Arsenal municionesh në bodrum, çfarë tha zjarrfikësi i Pukës në polici

Nov 19, 2017 | 21:50
SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI/ Arsenal municionesh në bodrumin e shtëpisë, arrestohet punonjësi i zjarrfikëses në Pukë. Marjan Gjekaj, 48 vjeç, ra në prangat e efektivëve të policisë, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij, u zbuluan mbi 1 mijë fishekë automatiku dhe pistolete.

armet

Aksioni i Policisë u krye pasi kishte siguruar informacione në rrugë operative se ai mbante të fshehur në banesë arsenalin. Pas sinjalizimeve të marra, blutë organizuan një kontroll në banesën e të dyshuarit dhe arrestuan në flagrancë punonjësin e zjarrfikëses.

Nga kontrolli rezultoi se në bodrumin e shtëpisë së 48-vjeçarit Gjekaj fshiheshin 686 copë fishekë automatiku, 374 copë fishekë pistolete “TT”, 4 copë krehra automatiku dhe një palë pranga si të policisë. Mbi Marjan Gjekajn rëndon akuza për veprën penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjekaj, i pyetur në lidhje me sasinë e municionit të gjetur në bodrumin e shtëpisë së tij, ka deklaruar se i kishte harruar se ndodheshin aty.

Sipas burimeve në Policinë e Pukës, 48-vjeçari është shprehur se municionet gjendeshin aty që nga viti 1997, në kohën e trazirave në Shqipëri, dhe kanë mbetur aty nga pakujdesia. Megjithatë, ai ka mohuar të ketë pasur qëllime për t’i shitur apo përdorur ato.

Nga ana tjetër, efektivi i repartit të zjarrfikëses së Pukës është shprehur se nuk ka asnjë konflikt me askënd apo problem, ndaj dhe nuk kishte ndonjë arsye që të mbante armatim në shtëpi. I akuzuari ka thënë përpara policisë se ka një jetë të qetë dhe se është munduar të bëjë detyrën e tij si zjarrfikës dhe se municionet kanë mbetur aty prej 20 vitesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura