Arrestohet në Kosovë avokati Idajet Beqiri

May 26, 2012 | 14:06
SHPËRNDAJE
Idajet Beqiri

TIRANE – Idajet Beqiri, kryetar i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë, është vënë në pranga mëngjesin e së enjtes sapo ka kaluar kufirin dhe ka hyrë në territorin e Kosovës. Mediat kosovare informonin mbrëmjen e djeshme për prangosjen e kryetarit të Partisë së Unitetit Kombëtar, avokat Idajet Beqiri, duke arsyetuar se arrestimi i tij është kryer në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar për nxitje të urrejtjes etnike. Sipas mediave të Kosovës, që u referohen burimeve nga policia vendase, Beqiri, i cili para disa vitesh ishte sekretar politik i Armatës Kombëtare Shqiptare, është dënuar nga Drejtësia belge me katër vjet heqje lirie për organizim sulmesh të dhunshme. Ndërsa fletë-arresti ndërkombëtar i kohëve të fundit vjen nën dyshimet, gjithnjë nga Belgjika, se Beqiri ka konsumuar veprën penale të “nxitjes së urrejtjes etnike”. Mësohet se avokati Idajet Beqiri po hynte të enjten, në orën 10:30 në Kosovë përmes vendkalimit kufitar të Vermicës kur pas kontrolleve rutinë rezultoi person në kërkim dhe u arrestua. Kryetari i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë, Idajet Beqiri, ishte dënuar në qershor të vitit 2010 nga Gjykata Penale për organizimin e sulmeve në Maqedoni dhe Kosovë. Sipas Gjykatës, Beqiri u dënua me katër vjet heqje lirie në mungesë, pasi akuzohet se në periudhën nga mesi i vitit 1997 deri në vitin 2003, kur jetoi si refugjat politik, ishte organizator në disa sulme të dhunshme. Idajet Beqiri, 61 vjeç, është një avokat i njohur në Shqipëri dhe mban postin e kryetarit të Forumit të Avokatëve të Shqipërisë. Ndërsa ka ushtruar profesionin e avokatit në Fier, Krujë, Tiranë dhe Tropojë. Mediat kosovare shkruajnë se Beqiri mbahet mend sidomos për faktin se për shumë vite ishte kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar që nga themelimi i saj në vitin 1991. Më 25 shtator 2003, Idajet Beqiri u shpall në kërkim nga Prokuroria Shqiptare, me akuzën e “nxitjes së urrejtjes etnike”, një akuzë që rëndoi dhe mbi Gafurr Adilin dhe Taip Mustafën. Ndërsa Mustafa dhe Adili u gjykuan nga Gjykata e Tiranës dhe më pas fituan lirinë, për Idajet Beqirin u kërkua ndarja e çështjes, pasi nuk ishte i pranishëm, madje nuk përfaqësohej as nga avokat mbrojtës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura