“Arratia e familjes Popa”, Ylljet Aliçka boton romanin në Itali

Jul 28, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Ata ndiheshin heronj dhe mendonin se do të trajtoheshin si të tillë. Kishin sfiduar diktaturën komuniste…, por dafina nuk pati për ta, veç harresë.

Motrat Popa, Maria dhe Zhaneta
Motrat Popa, Maria dhe Zhaneta

Historia e bujshme e arratisjes së familjes Popa, përshkruar në një mënyrë tërheqëse, sa ironike aq edhe të dhimbshme nga shkrimtari Ylljet Aliçka, botohet në Itali. Këto ditë, shtëpia botuese “Rubbettino” ka hedhur në qarkullim romanin “Il sogno italiano”, i njohur për lexuesin shqiptar nën titullin “Valsi i lumturisë”.

Ky roman, i përkthyer në gjuhën italiane nga Giovanna Nanci është fitues i çmimit të Ministrisë së Kulturës në vitin 2013, si proza më e mirë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në garën për çmimin “Ballkanika 2014”.

Siç do të shprehej Ismail Kadare “Me një ton, në dukje neutral, Aliçka arrin të evokojë një realitet që na shfaqet sa qesharak aq edhe tmerrues, ndërsa lejon që ngjarjet të rrjedhin lirshëm, pa sforcime”.

Shkrimtari Ylljet Aliçka
Shkrimtari Ylljet Aliçka

Romani i Aliçkës mbështetet mbi një histori të vërtetë, atë të familjes Popa, por që në veprën e tij transformohen në “Tota”. Edhe pse përjetimet shpirtërore, psikologjike të të “ngujuarve” në Ambasadën Italiane janë pjellë e fantazisë së autorit, në një farë mënyre atmosfera që ai ndërton brenda atyre dhomave përçon atmosferën e përgjithshme që mbizotëronte në Shqipërinë e asaj kohe, vendit më të izoluar dhe të panjohur në Europë.

NGJARJET

Ishte dhjetori i vitit 1985. Diktatori kishte disa muaj që kishte vdekur. Nën zë, të gjithë shpresonin një hapje ndaj botës, por në të vërtetë asgjë nuk ndodhi. Pasardhësi premtoi vazhdimin e “rrufës së lavdishme” të Enver Hoxhës. Pikërisht në këtë fundviti, familja Tota, e përbërë nga katër motra dhe dy vëllezër, futen në Ambasadën Italiane, në Tiranë dhe kërkojnë azil politik. Shteti totalitar shqiptar është shtangur.

Bëhet fjalë për një ngjarje të paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë bllokun e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore. Gjithsesi familja Tota do të dalë nga ambasada vetëm 5 vjet më pas, pas negociatave të gjata ndërkombëtare dhe një jete tërësisht të izoluar dhe nën vëzhgim.

ylljet-alic_ka-il-sogno-italiano

Të strehuar në dy dhoma në katin nëntokësor të ndërtesës, do të përjetonin shpresa, zhgënjime, ëndrra për një “martesë alla italiane”, si dhe vuajtje psikologjike. Përgjatë këtyre pesë viteve, mes policëve, diplomatëve dhe agjentëve të Sigurimit të Shtetit, do të ndodhin gjithfarëlloj incidentesh dhe keqkuptimesh.

Vetëm në maj të vitit 1990, gjashtë protagonistët do të zbresin “triumfalisht” në Itali. Por edhe atje gjërat nuk shkojnë siç e prisnin. Ata ndiheshin heronj që kishin luftuar diktaturën dhe shpresonin të trajtoheshin si të tillë. Por në të vërtetë do të përfshihen në një qerthull burokratik rutinë të azilkërkuesve.

Si fillim u transferuan në një kamp refugjatësh politikë e më pas në një ndërtesë popullore, në të cilën do të jetonin të harruar nga të dy vendet, të pazotët për t’u integruar në atdheun e ri dhe për t’i dhënë një kuptim lirisë së tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura