Arratisja e Himarës/ Vasil Malo: E vërteta e lidhjeve të mia me agjentin e huaj në Bari (PJESA XI)

Aug 26, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Vasil Malo, kapiteni i anijes “De Rada”, që transportoi 29 familjarët e tij nga Himara në Korfuz, në gushtin e vitit ’71, s’ka dashur ta bëjë publike historinë e atij lundrimi të jashtëzakonshëm.

Ndoshta do t’i qëndronte besnik deri në fund këtij vendimi, sikur të mos e ngacmonte një dokument i Sigurimit të Shtetit, i zbardhur ditën e djeshme në “Panorama”, ku përshkruhet ngjarja në fjalë.

Vasil Malo duke rrëfyer për “Panorama”
Vasil Malo duke rrëfyer për “Panorama”

Kadri Hazbiu dhe Sigurimi i Shtetit, shprehet ish-kapiteni i anijes ‘De Rada’, e lidhin gabim arratisjen tonë me kontaktet e mia me një emigrant shqiptar, kur shkoja me shërbim në Bari.

Episodi i këtyre kontakteve, sipas tij, ka qenë i vërtetë, por në asnjërin prej tyre nuk janë konsumuar biseda me idenë e arratisë. Raportet e mia me “mikun” nga Bari, sqaron Malo, kanë pasur tjetër histori, janë fokusuar për çështje krejt të tjera, për të cilat kam raportuar me detaje te zyrtarët e Sigurimit qysh në takimin e parë, pas kthimit nga Italia. Ai kujton se ka marrë një ofertë nga zbuluesi i NATO-s për t’i shërbyer një agjencie të huaj në shkëmbim të një shpërblimi mujor, por kur ka kërkuar lejen nga autoritetet e Tiranës për të vazhduar misionin “dopjo-rol”, është udhëzuar të shmangë çdo kontakt me të. I përqendruar për të saktësuar sa më mirë atë çfarë ka ndodhur në fundvitet ’60 në portin e Barit, Vasil Malo zbulon gjatë rrëfimit dhe një fakt interesant, që s’përmendet askund në dokumentet e Sigurimit.

Shërbimet sekrete shqiptare, tregon ish-kapiteni, që e refuzuan të mbante lidhje me zbuluesin e NATO-s, e kanë shfrytëzuar njohjen e tij me këtë të fundit për të vendosur vetë kontakte agjenturore me “mikun” italian me origjinë shqiptare. I ka qëlluar atij, siç tregon, të realizojë takimin e parë të njërit prej zyrtarëve të Sigurimit me agjentin misterioz në Bari, duke e paraqitur atë si pjesëtar të ekuipazhit të anijes “De Rada”. Po çfarë kujton tjetër nga kjo histori kapiteni i dekretuar asokohe “Hero i Punës Socialiste”…?

Zoti Vasil, a është e vërtetë ajo që rezulton në dokumentet e Sigurimit, se ju keni qenë organizatori i arratisë së bujshme të vitit ’71?

Rrethanat si u realizua arratisja e familjes dhe fisit tonë në vitin ’71 i ka shpjeguar qartë për gazetën tuaj vëllai ynë, Pandeliu. Ajo është e vërteta e kësaj historie. Nuk kam ç’të shtoj tjetër. Idenë e hodhi i pari Llaqi, u bashkua me të dhe Pandeliu, që në atë kohë bënte Shkollën e Partisë në Tiranë. Unë u bëra pjesë e planit të tyre disi më vonë dhe pastaj të gjithë bashkë vendosëm e ikëm.

Ishte favor i madh që atëherë unë isha kapiten i një anijeje, me të cilën kisha lundruar disa herë jashtë shtetit. Kjo ishte mundësia fatlume në kushtet e asaj kohe, kur ishte e pamundur ta mendoje, pa le të merrje rrugën e të largoheshe. Ndoshta nga ky fakt, njerëzit e Sigurimit kanë menduar se iniciativën për t’u arratisur e kisha marrë unë…

Ka dhe një fakt tjetër që përmendet në dokumentet e Sigurimit…

E keni fjalën për lidhjet që kam pasur në atë kohë me një zbulues të huaj në Bari të Italisë. E kam mësuar këtë këto ditë nga shkrimi në gazetën tuaj. Më çuditi aty mënyra si e arsyetonte Kadri Hazbiu denoncimin që kisha bërë unë dikur tek organet e Sigurimit për një ofertë që më pati bërë një i huaj, që të shërbeja për zbulimin e shtetit të tij. Nuk arrij ta mendoj çfarë lidhjeje mund të kishte një episod i tillë i konsumuar në mirëbesim, shumë vite më parë, me organizimin e arratisjes në gushtin e vitit ’71. Nejse, kjo ishte puna e tyre…

Cila ka qenë e vërteta e lidhjeve tuaja me agjentin italian Pandeli Zaho?

E para, nuk bëhet fjalë për lidhje, ca më tepër agjenturore. Unë atëherë isha anëtar partie. Isha një ndër të besuarit e Sigurimit të Shtetit dhe s’mund të bëja aventura të tilla. E dyta, për aq sa kemi biseduar gjatë takimeve në Bari, asnjëherë nuk e mora vesh agjent i kujt ishte njeriu që më ofroi shërbimin për të huajt. Madje-madje edhe emrin s’ia mësova kurrë. Këtë Pandeli Zahon që përmend Kadri Hazbiu, për herë të parë e dëgjoj tani.

Atëherë, si jeni njohur me njeriun që ju ofroi shërbimin agjenturor në shkëmbim të shpërblimit financiar?

Për herë të parë jam takuar me të një ditë vjeshte, kur po ankoronim anijen në portin e Barit. S’më kujtohen detajet si u përballa me të, por mbaj mend çfarë më tha për t’i siguruar informacione nga Shqipëria për një shërbim të huaj, që, sipas tij, do të më jepte rrogë mujore.

Pranuat?

As bëhej fjalë ta pranoja. Aty për aty iu përgjigja me ca fjalë të përgjithshme dhe ndërrova bisedë, për t’i lënë të kuptonte se gjëra të tilla duhen peshuar mirë…

Për çfarë informacionesh interesohej?

Ai thoshte se zbulimi që më ofronte këtë shërbim interesohej për të mësuar të dhëna për grupimet ushtarake që ishin në Sazan dhe Pashaliman. Kërkonte të dhëna konkrete për situatën në bazën e Vlorës.

E raportuat këtë, kur u kthyet në Shqipëri?

E raportova, bile pa u futur në shtëpi. Kërkova takim me Viro Zhebron, operativin e portit dhe ia shtjellova me hollësi. Për mua ishte një çështje delikate dhe duhej patjetër të vija në korent Sigurimin e Shtetit. Që këtej ika i lehtësuar, duke qëndruar në pritje të përgjigjes zyrtare për mënyrën si do të sillesha me mikun italian. Bëhej falë për një vijë sjelljeje që, siç më tha Virua, do ta miratonin eprorët e Ministrisë së Brendshme…

Një përgjigje që nuk ju erdhi asnjëherë…

Në pritje të përgjigjes zyrtare, operativi i portit, pas disa muajsh më thirri dhe më tha se autoritetet e Tiranës, Byroja Politike, më saktë Hysni Kapua, kishte kundërshtuar angazhimin tim në kombinacionin agjenturor. Këtë e argumentonte me faktin se isha komunist dhe një i tillë, sipas parimeve të kohës, e kishte kategorikisht të ndaluar në futej në aktivitet spiunazhi.

Që këtu u mbyll përfundimisht historia me agjentin e huaj?

U mbyll në njëfarë mënyre për mua, po historia me të vazhdoi në një linjë tjetër…

Për çfarë linje e keni fjalën?

Denoncimi që bëra unë te Sigurimi i Shtetit për “mikun” nga Italia, u vlerësua jo pa interes për zbulimin tonë, pavarësisht shmangies sime nga kontaktet me të. Eprorët e Tiranës më në fund kishin vendosur ta shfrytëzonin këtë mundësi, për të realizuar një takim të ekspertit të tyre me agjentin e huaj në Bari. Mendohej, me sa dukej, se mund të vilej diçka prej tij. Në këtë rast, unë u bëra ndërlidhësi dhe realizuesi i këtij plani.

Pra, ju thoni se Sigurimi i Shtetit shmangu lidhjet tuaja dhe vendosi vetë kontakte me agjentin e huaj në Bari?

Kur më thirrën në Degë dhe më komunikuan se nuk ishte miratuar leja për të vazhduar lidhjet me njeriun që më ofroi shërbimin për zbulimin e huaj, më thanë se njëherë për njëherë nuk do t’i shkëputësh kontaktet me të, por në asnjë rast s’do të flasësh për gjëra të karakterit sekret. Do të veproja kështu, sipas tyre, derisa të mundësoja një takim të njërit prej ekspertëve të Sigurimit me të.

Familja e Jani Malos gjatë një feste familjare në SHBA
Familja e Jani Malos gjatë një feste familjare në SHBA

Në çfarë rrethanash e realizuat takimin e njeriut të Sigurimit me agjentin e NATO-s?

Në një nga lundrimet që bëja me anije nga Vlora në Bari, sipas planit të Sigurimit, bëra pjesë të ekuipazhit Viro Zhebron, operativin e portit. E vesha me uniformën e marinarit dhe sa mbërritëm në Bari, organizova takimin me Panajot Zahon, siç e quanin njerëzit e Sigurimit. Ndenjëm për çaste të tëra bashkë.

Folëm për probleme nga më të ndryshmet. Se përse interesohej Virua, ishte punë e tij e unë s’mund të ndërhyja. Deri këtu vazhdoi historia ime me mikun nga Bari. Çfarë ndodhi më tej me të, nuk kisha si ta mësoja. Pastaj ndodhi ajo arratisja nga Himara dhe çdo gjë për mua u harrua…

Sidoqoftë, arratisja ka ndodhur disa muaj më vonë…

Që nga momenti që më thanë se s’duhej të merresha më me mikun nga Bari, për mua kjo histori ishte mbyllur përfundimisht. Kontakti i fundit me të ka qenë takimi që bëra në prani të operativit të portit. Çdo interesim i mëtejshëm ishte me pasoja. Se ishin gjëra delikate këto atëherë…

Me një fjalë, ju e mohoni që kontaktet me Panajot Zahon kishin lidhje me arratisjen tuaj…

Absolutisht, asnjë lidhje nuk pati në këtë mes. Të tjera ishin rrethanat dhe shkaqet që i paraprinë asaj ngjarjeje. Unë habitem pse Sigurimi i Shtetit e trajton të varur arratinë tonë me njohjen time me atë emigrant, që pretendonte se punonte për një zbulim të huaj. Po kështu më habit fakti që në dosjet e Ministrisë së Brendshme nuk është dokumentuar takimi që i kam realizuar unë Viro Zhebros në Bari të ashtuquajturit Panajot Zaho…

Po me Vrio Zhebron biseduat më vonë për këtë çështje?

Vrio Zhebron e kisha mik, por nuk mund t’i ndërhyja në punën e tij, s’mund ta pyesja për çështjet që ndiqte në rrugë operative. Ca më tepër për problemin e agjentit të NATO-s në Bari. Asnjëherë sa isha aty nuk ia kam përmendur. Bile edhe kur jam kthyer nga Amerika dhe jemi takuar në vitin 1992, nuk ia kam zënë në gojë. Çfarë t’i kujtoja atij, kur njohjet e mia me të ishin bërë shkaku kryesor që i rrënuan jetën dhe karrierën…

Çfarë lidhjeje kishte fati i tij me historinë e arratisë suaj?

Në njëfarë mënyre arratisja jonë e mori në qafë Vrion e shkretë. E shkarkuan nga detyra si operativ i portit, e nxorën nga radhët e Sigurimit, e përjashtuan nga Partia, e syrgjynosën diku si të ishte i padëshirueshëm për shoqërinë. Si mos më keq përfundoi i gjori. I kam ndjerë thellë në shpirt pasojat që vuajti nga shkaku i arratisë sonë. I kam kërkuar bile edhe falje, kur jam takuar me të pas kthimit nga Amerika…

I keni kërkuar falje, përse?

Vrion e kam kërkuar të parin, kur erdha për herë të parë në Shqipëri. E ftova për një drekë dhe aty folëm gjerë e gjatë.

I thashë me plot gojën “më fal”, për të gjitha andrallat që i kishim krijuar. E bëra këtë me ndërgjegje, sepse isha i bindur se po të mos ishte ajo arratisja jonë, Vriua do të vazhdonte karrierën. Se ishte një djalë i shkëlqyer, i përgatitur dhe një specialist shumë i mirë…

Me arratisjen tuaj u ndëshkuan edhe mjaft të tjerë, u keni kërkuar falje atyre?

Që kanë ndodhur shumë ndëshkime me rastin tonë, këtë e kam marrë vesh më vonë, por edhe e paramendoja një stuhi të tillë. Se ikte një njeri diku dhe dënoheshin dhjetëra të tjerë. Rasti ynë, kur bëheshim rreth 30 veta, ishte vërtet i paprecedentë. Së paku deri në atë kohë. Plot, besoj, janë ndëshkuar. Unë s’kisha ku ta mësoja. Vrion po, e dija, prandaj e kërkova vetë.

Ca më keq më ka ardhur për marinarët që morëm me vete në atë lundrim aventure. Të mjerët ata, u kthyen nga Korfuzi, për të mos tradhtuar atdheun dhe ranë në breshërinë e regjimit, si bashkëpunëtorë me armiqtë që kapërcyen kufirin shtetëror. Edhe atyre e kam ndjerë gjithmonë se u kam një borxh jo të vogël. Ca më tepër nga pozita e kapitenit që i mori forcërisht në rrugën drejt tokës së huaj. I kam takuar dhe ata. Ua kam shprehur me zemër të hapur ndjesën.

Po motrës dhe kunatit që morët me vete deri në Korfuz dhe nuk u treguat ku po shkonit, u keni kërkuar falje?

Me motrën ndryshon disi historia, po kështu dhe detyrimi. Ajo bashkë me familjen mbeten nga njerëzit më të dashur për mua. Ata me vështirësi e kanë harruar atë që ndodhi atë ditë gushti në portin e Korfuzit, por sidoqoftë, kanë vuajtur shumë. Nga një anë, i nderonin që nuk iu bashkuan grupit të tradhtarëve, nga ana tjetër, çfarë nuk u thoshin duke u kujtuar familjarët që kishin tradhtuar atdheun. E hoqën motrën nga puna dhe e degdisën diku në fshat. I kishte të shkëlqyera vajzat me mësime, por asnjërës nuk i dhanë të drejtën e studimit për në universitet…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura