Arratisje në prag të vendimit apo arsye shëndetësore/ Sistemi TIMS konfirmon se Adriatik Llalla u largua më 9 shtator nga Rinasi drejt Italisë

Sep 24, 2021 | 13:54
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, për të cilin tashmë është firmosur një urdhër-arresti, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria 2 javë më parë.

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, ai është larguar nga Rinasi në drejtim të Italisë, por nuk dihet se cili ka qenë destinacioni i tij përfundimtar. Edhe pse formalisht, duke qenë se të paktën zyrtarisht Llalla nuk ndodhet këtu, nga verifikimet e Policisë në adresa të ndryshme, ai nuk gjendet prej 48 orësh, që pasi vendimi për dënimin e tij me 2 vite burg mori formë të prerë në Apel.

Dy ditë më parë Policia i shkoi në banesë ish-Prokurorit të Përgjithshëm, por nuk e gjeti pasi aty ishin bashkëshortja, fëmija i vogël dhe një i afërm. Afro 2-3 minuta pasi forcat e Policisë i ranë ziles në portën e shtëpisë së tij, i afërmi i Llallës u hapi derën.

Oficerët që ishin paraqitur aty, bashkë me punonjës me uniformë, njëra prej të cilëve ishte femër, qëndruan brenda ambienteve të shtëpisë për rreth 10 minuta, por nuk morën asnjë informacion për vendndodhjen e Llallës.

KERKIMET

Pas vendimit të dhënë dy ditë më parë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, SPAK i kërkoi Policisë arrestimin e Adriatik Llallës dhe në mbrëmje ata zbarkuan në shtëpinë e tij, por pa e gjetur. Në një kohë kur ende nuk është konfirmuar nëse është arratisur apo është larguar për shkaqe shëndetësore nga Shqipëria, burimet thanë se Llalla nuk do të shpallet vetëm në kërkim kombëtar, por me shumë mundësi pritet të shpallet edhe në kërkim ndërkombëtar, duke qenë se është konfirmuar nga sistemi TIMS se ai është larguar jashtë Shqipërisë, por nuk dihet vendi final i tij.

Menjëherë pasi u firmos procesverbali dy ditë më parë, pasi Llalla nuk u gjet në shtëpi, këto të dhëna i kaluan SPAK, pasi ligji parashikon shpalljen në kërkim kombëtar, që do të thotë se Policisë do t’i duhet të kryejë për 3 muaj kërkime brenda territorit shqiptar. Por fakti që sistemi TIMS dëshmon se zyrtarisht Adriatik Llalla është larguar nga Shqipëria në 9 shtator dhe nuk ka një datë tjetër hyrjeje në vendin tonë, pritet që Policia të vendosë nëse do të zbatojë afatin 3-mujor të kërkimit, edhe pse është thuajse formal, apo do të kryejë shpalljen në kërkim ndërkombëtar, nëpërmjet zyrës së Interpol Tiranës. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Llalla të vetëdorëzohet, gjithmonë nëse largimi i tij jashtë vendit nuk ka qenë një arratisje, në prag të shpalljes së vendimit nga Apeli.

SEANCA E SHTYRE

Adriatik Llalla rezulton të jetë larguar nga Shqipëria më 9 shtator, pikërisht ditën kur u shty një nga seancat në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Mbrojtja për Llallën u mbajt pa praninë e tij, ndërsa trupa gjykuese rrëzoi të gjitha kërkesat e avokatit. Sokol Hazizaj parashtroi kërkesat, kryesorja ishte pafajësi për Llallën. Seanca u monitorua edhe nga ndërkombëtarë, kryesisht të Ambasadës amerikane që kanë qenë të pranishëm në çdo seancë. Mbrojtja kërkoi nga Apeli pafajësi ose rigjykim të dosjes ose shpallje moskompetencë.

Nga ana tjetër, avokati tha se ish-Kryeprokurori ndodhej në spital më gjendje të rëndë shëndetësore duke kërkuar që kjo të merret parasysh nga Gjykata në dhënien e vendimit. Aktet e ekspertimit u dorëzuan nga avokati i Llallës, duke theksuar se kërkesat duhet të merreshin parasysh për shkak të gjendjes shëndetësore të sëmundjes së parikuperueshme të Adriatik Llallës. Avokati Sokol Hazizaj pretendoi se procesi i hetimit dhe gjykimit ishte i paragjykuar, duke shtuar se Gjykata e Posaçme është në kushte të moskompetencës për dosjen dhe vendimi është i pavlefshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura