Arrestohen taksistët e 100 azilantëve

Jul 3, 2015 | 13:36
SHPËRNDAJE

Çuan në mënyrë të paligjshme mbi 100 persona në Gjermani, me qëllim përfitimin e azilit, arrestohen dy të rinj nga Fushë-Kruja. Për herë të parë që nga nisja e eksodit drejt shtetit gjerman, për të kërkuar azil ekonomik, Policia e Durrësit ka njoftuar se ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Azili”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit Besnik Gjoka dhe i 25-vjeçarit Shaban Gjoka. Këta shtetas, sipas Policisë, në bashkëpunim me njëritjetrin, kanë dërguar rreth 100 persona në Gjermani, me qëllim për të përfituar azil, duke i ndihmuar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin. Burime nga Policia lokale bëjnë me dije se dy të rinjtë Gjoka kanë qenë në hetim për rreth 3 muaj, nga ku është zbuluar se ata kanë çuar me makinat e tyre rreth 100 persona në Gjermani, duke bërë itinerarin Kosovë- Serbi-Hungari-Austri-Gjermani kundrejt pagesave që varionin nga 500 deri në 1500 euro për person. Sipas hetimeve, ka rezultuar se pjesa më e madhe e personave të larguar me qëllim përfitimin e azilit kanë pasur probleme me vendet në zonën “Shengen”.

Gjykata e Krujës kishte vendosur në mungesë masën e sigurisë së “arrestit me burg” për veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim. Sektori për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës kishte informacione të detajuara për aktivitetin e paligjshëm të dy të rinjve nga Fushë-Kruja dhe ka nisur menjëherë survejimin e tyre. Pas rreth 3-muajsh hetimesh intensive, ky sektor arriti të dokumentoj me prova të pakundërshtueshme aktivitetin e 25 dhe 27-vjeçarit. “Pas një hetimi 3-mujor, Seksioni për Trafikun e Paligjshëm, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Krujë, kanë dokumentuar se Shaban Gjoka, 25 vjeç dhe Besnik Gjoka, 27 vjeç, nga Fushë-Kruja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dërguar rreth 100 shtetas në Gjermani, me qëllim për të përfituar azil duke i ndihmuar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin. Pjesa më e madhe e personave të larguar kanë pasur probleme me vendet në zonën “Shengen”. Të arrestuarit, me anë të mjeteve të tyre i transportonin njerëzit në itinerarin Kosovë-Serbi-Hungari- Austri-Gjermani kundrejt pagesave që varionin nga 500 deri ne 1500 euro për person”, sqaroi Policia e Durrësit me anë të një komunikate për shtyp.

Leonidha Musaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura