Historia e trishtë e arrestimit të një gruaje që kishte vetëm pak ditë që kishte lindur djalin e saj të parë me martesën e dytë ka bërë bujë në vend.
Pavarësisht fakteve të rënda dhe tronditëse të ndarjes së një foshnjeje të porsalindur nga nëna e tij, pasi këtë të fundit e çojnë në burg, nuk ka reaguar asnjë institucion përgjegjës në vend. Të dhënat për gjithçka kishte ndodhur i bëri me dije bashkëshorti i saj, i cili iu tregoi mediave lokale hallin që i kishte rënë. Ditën e djeshme kanë qenë mbrojtësit e saj, të cilët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të nënës, ndërkohë që janë ofruar edhe qytetarë për të plotësuar gjobën, me të cilën e ka dënuar gjykata e Tiranës në një vendim, për të cilën ajo nuk ka qenë në dijeni.
PARAQITJA E KËRKESËS SË AVOKATËVE
Dy avokatët, Anton Kosteri dhe Edit Gyrcari, kanë kërkuar që Diana Kolaveri Hoshi, nëna lehonë, të lirohet nga qelia dhe të kryejë dënimin pasi fëmija i saj të mbushë 1 vjeç. Ata thonë se mbajtja e një gruaje lehonë, e cila ka vetëm 10 ditë që ka sjellë në jetë fëmijën, është e dëmshme si për beben, por edhe vetë shëndetin e saj.
“Nga ana tjetër, duke marrë parasysh rrethanat krejtësisht të paprecedente në historinë e drejtësisë penale, ku një nënë lehonë burgoset vetëm 10 ditë pasi ka sjellë në jetë një fëmijë (për një vepër penale shumë të lehtë dhe që gjykimi i së cilës është zhvilluar në mungesë, pa dijeninë e saj), përmes kërkesës objekt që kemi dorëzuar në Gjykatë, ne kërkojmë që ndaj saj të merren disa masa pezulluese provizore për të ndaluar vijimin e ekzekutimit të tij, duke e shtyrë deri sa fëmija i mitur i sjellë në jetë të bëhet 1 vjeç. Nga ana tjetër, nuk është e nevojshme të sqarojmë se burgosja e një gruaje lehonë (disaditëshe) dhe që duhet të ishte në regjim shtrati në shtëpi dhe të ushqente me gji të sapolindurin e saj, rrezikon që të shkaktojë dëme të pariparueshme shëndetësore deri edhe rrezikimin e jetës së vetë kërkueses”, thuhet në dokument.
Ata këmbëngulin që gruaja nuk kishte dijeni për dënimin. “Kërkuesja Diana Bahçja (Hoshi) nuk ka pasur dijeni dhe nuk është njoftuar as për vendimin penal të themelit (dënimit) Nr. 1054, datë 18.06.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me të cilin është dënuar me gjobë dhe aq më pak për vendimin penal të konvertimit të gjobës në burgim me Nr. 113 A, datë 13.06.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftim.
Avokatët thonë se çështja është emergjente, prandaj theksojnë se pezullimi duhet të ndodhë sapo kjo kërkesë të mbërrijë në tavolinën e gjyqtarit të shortuar. Nga ana tjetër, është mësuar se disa qytetarë janë shprehur të gatshëm që të paguajnë gjobën prej 250 mijë lekësh që është dënuar gruaja.
Diana Kolaveri Hoshi është dënuar për braktisjen e fëmijës nga martesa e parë, por bashkëshorti i saj, Naim Bahçja, pretendon se është detyruar të largohet pasi ishbashkëshorti e dhunonte dhe nuk e lejonte të takonte vajzën. Pavarësisht pretendimeve të tij, faktet tregojnë se Diana Kolaveri Hoshi, me origjinë nga Mati, është dënuar nga Gjykata e Tiranës në qershor të vitit 2022, ndërsa vendimi është ekzekutuar nga Policia më 7 mars të këtij viti. Në procesverbalin e oficerit gjyqësor që e ka firmosur dhe e dënuara thuhet se “gjyqtarja Ardiana Bera, me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi, ka vendosur zëvendësimin e dënimit nga gjobë 250 mijë lekë në 1 muaj e 20 ditë burgim për akuzën “Braktisja e fëmijës”, parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal.
REAGIMI
Rithemelimi ka reaguar lidhur me arrestimin e një nëne lehonë në Shkodër për gjobën prej 250 mijë lekësh që nuk e kishte paguar.
Në reagimin e bërë kërkohet lirimi i menjëhershëm i Diana Kolaveri Hoshit, duke konsideruar arrestimin e saj si një sjellje barbare ku shteti kërkon të shfaqë forcën me të dobëtit.
Policia e Shkodrës ka thyer një rekord këto ditë. Uniformat blu kanë shkuar me furgon, armë dhe pranga në fshatin Drisht të Postribës dhe ka bërë një arrestim, si në kohërat më të egra të diktaturës. Ato shoqëruan në qelitë e burgut Diana Bahçen, një grua të re, vetëm 7 ditë pasi kishte sjellë në jetë një fëmijë.
Gruaja-lehonë është arrestuar dhe burgosur pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, që e dënonte me 250 mijë lekë, shumë të cilën ia ka konvertuar në heqje lirie prej 1 muaji e 20 ditësh. Nuk kërkohet logjikë dhe as njohuri në mjekësi për të kuptuar padrejtësinë e dyfishtë të Gjykatës dhe Policisë ndaj nënës dhe foshnjës. Shkenca e mjekësisë na provon përhapjen e atyre që njihen si “trauma e passlindjes” dhe rasti i nënës së re nga Drishti klasifikohet si traumë e dyfishtë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al