Arresohet se shiti apartamentet disa herë, kush është gruaja e ndërtuesit që fitoi 318 mijë euro

Mar 6, 2017 | 9:40
SHPËRNDAJE

Arrestohet me akuzën e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve ndërtuesja Vjollca Hoxholli. Ajo akuzohet se ka përfituar një sasi të konsiderueshme prej 318 mijë eurosh nga një qytetar që kishte “blerë” 4 apartamente te kompania e ndërtimit e shtetases Vjollca Hoxholli.

Vjollca Hoxholli
Vjollca Hoxholli

Por, në fakt, apartamentet e blera nga ky shtetas u janë shitur edhe personave të tjerë. Lajmi është bërë me dije dje nga Policia e Tiranës, e cila tha se më 3 mars 2017, specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë bërë të mundur ndalimin e shtetases Vjollca Hoxholli, 55 vjeçe, banuese në Tiranë.

Sipas Policisë, kjo shtetase që prej vitit 2007 kryen funksionin e administratores te një firmë ndërtimi dhe në këtë periudhë kohore dyshohet se me anë të mashtrimit ka premtuar shitjen e katër apartamenteve në rrugën “Teodor Keko”, shtetasit D. S., 56 vjeç, dhe pasi ka përvetësuar shumën monetare prej 318.580 eurosh, i ka shitur ato te shtetas të tjerë, më konkretisht, njërin prej tyre shtetasit E. M., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Pas arrestimit, Policia tha se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “fshehje e të ardhurave”, “mashtrim” dhe “falsifikim i dokumenteve (kontrata). E arrestuara mësohet se është bashkëshortja e Rrapush Hoxhollit, ndërtues i njohur në Tiranë, aktualisht person nën hetim nga Prokuroria për mashtrim me shitjen e apartamenteve.

Një vit më parë, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim shtetasen Vjollca Hoxholli, administratore e shoqërisë së ndërtimit “Gora sh.p.k.” dhe “Hoxhollu”, duke e akuzuar për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”. Hetimet kishin nisur në bazë të kallëzimit të shtetasit A.M., i cili ka konstatuar se dy apartamente dhe dy garazhe të blera në vitin 1997 në firmën “Hoxholli”, kompania paraardhëse e “Gora”, i janë shitur në vitin 2006 një personi tjetër, i cili rezultoi të ishte motra e të pandehurës.

Nga hetimi ka rezultuar se, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, pronat e blera nga kallëzuesi në pallatet e “Hoxhollit” në vlerën 13 milionë lekë të rinj, e pandehura Vjollca Hoxholli ia ka “shitur” motrës së saj, Sadete Bejdo, shumë vite më pas. Sipas Prokurorisë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, pronat e blera nga kallëzuesi në pallatet e “Hoxhollit”, në vlerën 13 milionë lekë të rinj, e pandehura Vjollca Hoxholli ia ka “shitur” motrës së saj, Sadete Bejdo, shumë vite më pas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura