Arroganca e Ramës arrin deri në tallje ndaj Kreut të Shtetit, njeriu që kuron në detaj çdo foto që poston

Mar 18, 2023 | 8:07
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Kryeministri Edi Rama i propozoi dje Presidentit emrin e ri për kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror.

rama-begaj

Rama bën me dije se ka propozuar Vlora Hysenin për të marrë drejtimin e SHISH. Sipas tij, Hyseni gëzon respekt në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës dhe përbën garanci për reformimin e mëtejshëm të këtij shërbimi.

“I paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e znj. Vlora Hyseni drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që znj. Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të Shërbimit Inteligjent Shqiptar”, shprehet z. Rama.

Por, gjatë takimit të djeshëm në Presidencë, Rama i mësuar që t’i kurojë deri në detajet më të hollësishme fotot e tij para se t’i hedhë në “Facebook”, u tregua krejtësisht i “shkujdesshëm” teksa postoi foton me Presidentin Bajram Begaj.

Madje, Kryeministri shkaktoi një skandal protokollar në raport me kreun e Shtetit mesditën e djeshme.

Në përfundim të takimin në Presidencë ku i propozoi Presidentit emrin e kreut të ri të SHISH, Rama publikoi një foto ku Bajram Begaj ishte në pozicion gjysmë të ulur dhe që në pamje të parë krijonte një përshtypje jo të mirë në marrëdhënien mes Kryeministrit dhe kreut të shtetit.

begaj ne kembe rama

Pas këtij momenti, për t’i paraprirë komenteve negative, stafi i kreut të qeverisë e ndryshoi me urgjencë foton, duke vendosur një tjetër ku Rama e Begaj ishin duke biseduar.

Në arkivin e fotografive janë të shumta fotot kur Kryeministri mban një pozicion shpërfillës ndaj Presidentit, që nga dita kur u takuan për herë të parë në zyrën e tij kur i ofron postin e kreut të shtetit deri ditën e djeshme kur në shkallët e Presidencës, teksa Begaj kishte dalë për ta përcjellë dhe e shihte në sy, vështrimi i Ramës ishte në drejtim të korpusit universitar.

Fotoja u fokusua gjatë takimit që Rama zhvilloi në Presidenti për propozimin e Vjosa Hysenit në krye të SHISH. Aktualisht, SHISH drejtohet nga nëndrejtori Oljan Kanushi pas dorëheqjes së Helidon Bendos. Edi Rama propozoi Vlora Hysenin, e cila më parë ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës. Më herët, Hyseni është shkarkuar nga ky post nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti për arsye që nuk bëhen të ditura publikisht.

Vlora Hyseni ka mbajtur postin e zëvendësdrejtoreshës së AKI-së, por edhe drejtimin e saj për një periudhë të shkurtër për shkak të largimit të kryetarit të mëparshëm. Hyseni ka qenë në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura