakut rëndon më shumë.

Megjithëse akti është i pajustifikueshëm, padrejtësia e bërë mal, e instaluar prej kohësh në sistemin tonë arsimor, ka pjellë një reagim kaq ekstrem sa ngjan i pabesueshëm.

Askurrë më parë nuk ka ndodhur një akt i tillë dëshpërues. As në ditët më të vështira të historisë së vendit. Ndërsa përcjellja e tij me një jehonë pothuaj normale nga opinioni, dhemb dhe më shumë. Ose ne jemi mësuar të shohim të digjen para nesh vlera e shpresa akoma më të rëndësishme e kjo nuk na bën përshtypje, ose kemi bërë pakt me veten, për të pranuar të keqen që dominon jetët tona.

Dhe midis kësaj dileme, mosçudia të nxit të konkludosh se flakët e drejtorisë arsimore, në realitet nuk janë asgjë para flakëve të padukshme fizikisht, por akoma më vrastare, që kanë përpirë sistemin tonë arsimor. Ato flakë mbi objekt, thjesht zbuluan simbolikisht gjëmën e djegien që po ndodh në arsim. Nxorrën tmerrin e padrejtësisë, të paaftësisë, të arbitraritetit dhe të kaosit që po bën namin. Ato janë flakë alarmi që kishte kohë që i binte boriave të zhurmta dhe që askush nuk i dëgjonte.

Fatkeqësisht arsimi është i gjithi në flakë. Rilindja në ditët e numëruara të fundit të sundimit të saj, po djeg dhe atë pak dije që ka mbetur ende në qarkullim.

Me flakën që i ka vënë arsimit, rilindja po shkrumbon në turrën e druve të pushtetit të saj, breza të tërë duke mbjellë injorancë, padije, pazotësi. E këtu asgjë nuk duket e rastit. Është mentalitet, mënyrë veprimi dhe sjellje.

Pandemia është thjesht justifikimi banal i zjarrit të vënë kudo.

Në shkollat tona ka vite që bëhet sikur. Sikur jepet mësim, sikur kualifikohen mësues, sikur investohet. Ndërsa në realitet vetëm digjet e shkrumbohen arritje, tradita, investime të mëparshme. Hapjet dhe mbylljet pa kuptim kohë pas kohe, si dëshmi e zjarrmimeve të menopauzave të pakontrolluara qeveritare, kanë krjuar situata absurde. Shkolla ka humbur prej kohësh,  për shkak të mosmbështetjes e përçmimit qeveritar, funksionin e saj.

Mësimi online ose në klasa sot, i ngjan një ure zjarri që pasojën e saj zjarrvënese do ta shpërtheje pas disa vitesh, kur fëmijët tanë të ndeshen me sfidat që u rezervon jeta dhe për të cilat shkolla nuk i pregatit.

Mësuesia është shndërruar në një profesion të djegur,  që askush tashmë nuk e preferon dhe shoqëria e përçmon.

Tempujt e dijes, nën gjuhët e flakës së politikës rilindëse kanë marrë pamjen e zbrazur,  brenda të cilave shkrehen vetëm pushkë politike, për të gjuajtur vota me dhunë, deri dhe në kopshte e në çerdhe.

Zjarri i vënë s’ka kursyer asgjë. Ka rrafshuar e zeruar universitetet, kërkimin shkencor dhe vazhdon të shtrihet me hapa të pandalshëm në të gjithë hapësirën tonë sociale.

Rilindja nuk pyet. Kërkon të shkretojë gjithçka para se të largohet si pushtuese e kapitulluar.

Zjarri i saj kërkon të djegë jo vetëm arsimin, por dhe jetët e të ardhmen tonë e fëmijëve tanë.

Ndalja e kësaj zjarrvënie është mision qytetar, ndërsa rilindjen le ta lemë të digjet në zjarrin e saj të ethshëm për sundim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura