Arrestimi i 7 personave/ Avokatja e Serjanit: Nuk ka gjobëvënie ndaj biznesmenit të kafes, maksimumi ka vetëgjyqësi

Apr 26, 2015 | 20:17
SHPËRNDAJE

Avokatët e 7 të arrestuarve për gjobëvënie ndaj biznesmenit të kafes, Julian Bregu, kanë paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda argumente që sipas tyre ky procedim penal nuk duhej nisur nga Krimet e Rënda, pasi maksimumi akuza mund të ishte “vetëgjyqësi”.

Pajtim Serjani, një nga të arrestuarit për gjobëvënie

Sipas palës mbrojtëse, nga ato dokumente dhe prova që disponojnë për klientët e tyre, përveçse shkresërisht nuk bëhet fjalë për gjobë ndaj Bregut, por për një shumë parash që ai ia kishte borxh shtetasit Genc Ferhati, nuk rezulton e provuar as dhuna që pretendohet të jetë ushtruar ndaj tij.

Madje në raportin e mjekësisë ligjore, që është pjesë e dosjes hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, shënohet si datë ekzaminimi 17 shkurti i këtij viti, në një kohë që kallëzimi për dhunë nga ana e biznesmenit ishte bërë 11 ditë më parë, pra më 6 shkurt 2015.

Sipas avokates së njërit prej të arrestuarve, shtetasit Arianit Luli, nga arsyetimi në vendimin e Gjykatës nuk del që nga përgjimet të ketë ndonjë pasazh që të rezultojë që Luli t’i ketë kërkuar para kallëzuesit ose ta ketë kërcënuar atë për llogari të personave të përmendur në vendim, si Gernc Ferhati ose ndonjë person tjetër. Apo edhe të jetë nxitur nga Elvis Karoli për t’i kërkuar para kallëzuesit.

“Pra nga provat e mbledhura me përgjim nga Prokuroria për rreth 2 muaj, nuk rezulton asnjë rast kërcënimi apo kërkesë për para nga ana e Arianit Lulit kundrejt kallëzuesit, vetëm ose në bashkëpunim me të tjerë. Për këtë arsye, kallëzimi i bërë nga Julian Bregu, vlerësojmë se duhej të konsiderohej nga Prokuroria si kallëzim i rremë”, shprehet mbrojtja në arsyetim.

BORXHI

Sipas avokatëve mbrojtës të të arrestuarve, ka prova të mjaftueshme që shpjegimet e shtetasit Julian Bregu në kallëzimin e tij janë të pavërteta, të qëllimshme për të ndëshkuar personat që ai u kishte marrë para borxh.

Ai ka firmosur një deklaratë noteriale me shtetasin Shpëtim Ferhati, thjeshtri i Elvis Karolit dhe babai i Genc Ferhatit, ku i ka marrë Shpëtimit shumat 12 600 euro dhe 3 mijë euro hua, për të cilat kishte rënë dakord që t’i jepte një interes mujor në formën e pagës dhe t’i kthente të gjithë shumën më datë 13 tetor 2016. Ky fakt, sipas avokatëve, është i vërtetuar me aktin noterial të datës 13 tetor 2014, të noteres Mirka Papa, lidhur mes Julian Bregut dhe Shpëtim Ferhatit.

“Nga ky akt noterial vërtetohet se tre anëtarët e familjes Ferhati kishin të drejta pasurore mbi kallëzuesin dhe kanë biseduar dhe debatuar me njëri-tjetrin për një detyrim civil që kallëzuesi nuk u paguante atyre. Ky fakt rezulton i provuar edhe nga përgjimet mes Genc Ferhatit dhe Elvis Karolit, të cituara në vendim”, shprehet avokatja.

Sipas saj, Julian Bregu ka bërë kallëzim të rremë kur akuzon shtetasit e tjerë se nuk kanë asnjë të drejtë pasurore tek ai dhe e kërcënojnë për t’i marrë atij pasurinë sepse rezulton se ata kërkojnë pasurinë e tyre dhe jo të kallëzuesit.

Në këto rrethana, mbrojtja kërkon që Gjykata mund të rivlerësojë se shtetasit Genc Ferhati dhe Elvis Karoli, nëse kanë kryer veprime të dyshuara si të paligjshme, mund të kenë konsumuar ndonjë vepër tjetër penale, në kompetencë të Gjykatës së zakonshme, por çmojnë se këto veprime nuk mund të konsiderohen shtrëngim dhe kanosje për t’i marrë pasurinë e tij.

NGA ETLEVA DELIA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura