Arsimi i Lartë, 211 firma pedagogësh kundër ligjit

Jul 8, 2015 | 14:13
SHPËRNDAJE

Janë 211 pedagogë të universiteteve nga të gjitha rrethet e vendit që kanë hedhur firmat në një memorandum, që kërkon që projektligji i arsimit të lartë të mos miratohet në Kuvend. Ky i fundit u dorëzua një ditë më parë në Kuvend nga Forumi, ku iu dha mundësia të shprehnin opinionin dhe propozimet konkrete mbi draftin që parashikon të rregullojë disa aspekte të arsimit të lartë. Përgjatë 2 viteve të diskutimit të këtij projektligji, Forumi për Lirinë Akademike pretendon se ka dhënë mendimet e tij, por që nuk janë reflektuar aspak në draft. “Janë prodhuar 280 faqe kritikë e specializuar nga departamentet, por asnjë prej tyre nuk është marrë për bazë. Është krijuar ideja sikur ne po komunikojmë, por jo. Është qarkulluar i njëjti tekst vazhdimisht i përkeqësuar”, citoi një nga anëtarët e Forumit, Mark Marku.

KËRKESAT

Në emër të Forumit, akademiku Artan Fuga, renditi arsyet përse ky projektligj nuk duhet të miratohet. Në gjithë përbërjen e tij profesori i filozofisë së komunikimit e cilësoi draftin të prapambetur dhe të centralizuar. “Fryma e projektligjit na duket e prapambetur, sepse karakterizohet nga një pozitivizëm i shek XIX. Si është e mundur që intelektualët shqiptarë në vitin 2015 të prodhojnë një tekst që frymëzohet nga një filozofi e dy shekujve më parë? Shteti merr përsipër që të jetë garant i cilësisë së punës shkencore dhe programeve mësimore. Neve na vjen ideja e konceptit hegelian të shtetit, që është instanca më e lartë që ka autoritetin dhe mundësinë për të gjykuar dhe vlerësuar shkencën.” Një tjetër shqetësim madhor për Fugën është kapitulli për vetëqeverisjen e universiteteve, peshë e cila kamuflohet nga agjencitë që krijohen rishtazi. Në vijim të këtij mendimi, Fuga këmbëngul se, me gjithë insistimin për të gjetur një model ku është bazuar, nuk është gjendur, pasi nuk ekziston. “Ka një kakofoni, kërkohet një model, por nuk gjendet. Na duket sikur po ecim në shtigje të parrahura më parë, të cilat në mendimin tonë janë të rrezikshme që nuk i zgjidhin problematikat e mëdha në arsimin shqiptar.” Sipas profesorit, do të jenë këto të fundit që akordojnë fondet, grantet, marrin vendime për shpërndarjen e fondeve, vendosin për cilësinë e një kërkimi shkencor, duke cenuar kështu vetëqeverisjen e universiteteve. Të tjera shqetësime lidhen me përbërjen e bordit të administrimit, kreditë studentore dhe kthimin e këshillit të profesorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura