Arrestimi i Alda Klosit, zbardhet dëshmia e pastrueses: Mbante kuti me euro në shtëpi. Më kërkoi t’i merrja unë sepse kishte frikë nga bashkëshorti

Feb 6, 2023 | 11:31
SHPËRNDAJE

Është zbardhur dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi e cila ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë duke treguar se shuma e parave që u gjet në shtëpinë e saj i përket ish zyrtares së kryeministrisë, Alda Klosi.

25

Gazetari Ervin Leka raporton për Panorama TV se Rozeta Dobi ka nisur të punojë për Alda Klosin në vitin 2018, në banesën e saj të vjetër në zonën e Mozaikut të Tiranës ku ka parë shuma të mëdha parash të mbuluara me batanije. Ajo thotë se i ka marrë paratë dhe i ka vendosur në sirtarin e komodinës që ndodhej pranë krevatit ku flinte Alda.

Nuk i numërova, por ishin shumë para. I mora ato dhe i vendosa në sirtarin e komodinës që ndodhej në krevatin ku flinte Alda. Më pas e mora atë në telefon, ku i tregova edhe vendin se ku i kisha futur, ku ajo më falenderoj për veprimin”, ka deklaruar përpara hetuesve ajo.

Ajo ka treguar se gjatë kohës kur ka pastruar dollapet e banesës ka konstatuar disa kuti me euro. Ajo ka theksuar se nuk i ka numëruar por ka vënë re se bëhej fjalë për shuma të mëdha parash.

“Kam gjetur në dollape shumë të mëdha me euro, që nuk e di prejardhjen dhe nuk e di se kush i kishte sjellë, apo ku i çonte Alda këto para. Këtë konstatim e kam bërë në vitin 2021, ndërsa kutitë me euro kanë qëndruar aty deri në fund të vitit 2022”.

Dobi u ka thënë hetuesve se kur është transferuar në banesën e marrë me qira te rruga e Kosovarëve nuk ka parë shuma monetare në euro apo lekë. Sipas saj në muajin Dhjetor, Klosi i ka kërkuar që të mbajë në banesën e saj shuma parash pasi kishte frikë se bashkëshorti e kërcënonte.

“Pranova ta kryeja këtë veprim pasi kisha vite që punoja me të. Alda më tregoi se kasafortën e kishte futur tek dollapet. Shkova atje e mora kasafortën e futa në një çantë dhe e dërgova në shtëpinë time tek “Unaza e Re”.  Më shoqëroi djali, por ai nuk dinte gjë, veprimet i kam kryer e vetme. Shkova në banesë, e kasafortën e futa në dollap. Nuk kisha dijeni për shumën e parave. Të nesërmen thashë t’i sistemoja paratë, ku shumën më të madhe të tyre i futa në tubin e aspirimit”‘ ka thënë përpara hetuesve Dobi.

Pas kësaj dëshmie dhe hetimeve të kryera referuar faktit që Klosi ka qenë subjekt i IlDKKPI, dhe nuk i ka deklaruar këto para, ajo u shoqërua në polici dhe u arrestua në flagrancë, për akuzat e fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura