Arratisja e të dënuarit, reagon kreu i Gjykatës së Vlorës: Jashtë çdo parametri sigurie, dje njoftova KLD…

May 23, 2018 | 12:17
SHPËRNDAJE

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, ka ngritur zërin herë pas here për mungesën e sigurisë në ambientet e Gjykatës që ai drejton, deri edhe me shkresa zyrtare drejtuar KLD-së.

haluci 1

Ai po drejtonte seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të 29-vjecarit Mikel Kasaj, kur ky i fundit u arratis, duke shënuar kështu një precedent mjaft të rëndë në këtë Gjykatë. Rreth një vit më parë, Haluci bëri thirrje publike për ndërhyrje nga shteti, pasi Gjykata e Vlorës nuk ka policë të sigurisë e për rrjedhojë, ai si kryetar Gjykate, por edhe gjyqtarë të tjerë, ishin kërcënuar për vendimet që jepnin. “E kam kërkuar vazhdimisht dhe e kërkoj me forcë, dje ka qenë hera e fundit që kam marrë në telefon KLD-në, Gjykata jonë është jashtë çdo lloj parametri sigurie. Dje i kam deklaruar KLD dhe Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor problematikat në këtë Gjykatë”, tha Haluci. Në një intervistë për “Panorama”, kreu i Gjykatës ritheksoi problematikat e sigurisë.

Z.Haluci, veçse kryetar i Gjykatës së Vlorës, ju ishit edhe drejtues i seancës së djeshme për të riun që arriti të arratisej. Si ndodhi ngjarja?

Në momentin kur është dhënë vendimi me 3.4 vjet burg për shtetasin në fjalë, ai papritur hipi mbi tavolinë dhe u largua me shpejtësi. Ka qenë krejt papritur kur i burgosuri po priste vendimin përfundimtar, vendim të cilin e dhamë në ato momente. Ai ka goditur me grusht shoferin, të cilin e kisha lajmëruar që më parë që të qëndronte afër, pasi në seanca të tilla ka gjithmonë probleme. Shoferi ka tentuar ta ndalojë, por ai e ka goditur me grusht dhe është larguar.

Në sallën e gjyqit, i pandehuri ishte pa pranga?

Po, pa pranga sepse po jepej vendimi. Ishin vetëm dy punonjës Policie që e shoqëronin, punonjës të paraburgimit. Nuk ka ndodhur asnjëherë në Gjykatën e Vlorës kjo, por është një ngjarje që tregon se mungojnë masat e sigurisë në ambientet e Gjykatës, çështje të cilën unë e kam ngritur disa herë.

Kur jemi para një situate që në këtë Gjykatë nuk ka asnjë element sigurie, as efektivë dhe ju keni paralajmëruar se ndiheni të rrezikuar edhe nga kërcënimet. Sot, si është situata? Ndiheni sërish të rrezikuar?

Pa dyshim që po, sepse gjykohen çështje të shumta, me rrezikshmëri të lartë dhe duhen rritur masat e sigurisë. Flitet shumë, por trupat gjykuese kanë gjithmonë probleme, këtu ndodh gjithmonë gjithçka. Edhe kur delegohen në rrethe të tjera për ndonjë çështje, gjyqtarët shkojnë të pambrojtur. Kjo duhet ngritur me të madhe. Një fakt të tillë ia kam bërë me dije edhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të rritur sigurinë në gjykata. Gjyqtarët, kur shkojnë në Sarandë, shkojnë më furgona të rastit. U kërkojmë autoriteteve shqiptare të marrin masa për mbrojtjen e jetës së gjyqtarëve.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura