Arsimi i lartë ka nevojë të ndryshojë përmbajtjen

May 2, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

zydi teqjaPROF.ASC.DR. ZYDI TEQJA

Më në fund kemi drejtuesit e rinj të universiteteve, si dhe një ligj të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Është bërë thuajse normë tashmë që sa herë ndryshojnë partitë në pushtet, ndryshojnë edhe ligjet për arsimin. Debatet që zhvillohen për reformat e pretenduara arsimore gjithmonë reflektojnë dy blloqe të ndara qartë; njëri që përpiqet të bindë opinionin publik dhe botën akademike që reforma e propozuar “do ta sjellë arsimin shqiptar në standardet europiane dhe se ligji është guri i themelit të një transformimi tërësor të arsimit të lartë” dhe tjetri, i cili përpiqet të argumentojë se ligji i ri do ta shkatërrojë arsimin shqiptar.

Çështjet kryesore që janë në fokus të diskutimeve gjithmonë janë ato për qeverisjen, organizimin dhe financimin e universiteteve, ndërkohë që shumë pak burime dhe energji orientohen në krijimin e një mjedisi kritik dhe efektiv për të mësuar. Ky proces i vazhdueshëm i ndryshimit të ligjeve të arsimit të lartë gjatë 25 viteve të fundit, në fakt e ka ndryshuar dukshëm strukturën universitare në Shqipëri, por nuk mund të themi që po kështu ka ndryshuar procesi dhe përmbajtja e mësimdhënies dhe e të mësuarit.

Ndikimet e sistemit të kaluar, i cili ishte tejet i ideologjizuar dhe i fokusuar në transmetimin e njohurive dhe në krijimin e një bagazhi sa më të pasur informacioni në trurin e studentëve, janë akoma të qarta. Po të bëjmë një analizë të shpejtë të mjedisit të të mësuarit, mund të konstatojmë lehtë një sërë problemesh, të cilat po i rendis, pavarësisht nga rëndësia që kanë: Ka një mungesë inspirimi të studentëve për t’u ballafaquar me ide dhe informacione, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e njohjes së tyre, si dhe mungesë të një ndikimi të qëndrueshëm të procesit mësimor në mënyrën e të menduarit, të të vepruarit dhe të të ndierit të studentëve.

Objektivat mësimorë nuk përfaqësojnë si duhet mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit që është i nevojshëm në jetë; ka mungesë të një mjedisi të mësuari kritik dhe natyral, një mjedis ku studentët mësojnë duke u ballafaquar me problemet ose detyrat, të cilat i sfidojnë ata në mënyrë që të rishikojnë idetë e tyre, të rivlerësojnë supozimet që kanë dhe që të vlerësojë modelin mendor që ata kanë për realitetin.

Shpesh pedagogët fajësojnë studentët për vështirësitë që ka procesi mësimor; Jo gjithmonë ata reflektojnë besim te studentët; Shpesh studentët nuk besojnë që puna e tyre do të vlerësohet në mënyrë të drejtë dhe të ndershme; studentët nuk ndiejnë që kanë kontroll të sigurt mbi arsimimin e tyre etj. Në këto kushte, për të përmirësuar mjedisin mësimor në universitete është mirë të mësojmë nga eksperienca e vendeve të përparura.

Gjithë gjysma e dytë e shekullit të 20-të është karakterizuar nga diskutime dhe kërkime shkencore mbi metodat e mësimdhënies dhe nevojën e përmirësimit të mjedisit të të mësuarit. Këto diskutime arritën një nivel të lartë shkencor në fund të viteve 1960 dhe fillim të viteve 1970. Kjo në fakt është edhe koha kur shoqëritë perëndimore u ndërgjegjësuan plotësisht që shumë nga problemet mjedisore dhe sociale lidheshin me mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe veprojnë.

Të kësaj periudhe janë punimet e William G. Perry dhe Arnold Arons, të cilat janë ribotuar disa herë dhe sot ato përdoren si referenca të rëndësishme kur është fjala për reformimin e mjedisit mësimor. Një vëmendje e veçantë u kushtohet në literaturën e sotme çështjeve të të menduarit krijues, kritik dhe sistemik dhe krijimit të një mjedisi që i pajis studentët me këto aftësi. Një nga studiuesit e ditëve tona, Ken Bain, në librin e tij “What best college teachers do?” na jep një përmbledhje shumë të dobishme të asaj që bëjnë pedagogët e suksesshëm në universitetet amerikane.

Bain sugjeron që duhet ndryshuar modeli i mësimdhënies si “transmetim njohurish” në një model që mësimdhënien e lidh ngushtësisht me të mësuarin. Sipas tij, mësimdhënia është krijimi i atyre kushteve në të cilat shumica e studentëve, në mos të gjithë, arrijnë potencialin e tyre për të mësuar. Ndërkohë që ankohemi për nivel të dobët të studentëve, do të ishte më mirë që të mendojmë se sa larg është mjedisi jonë mësimor prej krijimit të kushteve që studentët, sado të dobët të jenë, të realizojnë potencialin e tyre për të mësuar dhe se çfarë duhet të bëjmë për të realizuar këto kushte.

Mendoj që këto janë tema të rëndësishme në të cilat duhet orientuar debati akademik në të ardhmen, në mënyrë që të kemi një reformim substancial të arsimit të lartë në Shqipëri, pasi siç thotë Marilyn Ferguson në librin e saj të njohur “The Aquarian conspiracy”, “Ndryshimi vetëm mund të ndihmohet, ai nuk mund të urdhërohet me dekrete apo ligje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura