Arrestimi i gjyqtarit/ Ryshfeti 6 mln lekë për vendimin që do jepej sot

May 3, 2016 | 8:31
SHPËRNDAJE

Gjyqtari i arrestuar një ditë më parë, e kishte marrë ryshfetin 600 mijë lekë për të ndryshuar testamentin e pronësisë në favor të atij që i dha paratë, për gjyqin, vendimi i të cilit do të jepej sot.

Gjyqtari Hoxha
Gjyqtari Hoxha

Sipas hetimeve të kryera në mënyrë proaktive nga ana e Prokurorisë dhe Policisë, gjyqtari Ibrahim Hoxha ka arritur marrëveshje me njërën palë në konflikt pronësie. Ai do ndryshonte një akt trashëgimie në favor të një shtetasi të identifikuar si Dritan Jazexhi, i arrestuar për korrupsion aktiv.

Ai kishte rënë dakord me ndërhyrjen e sekserit Novruz Gajda, ish-polic në Berat, për t’i dhënë gjyqtarit 600 mijë lekë të rinj dhe ka rënë dakord me këtë palë se vendimin që do të shpallej ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës, ia jepte sipas interesit të kësaj pale kundrejt shumës prej 600 mijë lekësh të rinj.

Synimi i dhënies së ryshfetit ishte për të ndryshuar testamentin që nëna e Jazexhiut kishte lënë pas vdekjes motrës së tij. Më herët, Dritan Jazexhi kishte bërë padi në Gjykatën e Tiranës kundër motrës së tij, ku çështja po shqyrtohej nga gjyqtari Ibrahim Hoxha.

Pasi kanë rënë dakord për shumën, gjyqtari ka komunikuar me personat që do të jepnin paratë në lidhje me dorëzimin e kësaj shume.

Sipas përgjimeve që janë kryer, ka rezultuar se fillimisht gjyqtari Ibrahim Hoxha ka dashur të shkonte vetë për të marrë paratë. Por më pas, ka vendosur që paratë të merreshin nga i biri dhe është tërhequr.

Ai ka shkuar pranë lokalit ku do të takohej me personat që do të jepnin paratë dhe ka qëndruar jashtë. Ndërkohë në lokal ka hyrë shtetasi Ledion Hoxha, djali i gjyqtarit, i cili do të merrte shumën e parave prej 600 mijë lekësh të rinj.

Pikërisht në këtë moment, me kërkesë të Prokurorisë, kanë ndërhyrë efektivat e Policisë Gjyqësore, duke vënë në pranga djalin e gjyqtarit, vetë gjyqtarin Ibrahim Hoxha dhe dy personat që kanë dhënë shumën e parave.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura