“Armiqtë po vënë bast se ne nuk mund t’ia dalim”,- SHBA-ja mban Samitin për Demokracinë, mesazhet e forta që pritet të përcillen

Dec 9, 2021 | 9:58
SHPËRNDAJE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, më 9 dhjetor do të hapë punimet e Samitit për Demokracinë, një ngjarje e organizuar në mënyrë virtuale, ku do të marrin pjesë liderët e 110 shteteve.

biden

Në këtë samit, ku merr pjesë edhe Kosova, pjesëmarrësit pritet të bëjnë zotime të reja ndaj demokracisë.

Biden – që është i vendosur që t’i tregojë botës se demokracia mund të funksionojë ende teksa autoritarizmi po rritet në mbarë botën – do të flasë nga Shtëpia e Bardhë, duke hapur kështu Samitin për Demokracinë.

Biden është zotuar se do ta organizojë këtë samit në nisje të mandatit të tij presidencial, me qëllim që të përforcojë angazhimin e SHBA-së që të vendosë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme të Uashingtonit, tha administrata e tij përmes një deklarate.

Samiti për Demokracinë do të mbahet gjatë dy ditëve, përmes video-lidhjeve, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kjo ngjarje është cilësuar si demonstrim i udhëheqjes amerikane në mesin e një lufte ekzistenciale midis demokracive dhe autokracive apo diktaturave të fuqishme.

Kina dhe Rusia – dy shtete të cilat Bideni i sheh si autokracitë kryesore – nuk janë ftuar që të marrin pjesë në këtë samit, gjë që ata thonë se ka nxitur dallime ideologjike.

“Asnjë shtet nuk ka të drejtë të gjykojë peizazhin e gjerë dhe të larmishëm politik të botës përmes një mase të vetme”, shkruan muajin e kaluar, ambasadori i Rusisë, Anatoly Antonov dhe ai i Kinës, Qin Gang.

Duke e irrituar edhe më shumë Kinën, administrata Biden e ka ftuar në këtë samit Tajvanin, ishulli që udhëhiqet në mënyrë demokratike, por që Pekini e sheh si provincë kineze.

Liderët e shteteve të NATO-s, siç është Turqia dhe Hungaria nuk janë ftuar, ndërkaq udhëheqësit e Pakistanit, Filipineve dhe Brazilit janë ftuar në këtë samit.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, janë ftuar edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërkaq, Bosnje e Hercegovina nuk është ftuar.

Një tjetër problem është edhe sulmi i 6 janarit ndaj Kongresit amerikan, në kohën kur po certifikohej fitorja e Bidenit ndaj presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, i cili ende vazhdon të mos i njoh rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Biden iu referua këtij sulmi, në kontekstin e demokracisë, gjatë adresimit në Kongres, disa javë më vonë.

“A mundet që demokracia jonë të tejkalojë gënjeshtrat, zemërimin, urrejtjen dhe frikën që po na ndajnë?”, pyeti Biden gjatë mbledhjes së Kongresit.

“Armiqtë e Amerikës – autokratët e botës – po vënë bast se ne nuk mund t’ia dalim”, shtoi ai.

Michael Abramowitz, president i Freedom House tha se demokracia në SHBA po lulëzon, por viteve të fundit ajo është lënduar.

“Tani për tani, ne po kalojmë nëpër një fazë në Amerikë ku është shumë e vështirë të kryhen gjërat dhe të vërtetohet se demokracia funksionon”, tha ai për AP.

Raporti i fundit vjetor i Freedom House shënoi vitin e 15 me radhë të rënies së demokracisë në botë.

“Nuk është sekret që demokracitë në mbarë botën po përballen me sfida nga kërcënimet e reja. Shtetet, në të gjitha rajonet e botës, po përballen me një shkallë të rënies së demokracisë”, tha Uzra Zeya. Nënsekretare e Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Një prej temave të samitit do të jetë efektet e dëmshme të korrupsionit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se grupet që veprojnë përtej kufijve janë “stabilizues” dhe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë qeveritarë.

“Ne e dimë gjithashtu se krimi i organizuar, i mbështetur nga aktorët e korruptuar, mund të destabilizojë sundimin e ligjit, të përkeqësojë besimin në institucione publike dhe të dobësojë qeverisjen demokrate”, tha Blinken përmes një deklarate.

REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura