Arrestimi në të gdhirë i autorit të masakrës/ Si iu bind negociatorëve të RENEA-s, pas thirrjes ‘ndal’…

Aug 12, 2018 | 20:50
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Arratia e autorit të masakrës me 8 viktima në Selenicë ka marrë fund në të gdhirë të ditës së djeshme. Ai është arrestuar nga forcat speciale RENEA, i fshehur në disa kallamishte, disa qindra metra larg shtëpisë së tij.

Mbi 500 punonjës Policie, FNSH, DELTA, RENEA dhe efektivë të Policisë së Vlorës, morën pjesë në operacionin për arrestimin e tij, që drejtohej nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Prej mbrëmjes së të premtes, ata ishin në terren për të vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 8-fishtë në Resulaj të Selenicës, 24-vjeçarin Ritvan Zykaj.

Autori gjate arrestimit nga policia
Autori gjate arrestimit nga policia

Policia ka përdorur qentë gjurmues për të rënë në gjurmët e autorit, që pas krimit u arratis së bashku me armën. Ndërkohë, janë përdorur nga RENEA edhe dylbi nate e dite. Janë caktuar dy perimetra sigurie, vija e parë, ajo që rrethoi fshatin dhe e dyta, që ishte më e ngushtë në bazë të gjurmëve që ndoqi qeni gjurmues. Dje, rreth orës 05:00 të mëngjesit, efektivë të Forcave Speciale, veshur me uniformë ngjyrë toke për t’u kamufluar, ranë në gjurmët e autorit fshehur në kallamishte, pasi e panë me dylbi. Pasi e rrethuan, negociatorët e RENEA- s hynë në bisedime në mënyrë që ai të dorëzohej.

Thirrjes “Ndal Policia! Dorëzohu, hidhe armën!”, autori i është përgjigjur pa rezistencë.

DESHMIA

Në momentin e arrestimit, 24-vjeçari nuk ka thënë asnjë fjalë, por vetëm ka kërkuar të pijë ujë.

Ai është shfaqur i qetë dhe i është dorëzuar pa asnjë rezistencë Policisë E më pas ka dhënë dëshminë e parë në Polici.

“Kam qenë i pirë dhe nuk mbaj mend se çfarë kam bërë”, ka thënë autori, teksa merrej në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Por ai nuk ka mohuar konfliktin e vazhdueshëm që ka pasur me kushërinjtë.

“Ata më akuzonin mua për vjedhje”, mësohet të ketë thënë ai. Ndërkohë që sipas Policisë, bëhej fjalë për disa pula deti që ishin vjedhur dhe për të cilat kushërinjtë kishin akuzuar 24-vjeçarin. Sa u përket komenteve në rrjetin social në profilin e tij të “Facebook”, që publikoheshin vazhdimisht gjatë kohës që ai ishte në arrati, Zykaj ka mohuar që ta ketë përdorur ai.

“Nuk e di kush i ka shkruar. Unë nuk kam përdorur ‘Facebook’”, është shprehur autori i krimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura