Arrestimi i baronit shqiptar të drogës në Kolumbi, i dënuar me burg përjetë në Elbasan! Kush është gjyqtarja e korruptuar që i dha lirinë me kusht

Jul 21, 2021 | 21:49
SHPËRNDAJE

agimcerma-parashqeviademi

SAIMIR LLESHI & ELVIS HILA/ Shqiptari Agim Çerma, i arrestuar në Kolumbi për trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe i konsideruar si baron droge, rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për akuzën e vrasjes.

Çerma akuzohet për vrasjen e shtetasit Gëzim Liçi, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 1997. Në atë kohë, mbetën të plagosur edhe dy punonjës policie. Vendimi për dënimin e përjetshëm u mor më 12 maj të vitit 1998, ku Çerma dhe vëllai i tij Gazmendi, shpallen fajtorë për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Gazmend Çerma u dënua me 11 vite burg. Nëpërmjet avokatit, dy vëllezërit dërguan çështjen e tyre në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Më 18 nëntor 1998, kjo Gjykatë refuzoi kërkesën e të pandehurve, duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga një shkallë më poshtë. Në ankim, Gazmend Çerma ia kalonte përgjegjësinë vëllait të tij për vrasjen, duke argumentuar se nuk kishte dijeni se kishte armë me vete dhe se do të kryente krimin. Por, beteja e tyre me drejtësinë nuk përfundoi në Apel.

Agim Çerma e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar për proces të parregullt gjyqësor. Edhe Gjykata e Lartë nuk ndryshoi vendimin e dënimit me burg përjetë. Pas kësaj, Çerma e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka rikthyer sërish dosjen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan. Kjo e fundit e dërgoi dosjen në Gjykatën e Lezhës, pasi Çerma kryente dënimin në burgun e Shënkollit. Më 16 mars 2012, gjyqtarja Parashqevi Ademi, vendosi që të lironte nga qelitë.

Në vendim, një kopje të së cilës disponon “Panorama”, thuhet se Agim Jonuz Çerma lirohet me kusht për një periudhë trevjeçare që të mos kryej vepër tjetër penale. Pasi la qelinë, Agim Çerma është larguar nga Shqipëria dhe vitet e fundit jetonte në Amerikën Latine, si një narkotrafikant. 

GJYQTARJA U DËNUA PËR KORRUPSION

Agim Çerma i arrestuar në Kolumbi dhe i cilësuar si baron i trafikut të kokainës, u lirua nga burgu i Shënkollit rreth 9 vjet më parë ku po vuante dënimin për një vrasje të kryer në vitin 1997. Agim Çerma ka qëndruar në burg rreth 14 vite për vrasje dhe plagosje dhe më pas ka vazhduar një jetë të re në Amerikën Latine, duke iu përkushtuar trafikut të kokainës. Pas një kalvari të gjatë nëpër gjykata, ai u lirua me kusht në vitin 2012 nga Gjykata e Lezhës për motive të paqarta, ndërsa lirimi i tij mban firmën e gjyqtares Parashqevi Ademi, e dënuar për korrupsion.

Policia e Lezhës arrestoi gjyqtaren Ademi në sallën e gjyqit më datë 11 qershor 2015. Bashkë me të u arrestua edhe avokati Gjovalin Prendi, pasi morën 2 milionë lekë të vjetra për një çështje, rast i denoncuar në ‘Fiks Fare’. Gjatë arrestimit, gjyqtares iu gjetën 500 mijë lekë të vjetra në dosjen që kishte në shqyrtim. Avokati, gjithashtu i arrestuar, kishte mbajtur për vete pjesën më të madhe të parave.

Denoncimi erdhi nga një qytetar me iniciale V.J, i cili kishte denoncuar nënën e bashkëshortes së tij, vëllanë dhe dajën e saj se kishin dashur ta ndanin nga e shoqja. M.P dhe A.P u përfaqësuan nga avokati Ndokaj, i cili bëri edhe ndërmjetësin te gjyqtarja, pa e ditur se edhe vetë do të përfundonte në qeli. Më 13 qershor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i asaj kohe jep autorizimin për arrestimin e gjyqtares Ademi.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi miratimin e arrestimit në flagrancë të gjyqtares si Parashqevi Ademi dhe të japë autorizimin për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj saj”, thuhej në vendimin e KLD-së.

Më 26 tetor 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi gjyqtaren Ademi dhe avokatin me 4 vite burg për secilin. Ata përfituan nga gjykimi i shkurtuar, duke kryer 1/3 e dënimit. Gjyqtarja u lirua në korrik të vitit 2016, por dënimi i kushtoi karrierën në sistemin e drejtësisë.

IU KAPËN 17 MLN EURO KOKAINË, AGIM ÇERMA EMISAR I MAFIES, DROGËN E ÇONTE DREJT BULLGARISË

Fuqia e organizatës kriminale e drejtuar nga shqiptari Agim Çerma ishte aq e madhe sa kishte arritur të korruptonte edhe zyrtarët aviacionit në Kolumbi për të mundësuar trafikimin e kokainës me “charter” për në Europë. Udhëheqësi shqiptar i grupit, i njohur edhe si “Jimmy”, jetonte prej disa vitesh në Barranquilla, ndërsa u arrestua tri ditë më parë në Montería të Kolumbisë. Ai kishte bërë marrëveshje me “Clan del Golfo”, kartel i fuqishëm kolumbian i drogës dhe i përfshirë në dhjetëra vrasje, nga ku furnizohej me kokainë. Mediat vendase shkruajnë se shqiptari, ishte emisar i Kartelit Ballkanik dhe investitori kryesor i organizatës.

Misioni i tij ishte të merrte kokainë për ta dërguar atë veçanërisht në Sofje të Bullgarisë. Po kështu, ai kishte nën komandën e tij një kolumbian me pseudonimin “Cardona”, i cili punonte si mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror në Cali. Ndikimi kriminal i organizatës ishte përqendruar në departamentet e Cauca, Valle del Cauca dhe Atlántico, ku niseshin fluturimet “charter”.

Për më tepër, ata koordinuan transportimin e lëndës narkotike nga laboratorët në qendrën e grumbullimit në zonën urbane përmes limaneve ose ndarjeve të adaptuara në automjete dhe gjithashtu, lëvizën shuma të mëdha parash nga Europa në Kolumbi përmes të ashtuquajturve “ndërmjetës”.

Agim Çerma u arrestua në qytetin e Monterias. “Kapja për qëllime ekstradimi të pesë anëtarëve të një organizate kriminale transnacionale kushtuar trafikut të drogës, veçanërisht hidrokloridit të kokainës. Kjo organizatë kriminale drejtohej nga Agim Çerma me kombësi shqiptare, i cili kërkohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për krimin e trafikut të drogës. I arrestuari ka një rekord penal për vrasje në Shqipëri. Gjithashtu në Holandë, ku ai u kap për trafik droge”, tha gjeneral majori Herman Alejandro Bustamante, drejtori i Antinarkotikëve të Policisë kolumbiane. Gjatë bastisjeve, Policia kapi 1.500 milionë pesos dhe 332 kilogramë kokainë me vlerë rreth 17 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura