Arrestimi i Henri Çilit/ Flasin kolegët, Vangjeli: Ai është djalë i jashtëzakonshëm. Çani: S’ishte nevoja ta kapnin në befasi, ai…

| 13:48
SHPËRNDAJE

Arrestimi i Henri Cilit, Cani-VangjeliAnalistët e njohur, kolegët gazetarët, kanë reaguar pas arrestimit të botuesit, Henri Çili.

Pas Alfred Lelës, Enkel Demit dhe Preç Zogajt, në studio të ndryshme televizive kanë reaguar edhe Arjan Çani, Lorenc Vangjeli e Karlo Bolino.

Lorenc Vangjeli e ka quajtur Çilin si djalë të jashtëzakonshëm dhe se duket që ka rënë në fatkeqësi. Ndërkohë që, Arjan Çani është shprehur se Henri Çili do shkonte vetë në polici, mjafton ta telefononin.

Sipas tij në përgjime ka dalë e gjithë dynjaja, ndërkohë që për analistin nuk ishte nevoja ta kapnin në befasi.

Reagimet

Arjan Çani: Gjithë dynjaja flet sot për Henri Çilin. Duhet thënë që Henri Çili është nga ata njerëz po ta merrnin në telefon dhe t’i thoshin ‘hajde se je i arrestuar’ ai do shkonte, nuk kish nevojë ta kapnin në befasi. Ka dalë gjithë dynjaja në përgjime.

Lorenc Vangjeli: Bëhet fjalë për një djalë të jashtëzakonshëm, botues, analist, duket se ka rënë në fatkeqësi.

Karlo Bolino: Po nga informacionet e para, nëse akuzat janë të vërtetuara, është një akuzë shumë e rëndë, është një pozicion shumë i rëndë i zotit Çili. Nëse nuk vërtetohet si akuzë është akoma më e rëndë se kjo tregon që policia ka vepruar shumë lehtë.
Ajo që është faktuar sipas policisë dhe prokurorisë është që ai mund të ketë marrë dy apartamente si shpërblim, tokë në Gjirokastër dhe 700 mijë euro që këta ia kanë premtuar nëse do të arrinte të zbuste dënimin.

Eni Vasili: “Henri eshte një koleg dhe bashkepuntor i cmuar dhe jam e prirur te besoj që ai vetë ndodhet në mes të njē keqkuptimi të madh. Sigurisht akuzat janë të rēnda por me aq sa e njoh Henrin e kam të pamundur të besoj që ai është përfshirë në të tilla cështje dhe kam bindjen që ai nuk ka asnjë lidhje me to. Jam e prirur ti besoj deklaratës që ai vetë ka bërë se nuk ka asnjë lidhje me akuzat. Ajo që më bën pershtypje është që arrestimi i tij po marketohet si fryt i reformës në drejtësi. Kjo me duket qesharake dhe e nxituar. Nëse reforma është bërë për të arrestuar analistët mendoj se jemi larg asaj që të gjithe kemi shpresuar nga ky investim i madh. Henri Cili nuk është nje njeri me rrezikshmeri shoqërore, por nje njeri i fjales dhe akademizmit , ndaj mendoj që mund të hetohet edhe ne gjëndje të lire”.

Armand Shkullaku:  Pavarësisht se për çfarë akuzohet Henri Çili, do të jetë gjykata ajo që do të vërtetojë, ose jo, fajësinë e tij. Për mua, ajo që më ka lënë shije shumë të keqe, është mënyra sesi u bë arrestimi i një personi publik dhe mbi të gjitha, ekspozimi që iu bë kësaj afere në media.

Në radhë të parë ne e dimë që Henri Çili, as ka vrarë njeri, as ka grabitur njeri e as nuk ishte në kushtet e flagrancës. Siç morëm vesh ne, ky ishte një proces për të cilin prokuroria tha se kishte hetuar prej muajsh. Arrestimi në mes të natës, në orët e para të mëngjesit, shoqërimi me pranga në Gjirokastër, nxjerrja e imazheve për publikun, më tepër ka për qëllim denigrimin për hir të një show propagandistik sesa hetimin me paanësi të një çështjeje.

Ne e dimë se botuesi apo drejtuesi i UET-së, kolegu ynë, nuk ka qenë person me rrezikshmëri të lartë. Fare mirë mund të ishte thirrur, t’i komunikohej akuza e pse jo të hetohej në gjendje të lirë. Kem i raste që banditë të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje po dalin për sjellje të mirë në burg apo shërbime ndaj komunitetit. Kemi një kontradiktë shumë të madhe mes asaj që shohim përditë dhe show-t që na serviri qeveria dhe policia, në rastin e Çilit.

Kjo më ka lënë një shije të hidhur. Më kujton arrestimet që bëheshin në kohën e diktaturës kur nuk ishte qëllim zbardhja e së vërtetës, por terrorizimi i popullsisë dhe denigrimi i personave që merreshin nga organet e drejtësisë. Për mua është e njëjta skemë që ndodh në regjimet autoritare dhe diktatoriale.
Henri Çili është një personalitet publik në Shqipëri. Unë nuk e di sa të vërteta janë ato që thuhen për të, nëse i ka kryer apo jo. Këtë nuk e marrë përsipër, por mënyra me të cilën është vepruar jam totalisht kundër. Do të thosha që kontributi i tij si themeluesi UET, si botues, por edhe si një përfaqësues i opinionit publik ka qenë një kontribut i dëshmuar në gjithë këto vite, pavarësisht se mund të mos jemi dakord me idetë e njëri-tjetrit. Por, në rastin konkret ne të gjithë si kolegë duhet të bashkohemi në një pikë që, mënyra sesi u trajtua ky rast nuk ishte aspak humane dhe na ka lënë të gjithëve një zhgënjim shumë të madh.

Sigurisht procesi do të vazhdojë, unë mendoj se nëse do të hetohet në mënyrë të paanshme do të dalin edhe të vërteta për këtë çështje. Vetë Henri dhe avokati i tij nuk kanë folur ende për të sqaruar akuzat e ngritura mbi të, por ajo që do të kisha dashur të shihja është heqja e prangave nga duart e një kolegu që nuk po akuzohet për një krim të rëndë. Qoftë korrupsioni pasiv, qoftë falsifikimi i dokumenteve që i mësuam nga prokuroria janë vepra penale, që mund të hetohen në gjendje të lirë. Për më tepër që bëhet fjalë për një individ që as ka rekorde kriminale, as nuk ka kryer një vepër të rëndë dhe as është person që paraqet rrezikshmëri publike. Gjëja e parë që do të doja të shihja është që Henri Çili të hetohej në gjendje të lirë, ose në kushtet e detyrimit të paraqitjes. Pastaj, përgjegjësinë për aktet e kryera e mban a i si individ, nëse i ka kryer sigurisht do të marrë dënimin që parashikon ligji.

Që me këtë rast do të bëhej show, u parandie kur kryeministri dhjetë ditë më parë në një fjalë që mbajti për rastin e OFL-së, madje edhe në emisionin “Opinion”, tha se ka botues dhe analistë që paguhen nga krimi i organizuar. Nëse ai e ka ndarë mendjen pa filluar procesi se këta botues dhe analistë financohen nga krimi i organizuar, mendoj se e ka dhënë verdiktin para se të nisin hetimet dhe kjo nuk më pëlqen.

Nikollë Lesi: Henri Çili pjesë e luftës politike, kritikoi qeverisjen

Akoma s’dua ta besoj se Henri Çili është përzier në çështje të shkeljeve të ligjit, por dua të besoj se është pjesë e luftës politike, aq më tepër që Çili kritikoi qeverisjen.
Henri Çili është një nga analistët më të mirë të vendit dhe unë e kam pasur gazetar në të madhen KOHA JONE.
Shpresoj se Çili duhet të flas në seancën gjyqësore për të treguar të vërtetën e arrestimit.
Po përdoren dy standarde, duke e krahasuar me Vangjush Dakon, i cili as u ndalua e as u arrestua e madje as nuk u hetua.

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.