Arroganca përkundrejt përgjegjësisë në qeverisje

Jan 26, 2021 | 9:35
SHPËRNDAJE

ENRIKETA PAPAENRIKETA PAPA

20 janari shënoi një moment tepër të veçantë në historinë e SHBA-ve, por dhe atë globale, me inaugurimin e Joe R. Biden si Presidenti i 46-të i SHBA. Në fjalën e tij inauguruese, Presidenti Biden theksoi domosdoshmërinë që kanë SHBA-të për unitet në këto momente historike për vendin.

Po në ditën e parë të hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden nënshkroi disa urdhra ekzekutivë që shënuan periudhën e re të qasjes politike dhe ndërkombëtare të administratës së tij. Ndër to ishte edhe nënshkrimi i Urdhrit Ekzekutiv mbi Etikën për administratën ekzekutive amerikane (On Ethics Commitments by Executive Branch Personnel), urdhër ekzekutiv, i cili përfshin edhe një Kod Etik (Ethic Pledge) për nëpunësit e ekzekutivit të SHBA.

Në daljen e tij para mediave për të prezantuar 1000 nëpunësit e parë, të cilët në një ceremoni virtuale u betuan për të respektuar këtë Kod, Presidenti Biden u shpreh qartë se ai “nuk do të toleronte asnjë nëpunës që do të punonte me të, të tregonte mungesë respekti ndaj dikujt apo kolegëve.

Në rast të kundërt do ta pushonte atë në vend nga puna!” (“… I will fire you on the spot. No ifs, ands or buts”. Për më tepër, urdhri ndalon administratën e re të mos marrë asnjë dhurate lobuese (Lobbyist Gift Ban), nga agjentë të jashtëm dhe të huaj.

Kjo deklaratë e parë e tij mbi administratën amerikane mund të krahasohet në Shqipëri me Kodin e Etikës Ministrore, të miratuar nga Qeveria e Kryeministrit Edi Rama, që në mbledhjen e parë të kabinetit në 15 shtator 2013, gjatë mandatit të parë të tij në krye të ekzekutivit të Shqipërisë.

Në këtë Kod Etik Ministror synohej “rivendosja e besimit te sistemi ynë politik, nëpërmjet rikthimit të besimit publik në integritetin e qeverisë… Kodi Etik, është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e çështjeve qeveritare”.

Thënë kjo, si duket situata sot pas 8 viteve qeverisje? A respektohet kodi i etikës ministrore te ne, ku dhe aty ndalohet marrja e dhuratave? A ka arrogancë në qeverisje?

Mosrespekti ndaj kritizerëve, kundërshtarëve dhe mungesa e etikës në këto 8 vjet qeverisje si nga ministra të veçantë, por në veçanti nga Kryeministri Rama, është gjithnjë e më intensive. Raste të arrogancës, mosrespektit dhe shkeljes së çdo kodi etike ministrore dhe njerëzore janë edhe përqeshjet, ulërimat, fyerjet që qytetarët shohin dhe dëgjojnë në kronikat televizive apo talk-shows politikë të përnatshëm, ku Kryeministri merr pjesë.

Pothuajse në çdo emision politik të mbrëmjes, përqeshja dhe arroganca ndaj gazetarëve, komentatorëve dhe analistëve politikë, të cilët nuk i shkojnë pas isos, është pjesë e skenarit devijues dhe injorues të përgjigjeve të domosdoshme që kreu i ekzekutivit duhet të japë.

Nervozizmi dhe arroganca kryeministrore janë shenjë e një autoritarizmi tipik për liderët dhe sistemet autoritare, ku lideri dhe detashmenti politik ndihen superiorë dhe të pakapshëm ndaj çdo barre përgjegjësie etike-morale në trajtimin e qytetarëve të vet dhe në qeverisje.

“Darka te Nusr’et” ka shkelur me këmbë vetë Kodin e Etikës, që kjo qeverisje e propagandoi me aq bujë në mbledhjen e parë dhe ku prej 2013 Shqipëria do të rilindte me parimin “do të bëjmë shtet!”.

Neni 29 i Kodit të Etikes ministrore e vitit 2013, në pikën 1 të tij ndalon “… që një anëtar i Këshillit të Ministrave të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen, për shkak të pozicionit të tij, nga një person, fizik ose juridik, privat”. Por “mishi dhe vera te Nusr’et” e fshinë këtë pikë dhe Kryeministri u përtyp duke na deklaruar se darka ishte mikpritja e investitorit arab, ku asnjë “kokërr leku” të shqiptarëve nuk u pagua në të.

Prej 2013 kur u hartua me bujë Kodi i Etikës Ministrore deri më 2020 nga ndalimi i fyerjeve, refuzimit të dhuratave dhe sjelljes etike qeveritare, rezultuan në bërjen e shtetit të liderit autoritar dhe arrogant. Njëshi që me ligjëratat dhe mimikën e tij i kthen qytetarët në turma apolitike, që duan gjoja një njeri hokatar dhe arrogant, t’u ngopë varfërinë e tyre me batuta dhe arrogancë, fasada, pas së cilave fshihet papërgjegjshmëria, makutëria dhe zaptimi i çdo pushteti.

Lideri suprem, i cili imitohet në mimikë, shprehi dhe gjestikë nga idhujtarët e tij, ministra e deputetë, është dëshmi e autoritarizmit politik gjithnjë e në rritje në Shqipëri. Arroganca dhe papërgjegjshmëria përkundrejt zgjidhjes së kolapsit ekonomik, papunësisë masive, emigrimit të qytetarëve, korrupsionit, censurimit të medias, dështimit në integrimin europian, tregojnë kapjen e shtetit dhe mbjelljen e një kulture politike autoritare, ku partia-shtet shkel çdo parim etik dhe kap çdo pushtet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura