Arroganca që fsheh agresionin

Feb 16, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

hafiziMIMOZA HAFIZI

Kushdo që pa e dëgjoi Kryeministrin në ballë të Senatit të tkurrur të Universitetit të Tiranës, nuk u çudit aspak nga vargu i deklaratave muskuloze. Arroganca e tij djallëzore nuk iu faneps ashtu, papritur, as publikut, e as studentëve e pedagogëve të tempullit tonë gjysmë të rrënuar të dijes. Gjithkush e njeh sjelljen e tij! Por kjo arrogancë feksi plot shkëlqim në sfondin e një senati të përçarë të një universiteti që prej dekadash vuan agresionin e hapur e të fshehur të kryeministrave, qeverive e partive të Republikës sonë.

Ku z. Rama ka marrë revansh që në fillimet e qeverisë së parë. Me Ligjin e Arsimit të Lartë, me buxhetin mjeran për arsimin publik, me procedurat dërmuese të pranimit në universitete, me tarifat e shkollimit e deri me metodat, përça e shkatërro! Revansh aq i qartë, sa vetëm arroganca mund t’i jepte Kryeministrit lëkurën e qengjit për ta thirrur veten në atë tragjikomedi: Ja qengji i Zotit që po e pastron universitetin nga mëkatet dhe po i turpëron të paudhët!

Tollovia me kokat e prera dhe kënga e kavallit ishin vetëm zhurma shurdhuese për t’i fshehur pedagogëve e studentëve të Universitetit të Tiranës fajtorin e rrënimit të universitetit publik: që është vetë Kryeministri Rama bashkë me paraardhësit e vet. A nuk ishte kjo politikë e gjithë këtyre viteve, që i ngurtësoi kastat universitare? Që i degradoi dhe atrofizoi mekanizmat e zgjedhjeve universitare? Prej dekadash, universiteti qeveriset nga të njëjtët njerëz, të cilët e trajtojnë trupën akademike si përqindje e thjeshtë zgjedhore. Të kam dhënë 90% të njerëzve e ti m’i ke borxh,-i thanë dekanët njëri-tjetrit!

Është kjo politikë, që i la kësisoj shesh klientelizmit e krijoi përçmim ndaj demokracisë zgjedhore universitare. Pedagogët e kërkuesit e ndershëm janë mbyllur në katedra e laboratorë e s’duan më t’ia dinë se ç’ndodh me qeverisjen në universitet. A nuk ishte po kjo politikë, që e la korrupsionin të gëlonte mu në zemrën e dijes? Që nuk i dha asnjë shtysë e asnjë shpresë menaxhimit të ndershëm universitar? Sa afera janë denoncuar në universitete dhe qeveria ka heshtur?

Ndonëse ka qenë e detyruar nga ligji dhe i ka pasur të gjithë mekanizmat e kontrollit e të ndëshkimit. A nuk është edhe kjo qeveri fajtore që Senati i Universitetit të Tiranës punon nën stresin e përçarjes dhe se asgjë nuk ecën me Bordin e Administrimit ? Po ç’punë ka qeveria-i bie prej kohësh kavallit Kryeministri. Duke fshehur se ka në bord thuajse gjysmën e njerëzve që vetë i emëron e vetë i komandon. Por i komandon për t’i fryrë sherrit që Universiteti i Tiranës të mos ketë rehat. Se qeverisë me klientë privatë i duhet një universitet publik i lodhur, i rënë në bisht të kavallit.

Për t’ia bjerrë forcën në tregun e konkurrencës apo për ta privatizuar. Në Ligjin e Arsimit të Lartë ka disa nene, kushdo i di, që mund ta çojnë Universitetin e Tiranës drejt shitjes, në formën e koduar IALPP. Të ngritur në apogje nga qeveria dhe klientët e saj. Pas një beteje të gjatë publike me këtë ligj, shumëkush e di se sa i lakmuar është gjigandi Universiteti i Tiranës, me copën më të madhe në numrin e studentëve që pranohen çdo vit. Përça e shkatërro është moto e njohur, e përdorur me mjeshtëri nga z. Rama me Senatin dhe Bordin e Universitetit të Tiranës.

Pa to, nuk do të flitej për brava, por për tarifat në rritje të studentëve e për financimin e munguar. Tarifat i përcaktoni ju,-i thotë Kryeministri universitetit. Po nuk e thotë se pa këto tarifa e pa lekët e studentëve, pedagogët do merrnin vetëm 9 muaj rrogë. Tarifat e studentëve mund të ulen vetëm nëse fondi i shtetit për arsimin do të rritet. Jemi vendi me nivelin absolutisht më të ulët të financimit të arsimit. Po jemi dhe vendi ku shpresa e vetme për të dalë nga varfëria është arsimi.

Pa moton “përça e shkatërro’, në Senat nuk do të flitej për brava, po për cilësinë e diplomave të mësuesve që po shkon në zgrip. Çfarë mësuesish po i japim edukimit të së ardhmes? Sa herë janë kërkuar trajtime speciale për këto drejtime strategjike të diplomimit. Askush nuk trazohet. As ministrja e Arsimit e as Kryeministri, për sa kohë në Senat mund të flitet vetëm për brava të mbyllura e çelësa të fshehur. E nuk do flitet as për fondet e shkencës, as për laboratorët e as për bursat e studentëve.

Me pak vullnet të mirë, Kryeministri e Ministria e Arsimit mund t’i zgjidhin problemet e brendshme të Universitetit, sepse ligji ia jep të gjitha mekanizmat. Por duan shesh për ta bërë përshesh. Është paaftësi,- thonë shumë. Bashkohem me ta. Prej vitesh Ministria e Arsimit nuk i jep rrugë akteve të duhura që shkollat të funksionojnë. Dihet e njihet mungesa proverbiale e kapaciteteve në këtë institucion, i cili ka edhe guximin të mbrohet me aktet e qeverive të shkuara. Por më tepër, kjo sjellje është ligësi ndaj arsimit publik, është thjesht një agresion edhe ndaj Universitetit të Tiranës, që arroganca ekselente e pushtetit nuk e mbulon dot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura