Armiket e reja të Partisë

May 25, 2016 | 12:40
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Historia e Anisa A., vajzës njëzetenjëvjeçare nga Peshkopia, e njohur për aktin e denoncimit të ish-kryebashkiakut të Dibrës, Sh. Xhelili, rrezikon t’i ngjajë në një pikë të vazhdimit të saj historisë së doktor  Stokmanit në dramën e famshme të Henrik Ibsenit “Armiku i popullit”.

Për lexuesit që nuk e njohin këtë vepër të dramaturgut të madh norvegjez po mjaftohemi t’u bëjnë me dije telegrafikisht se personazhi kryesor, doktor Stokmani, zbulon se ujërat e banjave ku shërben si mjek përmbajnë mikrobe sëmundjesh të rrezikshme për jetën e njerëzve.

Ai nxiton të japë alarmin, por e sheh veten papritur përballë një mjedisi ku ndërthurën interesa të tjera, krejt të kundërta me të vërtetën e denoncuar prej tij. Doradorës, ai përfundon në rrethimin e fuqive okulte apo të shpallura, që ia dalin ta mbërthejnë në shtyllën e turpit si armik të popullit! Nuk janë synimet e së mirës, por forcat e së keqes ato që caktojnë fatin e përballjeve- kjo paradigmë është e vjetër.

Ibseni e sjell në trajtën e një sarkazme të hidhur kundër tendencave irracionale të masës dhe natyrës së korruptuar të sistemit politik. Po të vazhdojmë të flasim për dramën e Ibsenit, do të largohemi akoma më shumë nga historia e Anisës nga Peshkopia. Por ma merr mendja jo aq shumë sa të humbasim atë që na intereson në këtë shkrim, pikën e ngjashmërisë në mesazhin që përmbajnë.

Anisa, sigurisht nuk është nisur të shpëtojë të tjerët, por veten e saj. Ma merr mendja nuk ka pasur në plan të parë vlerën publike të aktit që po ndërmerrte, por thjesht të hiqte qafe dhe t’i tregonte vendin kryetarit që i kërkonte favore seksuale përkundrejt vendit të punës. Nuk e ka parë të mundshme këtë, duke e shmangur me fjalë apo duke e denoncuar pranë organeve të Policisë.

Koha që jetojmë u ka mësuar njerëzve, sidomos vajzave të reja, se shteti të lë në baltë edhe kur ke prova e jo më kur ke vetëm fjalën për të denoncuar kriminelë, zyrtarë të korruptuar apo sojin e kryebashkiakëve manjakë që kujtojnë se vota i ka bërë pronarë të tokave, shpirtrave, mishit të bardhë, hireve dhe çdo gjeje tjetër.

Ndaj në vendimin e përballjes për jetë a vdekje, në kuptimin metaforik të fjalës, Anisa zgjodhi regjistrimin e fshehtë dhe publikimin e videos në media. Çfarë ndodhi më tej e dimë të gjithë. Ish- kryebashkiaku i Dibrës është shkarkuar nga detyra, është arrestuar dhe pret të gjykohet.

Praktikisht, jeta e tij ka pësuar një gremisje që nuk do t’ia uronim askujt, por nga ana tjetër, nuk mund të evitohet për askënd që abuzon me postin. Deri tani Anisa dhe gjithë opinioni publik që e ka mbështetur kanë arsye të ndihen të shpaguar.

Pika ku kjo vajzë ka rrezikuar e rrezikon të marrë mbrapsht, bashkë me çlirimin nga halli që kishte, edhe një çmim të pamerituar për aktin e saj të guximshëm, është kundërvënia e fshehtë apo e drejtpërdrejtë e një kategorie njerëzish që synojnë t’ia bëjnë jetën të padurueshme në vendin e saj. Nuk është fjala për disa opinione të lira kundër regjistrimit të fshehtë.

Ka gjithnjë hapësirë për larmi opinionesh kur diskutohet për regjistrimin e fshehtë të tjetrit, që dikush e konsideron një abuzim me mundësinë që tjetri të jep. (Siç e nënvizuam më lart, këto mënyra denoncimi i dikton dhe i justifikon indiferenca e shtetit në një anë dhe fuqia e njerëzve me pushtet në anën tjetër që jetojmë mbi ligjin dhe nuk mund të kapen ndryshe).

Fjala është për një fushatë linçimi mediatik të vajzës përmes rrjeteve sociale, duke shfrytëzuar mundësinë që krijojnë këto rrjete për ndë- rhyrje dhe sulme pirateske në ruajtje të anonimatit. Pardje, gazeta “Panorama” kishte publikuar një padi të dytë të Anisa A., në të cilën ajo kishte denoncuar në Prokurorinë e Peshkopisë hapjen në rrjetin social “Faccebook” të një adrese false me emrin dhe me fotografinë e saj, ku ishte sulmuar me sharje dhe fyerje nga më të turpshmet.

Ajo shprehte dyshimet se prapa këtij sulmi qëndronin anëtarë të FRESH-it të Dibrës. Nuk e di a janë të gjindshëm këta lloj krimbash që vënë në dyshim dhe ndyjnë vetë mrekullinë e komunikimit në rrjetet sociale. Barrën për t’i gjetur e ka Prokuroria. Sot për sot, askush nuk mund të pohojë kush janë. Por më ka bërë përshtypje një gjë.

As dje, as sot nuk kam parë në asnjë media ndonjë deklaratë distancimi të FRESH-i të Dibrës, të FRESH-it të Shqipërisë apo të Partisë Socialiste nga linçuesit anonimë. Nuk kam parë asnjë reagim nga organizatat e tjera rinore në vend. Kërkoj ndjesë nëse më kanë shpëtuar. Do të më vinte shumë mirë po të ketë pasur.

Rasti është për të vënë duart në kokë, siç thotë populli. Logjikisht, nuk kemi pse të dyshojmë se vajza ka gabuar duke identifikuar kryesisht moshatarë të saj në sulmin e ndyrë mediatik që ka pësuar. Pra tontomakutët që i kanë falsifikuar adresën e Facebook-ut për ta telendisur janë të rinj. Kjo është e rëndë, më e rëndë sesa të ishin hedhur në sulm paçavrat e shekujve dhe atavizmat e racës, të cilat e mbajnë vajzën dhe gruan fajtore dhe skllave të lindur të burrave.

Unë besoj se në këtë histori, të rinjtë e të rejat, të çdo ngjyre politike qofshin, janë në shumicë dërrmuese me Anisën. Nuk ka mundësi që vajza dhe djem njëzetvjeçarë të jenë të revoltuar me aktin e saj. Përkundrazi, ka arsye që ata të jenë të revoltuar me fyerjen që dikush ka dashur t’i bëjë moshatares së tyre, duke i kushtëzuar bukën e gojës me marrjen e dinjitetit.

Nuk më shkon mendja kurrë se vajza dhe djem dibranë apo nga rrethet e tjera të vendit do të angazhoheshin në linçimin e saj mediatik përmes rrjeteve sociale. Unë besoj se të gjithë e neverisin kërkimin e favoreve seksuale nga baballarë, gjyshër e kushdo tjetër në shkëmbim të vendit të punës dhe në abuzim flagrant me postin publik.

Sulmet që ka denoncuar Anisa nuk mund te jenë pra qëndrime të lira të të rinjve. Këto sulme kanë frymëzim, shtytje, instrumentalizim dhe, pse jo, organizim politik. Qëllimi nuk mund të jetë tjetër veçse hakmarrja e natyrës politike. Këto lloj sulmesh gjejnë terren dhe madje nxiten nga deklaratat e ndonjë eksponenti të PS-së, sikur ngjarja është “inskenim politik”, por pa sjellë asnjë argument apo fakt.

Më tej, këto sulme gjejnë një dritë jeshile të ndezur në mungesën e veprimeve apo gjesteve të domosdoshme që duhet të përmbushin në raste të tilla krerët politikë të shumicës. Ish-kryetari i Bashkisë u shkarkua dhe nuk mund të mos shkarkohej. Po më tej? Ku është ndjesa publike dhe, kryesorja, ku është ndjesa ndaj vajzës që, sigurisht, ka qenë dhe është e traumatizuar për arsye që s’ka nevojë të jesh psikolog për t’i kuptuar?

Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama nuk shlyhet me të dhe me publikun duke shkarkuar kryetarin e bashkisë. Kërkohen gjeste të tjera, fjala vjen të kishte dërguar një përfaqësuesin e tij në shtëpinë e vajzës, për të mos thënë të kishte shkuar vetë. Kjo është një çështje e madhe publike e dinjitetit të individit, e dinjitetit të vajzave dhe grave, e raportit që duhet të kenë të zgjedhurit dhe funksionarët publikë me qytetarët pa përjashtim, sidomos me ata në hall.

Shteti e ka për detyrë të bëjë gjeste që japin mesazhe se nuk lejon të nëpërkëmbën, por i mbron këta njerëz, i përkrah ata që ngrenë zërin, ata që denoncojnë të keqen, ata që përballen. Në të kundërtën, heshtja, mungesa e gjesteve mbështetëse nga ana e Kryeministrit lexohen si shprehje e brengës së tij të brendshme, meskine sigurisht, për dëmin që i është bërë në parti. Prej këtu niset me mision lukunia e linçuesve në rrjete.

Armiqtë dhe armiket e reja të partisë u lihen skuadroneve me maska të dhunës verbale, shpifjeve, denigrimit, përbaltjes. Këta vjedhës dhe agresorë interneti nuk kanë asnjë dallim nga hajdutët me maska që grabisin njerëzit në rrugë, madje janë edhe më të këqij, sepse veç fytyrës fshehin edhe praninë, edhe vendndodhjen.

Kam përshtypjen se një skuadron i tillë është ndërsyer edhe kundër Anisës. Çfarë duhet bërë? Një zgjidhje po vjen. Fundi do të vijë patjetër për këto ndërmarrje kriminale, disa prej të cilave, siç më ka thënë një koleg me akses në qeveri, punojnë me norme sharjesh brenda zyrave të shtetit. Por rinia e lirë nuk duhet të presë për t’i dëshmuar solidaritetin një të reje, të cilën nevoja për punë e përplasi me një përvojë shokuese.

Nuk kanë vlerë, madje mua më duken hipokrite ato hashtagët “Je sui” ky apo ajo pas pilafit. Gjithë puna është të jesh me tjetrin në ditën kur ai ka më shumë nevojë, në ditën kur po lufton për një qëllim të mirë. Sidoqoftë, duhet ta themi: Luftëtarët dhe luftëtaret i shpëton vetëm qëndresa.

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura