Arna, arna…

Oct 15, 2017 | 12:04
SHPËRNDAJE

Nga: EDMOND TUPJA EdmondTupja

Ende ruaj në shtëpi një makinë të vjetër qepëse, “Singer” origjinal, të fillimit të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Kur isha i vogël, domethënë rreth gjashtëdhjetë vite më parë, ime më (me profesion rrobaqepëse këmishësh para se të dilte partizane), na rregullonte këmishat me atë makinë duke ua kthyer nga ana e prapme jakat e ronitura prej përdorimit të shpeshtë dhe larjeve të shumta, ose duke ua prerë mëngët për t’i shndërruar ato në jaka të reja. Nëna na arnonte gjithashtu edhe çorapet me një durim të përsosur. Asokohe gjithashtu, kur qepnin ndonjë xhaketë të re, shqiptarët i kërkonin rrobaqepësit që xhepin e vogël t’ua bënte të rremë, pra, të papërdorshëm, vetëm sa për t’u dukur si i tillë, sepse, një ditë do të vinte që atë xhaketë tashmë të vjetëruar do t’ia çonin rrobaqepësit që t’ua kthente nga e prapmja dhe vetëm atëherë xhepi do të bëhej vërtet funksional, siç thuhet sot.

Jo më kot, lexuese e lexues të përjavshëm të kësaj rubrike, e nisa pardje këtë shkrim me këto kujtime: një ditë më parë kisha takuar rastësisht kunatin e mikut dhe ishkolegut tim Françesk Armadhi, rrobaqepës me emër, që vazhdon të qepë në një dyqan modest jo më shumë se 10-15 minuta larg sheshit “Skënderbe”. Kur e pyeta se si i shkonte puna, “Dobët, – m’u përgjigj duke tundur kokën me trishtim të sinqertë – ka rënë fare. Njerëzit sjellin vetëm rroba për t’u riparuar si pallto, pardesy, xhaketa, fustane e funde për t’u ngushtuar ose kthyer nga ana e prapme, pra, thuajse nuk qepin më veshje të reja. Ikën ato kohë të bekuara kur qepja të paktën një xhaketë, një xhakoventë, një xhup apo një kostum në javë”.

Heshti një copë herë, pastaj vazhdoi: “Por ka edhe më keq se ne, rrobaqepësit… Dyqanet e kë- pucëve, për shembull: njerëzit blenë më rrallë këpucë, sepse kanë interes t’i riparojnë të përdorurat te këpucarët, të cilët po fitojnë më shumë se para disa vitesh… Imagjino se ç’mund të ndodhë sikur të na vënë edhe TVSH-në me 20 për qind!” Kunati i Françeskut druan se, me sa duken bathët (me “a” dhe jo me “y” deri tani të paktën), ndonjë ditë do t’u sjellin rrobaqepësve edhe shalle, çorape e gjimbajtëse, por sidomos pizhame, benevrekë, mbathje që t’ua arnojnë në mënyrë që njerëzit të mos mërdhijnë nga bathët (me “y”, kësaj radhe, vetëm me “y”).

Rrezik, pra, sipas atij, që një ditë të bukur, në tabelat e rrobaqepësive, të shtohen shpjegime të hollësishme si, për shembull, “Riparojmë brekë, benevrekë e të tjera të brendshme për burra e gra”.

Gjithashtu, nuk përjashtohet rreziku që, po sipas atij, të plasë një konkurrencë e pandershme midis strukturave bamirëse, firmës “Gabi & Sons” dhe rrobaqepësve në buzë të falimentimit, sidomos për riparimin e mundshëm, ndër të tjera, të brekëve “firmato”, sidomos të tipit tanga aq të përshtatshme kur njerëzit do të detyrohen të kërcejnë tango nga belaja.

Së fundi, meqenëse gjendja ekonomike e njerëzve të thjeshtë sa vjen e po rëndohet pavarësisht premtimeve kallpe të qeverisë, tek shkruaja pardje këto radhë, sesi m’u kujtua refreni i një kënge të vjetër që i këndohej bijës së Tares, vajzë ezmere: “Jarna, jarna, lala të ka xhan” (nëse nuk më tradhton kujtesa ose memoria, siç u thënka sot në shqipe të dhunuar), refren që mund t’i këndohet të tashmes së Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike, veçse duke hequr dy “j”-të, pra “Arna, arna, qeveria të ka xhan!”, arna aq të dukshme, aq tipike për shoqërinë tonë materialisht e shpirtërisht të hallakatur e halleshumë, arna të zeza të qepura me pe, me spango apo edhe me litar të bardhë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura