Arrihet akordi, vjen Bakaj te Tirana. Firmos edhe serbi Karan

Aug 28, 2015 | 11:08
SHPËRNDAJE

Elis Bakaj rikthehet te Tirana. Akordi është arritur dje në mbrëmje. Ka qenë vetë klubi që e ka bërë zyrtare, madje e ka cilësuar këtë përforcim si një dhuratë për tifozët.

Elis Bakaj

Pak orë pasi ka mbërritur në kryeqytet, mesfushori është takuar me presidentin Refik Halili. Nuk ka vonuar shumë dhe marrëveshja është arritur. Në fakt, bisedimet kishin nisur fill pasi lojtari mori vendimin e befasishëm për t’u larguar Izraeli.

Aventura 1-mujore me Hapoel Rananan mori zyrtarisht fund dhe tashmë mesfushori do të vishet sërish bardheblu, pra do ta nisë aty ku e la. Arsyet e “divorcit” të parakohshëm janë mister më vete, megjithatë për Tiranën rëndësi ka që lojtari t’i bashkohet kontingjentit, duke plotësuar kështu edhe kërkesën e trajnerit për një blerje në ofensivë.

Afrimi i tij mund të cilësohet pa dyshim si një goditje në këtë merkato.

Serbi – Dejan Karan është zyrtarisht bardheblu. Qendërmbrojtësi dje ka firmosur kontratën sezonale me Tiranën, por me opsion rinovimi për një tjetër sezon. Serbi që dallohet për shtatlartësinë (1.90 metra i gjatë) blindon kështu mbrojtjen e kryeqytetasve, e sidomos pas firove të shumta që ka pasur nga grupi gjatë verës në këtë repart.

Pasi ka kryer vizita mjekësore, lojtari nënshkroi edhe marrëveshjen dhe pritet që tashmë të kryhen edhe procedurat e fundit për federimin e tij. Trajneri Shkëlqim Muça gjen më në fund qendrën që kishte kërkuar prej ditësh për mbrojtjen dhe gjasat janë që ai të jetë gati duke filluar nga transferta e nesërme.

Ndoshta jo si titullar direkt, por si alternativë për stolin, duke qenë se nuk ka shumë që po stërvitet me grupin. Merkato – Te Tirana prisnin vetëm dy blerje të fundit për të mbyllur zyrtarisht merkaton.

Pas Karan dhe Bakajt, tregu në hyrje për bardheblutë mund të quhet i mbyllur. Megjithatë, nuk përjashtohet ndonjë surprizë deri më 31 gusht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura