“Arrestimi i Arben Frrokut, SHISH i jep sekretet Sali Berishës”

May 11, 2016 | 9:39
SHPËRNDAJE

Rrjedhja e informacionit sekret për arrestimin e Arben Frrokut në Holandë dhe publikimi i këtij informacioni në media nga ish-kryeministri Berisha është bërë objekt i diskutimit gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm në Kuvend.

Gjatë diskutimit të marrëveshjes që vendi ynë do të lidhë me Bashkimin Europian për ruajtjen e informacionit të klasifikuar, kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, ka kërkuar shpjegime për mënyrën me anë të së cilës ish-kryeministri Berisha arriti ta merrte këtë informacion dhe më pas ta publikonte atë në media.

DadeDeputetja socialiste kërkoi shpjegime nga drejtori i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Arben Seferi, për mënyrën e rrjedhjes së këtij informacioni, në një kohë që ish-kryeministri Berisha nuk gëzon certifikatë sigurie.

“Me arrestimin e fundit si ishte e mundur, ju mendoni ka pasur rrjedhje informacioni që, dikush që nuk e ka këtë certifikatë sigurie që merr informacion të klasifikuar, e dinte dhe e shpalli në media ndalimin e një personi të rrezikshëm që ka kryer krime këtu? Nga rrjedh informacioni dhe si ka mundësi? Meqë folët për Holandën që ka një strukturë kaq specifike me dy struktura, kam përshtypjen që informacioni nga Holanda erdhi? Apo erdhi nga informacioni i klasifikuar i shtetit shqiptar?”, deklaroi Dade.

Nga ana e tij, Seferi ka deklaruar se informacionet në lidhje me këtë çështje janë të rezervuara, por sipas tij kjo është një çështje e lidhur edhe me shkaqe politike.

“Nuk mund të flasim për një rast konkret. Thashë që grupet parlamentare mbajnë qëndrimet e veta, ndërkohë që ne shikojmë pjesën teknike. Mbajtësi i certifikatës së sigurisë ka një procedurë nga marrja e saj deri në dorëzim, me kushte të cilat personi nuk duhet t’i cenojë dhe në momentin që cenohen këto kushte, është ligji që ndërhyn dhe atij i hiqet kjo certifikatë”, u shpreh Seferi.

DEBATI NË KOMISION

Arta Dade: Kemi marrëveshje me Holandën?

Arben Seferi: Jo. Ka pasur një përpjekje vite më parë, por nuk është arritur për shkak të kompleksitetit që ka pala holandeze, sepse ka dy autoritete të sigurisë kombëtare, një për pjesën civile dhe një për anën ushtarake.

Arta Dade: Me arrestimin e fundit, si ishte e mundur, ju mendoni ka pasur rrjedhje informacioni që, dikush i cili nuk e ka këtë certifikatë sigurie që merr informacion të klasifikuar, e dinte dhe e shpalli në media ndalimin e një personi të rrezikshëm që ka kryer krime këtu? Nga rrjedh informacioni dhe si ka mundësi? Meqë folët për Holandën që ka një strukturë kaq specifike me dy struktura. Kam përshtypjen që informacioni nga Holanda erdhi? Apo erdhi nga informacioni i klasifikuar i shtetit shqiptar?

Arben Seferi: Nuk mund të flasim për një rast konkret.

Arta Dade: Jo, por për këtë rast konkret unë dua shpjegime. Ju po thoni që janë instrumentet kaq mirë dhe nuk kemi nevojë për gjë. Edhe pastaj vetëm kur na del në media, se mirë kur del edhe nuk është i saktë, por më e bukura është se del edhe i saktë. Si ta shpjegojmë këtë?

Arben Seferi: Nuk flasim dot për një rast konkret.

Arta Dade: Nga rrjedh ky informacion? Rrjedh nga ne këtu? Rrjedh nga strukturat që kanë autoritetin për informacionin e klasifikuar, apo rrjedh nga një vend “X” në rastin konkret nga Holanda?

Arben Seferi: Ky është një rast shumë specifik në fakt, por me legjislacionin tonë, pronar i informacionit është ai që e prodhon. Dhe në rastin konkret, ai që e ka prodhuar dhe i ka dalë ka edhe detyrimin ligjor që të ngrejë struktura të tilla për të verifikuar deri në fund çfarë ka ndodhur me personat përgjegjës dhe në raste të veçanta merren edhe masa.

Arta Dade: Jo se atë e dërgonte homologu i vet, më duket mua. Apo jo? Kështu që nuk është përgjegjës vetëm ai që e prodhon informacionin, është përgjegjës edhe ai që e ka marrë informacionin, detyrimet janë nga të dyja palët. Ai që e merr, që e ka në dispozicion informacionin, çfarë bën? Ia çon ish-kryeministrit, shokut të vet. Këto janë shqetësime, pikërisht se ndodh diçka, njerëzit marrin masa, prodhojnë ligje, sepse duke i shpjeguar secilit se të gjithë kur bëjnë gabim veten e vet e konsiderojnë rast të veçantë. Kush e nxjerr informacionin? Se pastaj dalin raste më shqetësuese, nuk tregohet seriozitet për partnerët, më e pakta. Më e shumta mund të marrin edhe masa që ta shpëtojnë, ata që kanë marrë, gjithmonë dhe e kanë shpëtuar.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura