Arshi Pipa, kritiku mes Camajt dhe Kadaresë

Dec 7, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

dhurata-shehriDHURATA SHEHRI

Në shkrimin e tij të hershëm të botuar në numrin e parë të revistës “Kritika” të themeluar nga ai vetë, në vitin 1944, Pipa ndan dy detyra për kritikën: “Me vlerësue traditën dhe me ndjek hap pas hapi prodhimin e kohës”. Ndalemi te mënyra si e ka “kryer” detyrën e dytë, pra te Pipa si lexues i bashkëkohësisë. Rendi i gjërave na çon pashmangshëm te Pipa si lexues i vetvetes dhe te kanonizimi i letërsisë bashkëkohore gjë që duket një oksimoron i pastër.

Edhe pse në dukje, kritika shqiptare e ka synuar objektiven si vlerë të kritikes, ajo s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka përdorur atë si “mbështetje”, mburojë a mbrojtje. Trendi është aq i fortë dhe i vjetër sa ka prodhuar një model: modelin e kritikës binare, ku për të argumentuar “objektivisht” pëlqimin e një shkrimtari, ai vihej përballë një shkrimtari tjetër me të cilin kishte mundësi krahasimi, mundë- sisht kundërshtie. Kritika shqiptare e realizmit socialist, kryesisht (ose tërësisht) për arsye ideologjike, ka imponuar modelin ose/ose në vend të modelit edhe/ edhe.

Në rend kronologjik, me argumente e qëllime ideologjike kritika ka zgjedhur: ose De Radën ose Skiroin, ose Naimin ose Fishtën, ose Fishtën ose Mjedën, ose Nolin ose Poradecin, ose Koliqin ose Migjenin në një varg dikotomik që ka krijuar dy kanone përjashtuese që nuk mund të funksionojnë veçse përballë njëri-tjetrit derisa një gjë e tillë sanksionohet në kanonin “solid” të realizmit socialist. “Një emër i përshtatshëm për këtë lloj kritike është shijim ideologjik”, e përkufizon Pipa kritikën e realizmit socialist në të cilën “gjykimi estetik është i reduktuar në kompilimin e një kolone me pluse dhe një me minuse që lidhen me faktin nëse vepra përputhet me një set të dhënë rregullash”.

Citimi i mësipërm gjendet në një nga veprat e fundit të botuara nga Pipa, në Letërsinë bashkëkohore shqipe (vepër e papërkthyer ende në shqip), e cila është ndarë po në dy pjesë: Realizmi socialist shqiptar dhe Poezia dhe poetika e Martin Camajt. Dy pjesë, të lidhura me ose/ose, por edhe dy mënyra të të bërit kritikë.

Dy lexime që edhe vizualisht të çojnë te modeli ose/ose. Modeli ose/ose është i fortë në kritikën e letërsisë bashkëkohore te Pipa, paradoksalisht po aq i fortë sa ç’është edhe vrulli për ta kundërshtuar kritikën ideologjike të realizmit socialist. Po të kemi parasysh letërsinë që analizohet, kritikën sociologjike të Pipës një hap e ndan nga kritika ideologjike (apo antiideologjike) e realizmit socialist.

1. REALIZMI SOCIALIST SHQIPTAR

Në pjesën e parë të punimit, zhvillimi i letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri ndjek dy linja: analizën e veprave dhe autorëve kanonikë të kësaj letërsie dhe krahasimin me mendimin e kritikës zyrtare për të njëjtat vepra dhe autorë. Zgjedhjen e vet Pipa e bën në një tension mes dy leximesh: duke kërkuar kryesisht politiken si rezistencë dhe duke e gjetur atë edhe aty ku nuk është dhe duke anashkaluar përmasën e letërsisë së pastër aty ku ajo është e ndjeshme.

Shenjat e këtij modeli ideologjik apo antiideologjik leximi janë të dukshme që në “periodizim”, pasi veprat dhe autorët interpretohen nisur prej rrethanave politike si Revolucioni Kulturor, Pleniumi i 1974-s, vdekja e Hoxhës etj., e sidomos në analizën që autori i bën veprës “Dasma” dhe “Kronikë në gur” të Kadaresë, si dhe veprave të para të autorëve të viteve 1985.

“Dasma është vepra e vetme e Kadaresë që nuk përmendet në Historinë e letërsisë shqiptare të realizmit socialist” dhe me të drejtë: romani është krejt e kundërta e modelit të vlerë- suar në këtë punim: “ajo është manifesti i antirealizmit socialist”, shkruan Pipa. Por, intuita e kritikut nuk e lë që dy paragrafë më pas të mos pohojë se “Dasma” nuk është roman i mirë, “madje nuk është as roman”.

Për veprën më të mirë të Kadaresë, “Kronikë në gur”, Pipa shkruan se “është pikë së pari një roman politik, heretik në frymëzimin e tij” ose se “perversiteti seksual dhe terrorizmi janë rrugët që përdor autori për të hedhur mbi qytetin e lindjes zemërimin e tij të dëshpëruar për gjendjen politike në kohën që ai e shkroi romanin”. Shumë më bindës në provën e krahasimit është John Updike me recensionin e tij për “Kronikë në gur”, në vitin 1988, kur të njëjtin aspekt e analizon: “Qyteti i tij i gurtë paraqitet si një analogji bindëse e fëmijërisë së çdokujt – miqësor deri edhe në misteret e tij, i vyer deri edhe në vuajtjet dhe barbarizmat e rrëfyera”.

Duke u nisur sërish nga parametra politikë, jashtëletrarë, me vdekjen e Enver Hoxhës, Pipaj po ashtu paramendon lindjen e një letërsie të re, më pak të angazhuar pas vitit 1985 dhe e kërkon këtë tek autorë si Petriti, Marku, Zogaj, Ahmeti, Rukaj etj. Por sot, me kritere shijeje i vetmi dallim i tyre me pararendësit Kadare e Agolli ishte talenti më i pakët poetik i pasardhësve.

2. POEZIA DHE POETIKA E MARTIN CAMAJT

“Martin Camaj është në gati çdo aspekt i kundërti i Kadaresë. Ndryshe nga Kadare, një shkrimtar tosk i lindur mysliman, marksist-leninist, urban, Camaj është një shkrimtar geg, katolik, demokratik fshatar. Dhe ndërsa Kadare është një narrator që ka provuar dorën edhe në ‘poema të shkurtra dhe të gjata’, Camaj është një poet lirik i pastër dhe mbetet i tillë edhe kur shkruan prozë, duke shkëlqyer në një gjini, poemën në prozë, ku lirizmi mbërrin shkallën më të lartë”, shkruan Pipa.

Vetëm në fillim Camaj klasifikohet prej Pipës përmes kundërshtisë. Më pas kritika e tij është veçuese dhe përzgjedhëse. Pipa veçon “Dranjen” nga gjithë krijimtaria e Camajt, veçon prozën poetike, por që “askush përpara Camajt nuk ka përdorur atë lloj letrar për të strukturuar një rrëfim autobiografik” (duke harruar politikisht “Pasqyrat e Narcizit”), veçon poetikën e të ndërmjetmes si domosdo: “Mes epizmit të Fishtës që ngre lart heroizmin e malësorëve dhe prozës epike të Migjenit që ankohet për zvetënimin e tyre, Camaj i bie një kordhe të ndërmjetme, e cila nuk është as mburrje, as dhembshuri, por një ndjenjë e thellë, gati-gati fizike identiteti me vendin e vet”.

Arshi Pipa zgjedh etikën si përplotësuese të poetikës së Camajt, duke e marrë Dranjen si personifikim të “së vërtetës poetike”; zgjedh Camajn si poet të thellësisë së mendimit përkundër poetit lirik; zgjedh mundësinë e poetikës së të papërkryerës përkundër pamundësisë së lirikës së përkryer. Pipa dëshmohet subjektiv në zgjedhje, jo në veçim. Në këtë zgjedhje ai është edhe ekzilanti edhe veprimtari politik, edhe kundërshtari i komunizmit, edhe socialisti evropian, edhe shijuesi i Montales përballë Ungaretit.

Ai zgjedh Camajn, prozën poetike, gegnishten folklorike etike dhe antiheroike për ta çuar deri në fund modelin e tij ose/ose, por zgjedhja e tij është edhe ideologjike, edhe politike, edhe sociologjike kur e përshkruan poezinë e Camajt si: “Një poetikë e të pakryerës që përmban një etikë antiheroike dhe formulon një politikë demokratike të gjuhës dhe një politikë demokratike tout court”. Ose kur shkruan se “Camaj i shkroi poezitë e veta më të mira kur modernizmi nuk e kishte prekur atë dhe kur ende mund t’i përgjigjej thirrjes së gjakut me një dëshirë të zjarrtë për emancipim të shtrirë në mënyrë bujare te njerëzit e tjerë përtej vetes”.

3. AUTOPORTRET

Modeli ose/ose është sa ideologjik, aq edhe subjektiv te Pipa kur bëhet fjalë për autoportretin. Në studimin “Letërsia shqipe dhe perspektiva shoqërore” Pipa do ta klasifikojë poezinë e tij te “Poezia e mërgimit”, grupim në të cilin përfshihet Camaj dhe ai vetë. “Poeti i vetëdijshëm për artin e vet, mund të bajë, thomi na, kritikë me dinjitet”, shkruan Pipa shumë vite më parë, siç shkruan edhe se “Objektiviteti asht kushti i parë i çdo kritike. Por kritika letrare – trill i poezis! – ka dhe një kusht tjetër; ajo bahet edhe me simpati.

Si me i pajtue kto dy anë të kundërta? Kjo asht mjeshtria e kritikut t’aftë”. Përligjja e modelit ose/ose, sa ç’është ideologjike, aq është edhe përmbushje e “simpatisë” kur Pipa do të përkufizojë vetveten. Pipa e simpatizon Camajn: të qe për të, ai është poeti. Aq e madhe është simpatia për Camajn, sa Pipës i duhet të zgjedhë midis toskut dhe gegut, midis poetit dhe prozatorit, midis shkrimtarit politik dhe poetit apolitik, midis qytetarit dhe fshatarit të mërguar, midis mërgimtarit dhe shkrimtarit të regjimit.

Me simpati, Pipa do t’i gjejë vendin vetes pranë Camajt brenda grupimit të ngushtë: “Poezia e mërgimit”, por shenjat e tendosjes në këtë pranëvënie do të shfaqen shpejt: “Poezia e Arshi Pipës u shkrua e gjitha në Shqipëri”, shkruan ai (atëherë pse te Poezia e mërgimit?) dhe më pas “Pipa u lind nga një familje qytetare, pati rastin të njohë fshatarë në burg. Paraqitja e tyre nga ana e tij është ajo e një shkrimtari qytetës, i cili ndien SIMPATI për ta”.

Kundërshtuese me të parën del një pjesë tjetër e autoportretit të Pipës, pranëvënia me disa kolegë të tij që në mërgim nuk shkruan më letërsi. Kjo kundërshti rrok Camajn, që letërsi shkroi vetëm në mërgim. Modeli ose/ ose bëhet jo funksional prej sublimimit në autoportretin e Pipës. Simpatia e subjektit kritik Pipa e sublimon njeriun politik për hir të letërsisë së kulluar që nuk e ka shkruar dot vetë. Camaj sublimohet si alteregoja e Pipës me të cilën do të njësohet. Poeti i poetikës së ndërmjetme, poetika e të papërkryerës së mundshme janë modeli subjektiv i poetit që ai nuk u bë dot ndërsa kërkonte në fillime poezinë e kulluar me një gjuhë “qytetare” të kultivuar. Edhe kjo është simpati prej kritiku “të aftë”, subjektivitet në shkallën më të lartë.

* * *

Modeli ose/ose është themelor te Pipa. Ai parashtron dhe zgjedh. Të njëjtën gjë i kërkon edhe lexuesit të kritikës së tij dhe kritikës së realizmit socialist, të bëjë një zgjedhje mes subjektit kritik dhe shërbëtorit politik, mes “artit që e plotë- son moralitetin me atë që i mungon” dhe “moralitetit që nuk e shteron dinjitetin njerë- zor”.

Zgjedhja është e pashmangshme sidomos me këtë paragraf nga “Letërsia shqipe bashkëkohore” ku përshkruan një nga denoncuesit apo “kritikët” e tij: “Një nga studentët e mi në Durrës, Koço Bihiku, më rrinte para mbrapa ca kohë, duke më bërë pyetje të tilla si: ‘A lexoni letërsi sovjetike?’ dhe ‘A e pëlqeni Majakovskin?’.

Mua nuk më pëlqen në mënyrë të veçantë Majakovski (i përgjigjesha). ‘Po Stalini ka thënë se ai është poeti më i madh sovjetik’ – përgjigjet studenti. ‘Ai mund të jetë’ – kundërshtoj unë – ‘por jo sepse këtë e thotë Stalini. Stalini nuk është kritik letrar’.” Modeli ose/ose edhe këtu është thelbësor, modeli edhe/ edhe i pamundur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura