Arrestimet e deputetëve, Policia: Tom Doshi u ndalua në banesë, Mark Frroku pranë firmës së tij

Mar 26, 2015 | 20:07
SHPËRNDAJE

Pak orë pas ndalimit të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka zbardhur disa nga detajet e operacionit të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme.

Foto nga ndalimi i deputetit Mark Frroku

Në një deklaratë për mediat, policia thotë se ndalimi i deputetëve u bë me po të njëjtat akuza që ishin ngritur më parë nga prokuroria: “Urdhër-ndalimet për shtetasit Tom Gjek Doshi, 49 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, si edhe Mark Preng Frroku, 43 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Urdhër-ndalimet janë lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës dhe mbajnë datën 26.03.2015, për veprat penale “Kallzim i rremë”, “Deklarata e rreme përpara Prokurorit” dhe “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, parashikuar përkatësisht nga nenet 305, 305/a dhe 312/a, të Kodit Penal”,-thuhet në deklaratë.

Policia e Tiranës sqaron se Tom Doshi u ndalua në banesë, ndërsa Mark Frroku u ndalua në ambjentet e firmës së tij, në kryeqytet.

Gjithashtu me autorizim të Kuvendit të Shqipërisë dhe mbi bazën e urdhrit të Prokurorisë, policia pranon se ka ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Doshi dhe Frroku.

Më herët, avokatët e Tom Doshit deklaruan se gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, nuk u gjet asgjë e kundra ligjshme në banesë. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura