Arratisja me varkë në ‘75, Ngjela: Dredhia e Titos për të mos ia dorëzuar Enverit

Jul 8, 2015 | 14:33
SHPËRNDAJE

Spartak Ngjela

Diktatura po i përpinte të gjallë një e nga një; në burgje, në internim, në persekutim çnjerëzor. Korrik 1975, tre vëllezër me nënën, gratë dhe fëmijët nga 6 muaj e deri në 16 vjeç vunë bastin e jetës. Hipën mbi një varkë Noe, duke vozitur vetëm me dëshirën për liri. Sfiduan vdekjen që ishte gati e sigurt, për t’iu dorë- zuar fatit. Nuk e di se ç’forcë njerëzore duhet të ketë një prind që vendos të marrë fëmijët në atë barkë primitive me mushama, rrjeta dhe dy dërrasa, por për tre djemtë e Haki Fezollarit kjo ishte përpjekja e fundit për t’i shpëtuar nga ajo jetë, që, siç e përshkruan Ethem Fezollari; ishte veçse ferri çnjerëzor që zgjaste prej 26 vitesh… Është ky subjekti real i shkëputur nga libri i Ethem Fezollarit, me titull “Varka e Shpëtimit-Arratisja që tronditi diktaturën”, i cili u promovua dje në hollin e Universitetit Europian të Tiranës. Një autobiografi e ish-deputetit të Shqipërisë (2001-2005), protagonisti kryesor i kësaj historie, që përmes një krijese nga duart e tij, gjysmë dërrasë e gjysmë mushama, kaluan liqenin e Pogradecit për të shpëtuar në bregun maqedonas. Një ngjarje për të cilën me të drejtë Spartak Ngjela thotë se “kjo familje hodhi ekzistencën në zare dhe fituan”.

MEHMET SHEHU E SHPËTOI NGA PUSHKATIMI

Duket se familja Fezollari e ka pasur “mik” mbijetesën. Politikani dhe shkrimtari i njohur Spartak Ngjela ka treguar dje në promovim një histori me fat për Haki Fezollarin (babain e Ethemit), ashtu si dhe për të bijtë. “Një luftëtar, një qytetar prej qindra vitesh i Pogradecit, lufton në Brigadën e Parë dhe për këtë arsye e bënë kryetar të Komitetit Ekzekutiv në Pogradec. Ai ishte njeri me personalitet dhe megjithëse ishte vitet ’45 -’49, ai nuk u lejua të thoshte atë që mendonte dhe u dënua. Në gjyq i thanë: Ore, ti ke thënë që jap një sy për partinë, nga na dole me këto mendime? – Po, – thotë ai, – po tani e kam ndryshuar devizën, gjykimin, i jap të dy sytë të ikin këta, të thyejnë qafën. E mori toga e pushkatimit, por fati i tij, se ngandonjëherë fati takohet me historinë, dhe fati i tij u takua me historinë në rrugën nacionale të Pogradecit, ku do e qëllonin për vdekje. Kaloi ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, që ishte i fuqishëm dhe shikon Haki Fezollarin. I thotë: – Po ç’ne ti shkele mbi gjakun tënd? Se Hakiu ishte plagosur në brigadën e këtij. Jo, – i tha ai, këta kanë shkelur mbi gjakun tim. Megjithatë, Mehmeti e shpëtoi, se kishte pushtetin. I tha: -Ik në shtë- pi, se do ta zgjidh unë këtë problem. Por pas disa ditësh vajtën i futën intrigat, se këtu kishte gjithmonë dy rryma. Vajtën i thanë ‘ik se do të të pushkatojnë’, dhe Hakiu iku e vajti në Jugosllavi”, tha Ngjela. Por historia e arratisjes së Haki Fezollarit përbën libër më vete, ai përfundoi në Australi, aty ku u takua me të bijtë gati dy dekada më pas.

NDËRHYRJA E TITOS

Pas arratisjes së babait në vitin 1949, për familjen Fezollari filloi reprezalja. Burg, internim, persekutim, vuajtje pa fund. Më 3 korrik, duke gdhirë 4 korrik 1975, 16 anëtarë të familjes ngjiten mbi një varkë të sajuar me copa dërrase e mushamaje. Destinacioni: Maqedonia! Kthim mbrapsht? Vetëm vdekja! Ishin përgatitur që edhe të mbyteshin, edhe të hidheshin në erë nëpërmjet tritolit e fitilave që kishin marrë me vete, por jo që të dorëzoheshin para rojeve shqiptare. Ashtu si në rastin e babait, fati desh që të kalonin shëndoshë e mirë në bregun e Maqedonisë. Por “fati” duket se ishte emri i dytë i kësaj familjeje, pasi, pavarësisht këmbënguljes së Enver Hoxhës ndaj qeverisë maqedonase që t’i deportonte sipas marrëveshjes dypalëshe, Tito i mbajti Fezollarët nëpërmjet një dredhie, që e zbulon Spartak Ngjela: “Në atë kohë ka pasur një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, që këta të ktheheshin. Tito premtoi që do ta kthejë, por e zgjidhi pa marrëveshje. Tito tha: Në rregull, nga kanë ardhur këta? Me varkë! Po ne nuk kemi marrëveshje nga uji, e kemi nga toka… Dhe i shpëtoi kështu një mendje e madhe politike”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura