“Arnimet” e spitaleve/ Shtohen 50 shtretër dhe shtyhet hapja e COVID 4

Nov 23, 2020 | 8:11
SHPËRNDAJE

ADA AZIZOLLI/ Ashtu siç edhe pritej, rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 ka sjellë shtim të pacientëve në spital.

spitali covid rama pamjet3

Aktualisht në Infektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në godinën e ish-kirurgjive në QSUT po marrin mjekim 449 persona. Rritja me shpejtësi e numrit të të shtruarve, ka çuar thuajse drejt ezaurimit të kapaciteteve në tre strukturat COVID duke e bërë edhe më të ngutshme hapjen e COVID 4. Por, në vend të kësaj, Ministria e Shëndetësisë ka gjetur si zgjidhje shtimin e shtretërve në godinat ekzistuese duke vështirësuar edhe më tej punën e stafeve mjekësore, të cilët “detyrohen” të kenë më tepër pacientë në ngarkim.

PAVIJONI I RI

Përmes nëndrejtoreshës së QSUT-së, dr. Ariana Strakosha u bë me dije se është gati pavijoni i tretë në spitalin COVID 3 (ish-kirurgjitë) me kapacitet 50 shtretër. “Sikurse e shihni kemi kapacitete shtretërish të lirë për t’u shërbyer qytetarëve. Në gjendje të gatshme për të pritur të gjitha llojet e stadeve të sëmundjeve, me investimet përkatëse, skenarët e parashikuar, në gjendje për të pritur të sëmurët është dhe COVID 4, pasi të mbushen gjithë kapacitetet e COVID 1, COVID 2 dhe COVID 3″, tha doktoresha, e cila ka apeluar qytetarët që të respektojnë rregullat e vendosura për të shmangur fluksin në spitale. “Për të eliminuar pikërisht dyndjen të sëmurëve drejt spitaleve, u bëj edhe njëherë thirrje qytetarëve të zbatojnë me rigorozitet rregullat. Nuk është sëmundje e lehtë. Nuk është shaka. Duhet ruajtur distancimi, duhet të evitohen festat, duhet të evitohen baret, duhet të evitohen datëlindjet, pra shumë gjëra që tashmë i dimë. Në këtë mënyrë, ne të gjithë luftojmë sëmundjen, edhe e përballojmë akoma më lehtë, pikërisht edhe fluksin e pacientëve, të cilët kanë nevojë për hospitalizim”, apeloi Strakosha. Në total në 4 spitalet COVID janë 550 shtretër dhe sipas strategjisë së vjeshtë-dimrit të hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është parashikuar dhe hapja e disa spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve COVID. Por, ndërsa dihet numri i shtretërve, ajo që nuk dihet është sesa janë kapacitetet e reparteve të terapisë intensive. Nëse ka një sfidë sot në botë nuk janë shtimi i rasteve ditore, por fuqizimi i pavijoneve të reanimacionit. Thuajse 3 apo edhe 4 për qind e pacientëve përfundojnë në reanimacion, ndaj edhe beteja është pikërisht aty.

Por pavarësisht masave, apelit të bërë, qytetarët vijojnë të mos e marrin seriozisht rrezikun. Për këtë mjaftojnë pamjet e shpërndara dje në media nga zona e liqenit në kryeqytet, ku shumë qytetarë janë parë grumbull dhe pa asnjë masë mbrojtëse ndaj virusit. Pamjet ngjallën edhe reagimin e ministres Manastirliu në rrjetet sociale. “Kjo pamje do të ishte e zakonshme në një kohë tjetër. Në një kohë normale. Pa pandemi. Pamje si kjo tregojnë që nuk po e marrim seriozisht rrezikun që sjell moszbatimi i rregullave të vendosura. Virusin e parandalon kujdesi në sjelljen e gjithsecilit, e parandalon përgjegjshmëria qytetare në këtë kohë pandemie që vjen një herë në 100 vjet. Ne do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, në shërbim të mbrojtjes së jetës nga virusi i rrezikshëm. Por, duhet të kuptojmë se burimet përballë pandemisë nuk janë të pafundme. Nuk janë të tilla për asnjë shtet të botës”, ka shkruar ministrja në rrjetet sociale ku ka apeluar për respektim të masave anti-COVID.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura