‘Armët në Kishë i ka fut Sigurimi’, fjalët e ish-hetuesit që u pushkatua për shpërndarje traktesh kundër pushtetit. Dëshmia e Padër Leon Kabashit

| 14:50
SHPËRNDAJE

pjimage (3)Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Pjerin Kçirës nga qyteti i Shkodrës i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës u mobilizua dhe shërbeu si hetues e nënoficer i Sigurimit të Shtetit në Degën e Punëve të Brendëshme të Shkodrës dhe në vitin 1948, u arrestua duke u akuzuar si “kryetar i një grupi antiparti që kishin shpërndarë trakte me përmbajtje kundër pushtetit popullor”. Dënimi fillimisht i Kçirës me 20 vite burg politik.

Pasi deklaroi në gjyq se armët në Kishën e Françeskanëve në vitin 1946, i kishte futur vetë Sigurimi i Shtetit, ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua.

Dëshmitë e rralla të Padër Leon Kabashit një prej dëshmitarëve të ngjarjes së “armëve në Kishë” (e cila konsiderohet si një nga më të bujshmet e historisë së regjimit komunist në luftën ndaj Klerit Katolik) dhe disa prej ish-të dënuarëve politik nga qyteti i Shkodrës, të cilët tregojnë se si ish-hetuesi dhe nënoficeri i Sigurimit të Shtetit, Pjerin Kçira, i ka shpëtuar ata nga torturat dhe dënimet me vdekje, duke u’a manipuluar procesin hetimor në favor të tyre.

“Por desht zoti, e vërteta mbi “armët në kishë”, doli qysh në vitin 1949, kur një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, hetues, i cili i dënuar në gjyq për fajet kundër partisë e pushtetit, si kryetar grupi, dhe si përpilues traktesh, me 20 vjet burg, dënim të cilin nuk e pranon dhe ngrihet para trupit gjykues e para popullit dhe deklaron, se: armët në Kishën Franceskane nuk ishin të fretënve, por ishin armë të fut nga Sigurimi i Shtetit, për të fajsue totalisht Klerin Katolik dhe për këtë, dënimi nga 20 vjet, i’u kthye në vdekje, dhe u pushkatue.

Shumë fjal, posht e nalt janë ba për këtë deklaratë të Pjerin Kçirës, të cilën unë e kam ndie me veshtë e mi. Ndoshta ndonjë për qëllime të veta, edhe ja kanë ngjeshë Pjerinit këtë gjë, por unë them se sot, ka ardh koha që e vërteta të dalë ashtu siç është. Unë jam dëshmitar i kësaj ngjarje”. Kështu është shprehur në mes të tjerash në një deklaratë publike të bërë që në 4 mars të vitit 1995, Padër Leon Kabashi, një nga të burgosurit politik që vuajti vite të tëra në burgjet dhe kampet e internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, lidhur me ngjarjen e shumëpërfolur të “armëve në kishë” të ndodhur në qytetin e Shkodrës në vitin 1946, ku në Kishën e Fretnëve Françeskanë, Sigurimi i Shtetit “gjeti armë”.

Që nga ajo ditë e deri në shëmbjen e regjimit komunist, historiografia dhe propaganda zyrtare e atij regjimi, e ka konsideruar dhe paraqitur atë ngjarje si një “veprim armiqësor të Klerit Katolik me qëndër në Shkodër, që i mbushi edhe institucionet fetare me armë, për të luftuar pushtetin popullor”. Por lidhur me të vërtetën e asaj ngjarje, ka dëshmuar që në vitin 1949, një ish-hetues dhe punonjës i Sigurimit të Shtetit, i quajtur Pjerin Kçira, i cili në gjyqin ndaj tij, ku ai akuzohej si: “kryetar i një grupi antiparti që kishin hedhur trakte me përmbajtje armiqësore kundra pushtetit popullor”, deklaroi se: Armët në kishë i kishte futur vetë Sigurimi i Shtetit, dhe me anë të torturave, i kishte detyruar priftërinjtë katolikë të deklaronin se ato armë i kishin futur ata”.

Pas kësaj, gjyqi ndaj Pjerin Kçirës u ndërpre dhe pasi nxorrën popullin jashtë sallës, nga 20 vjet që ishte dhënë dënimi për të, Kçirën e dënuan me vdekje me pushkatim dhe e ekzekutuan. Lidhur me këtë ngjarje nga më të përfolura në historinë e regjimit komunist të Enver Hoxhës në luftën e tij ndaj Klerit Katolik, Memorie.al ka hulumtuar dhe siguruar disa doklumente arkivore si dhe dëshmitë të ndryshme nga ish-të burgosur politik nga rrethi i Shkodrës, të cilët hedhin dritë si për atë ngjarje, ashtu dhe për Pjerin Kçirën.

Ish-hetuesin dhe punonjësin e Sigurimit të Shtetit, që jo vetëm nuk kishte pranuar në vitin 1946 që të bënte një shkrim për atë ngjarje si korrespoident i “Zëri i Popullit”, por në gjyqin ndaj tij, tha të vërtetën, duke demaskuar hapur intrigat dhe makinacionet e Sigurimitv të Shtetit, në tentativën për të përligjur goditjen ndaj Klerit Katolik.

Dëshmia e Padër Leon Kabashit: “Pjerin Kçira, asht një hero, ai dha jetën për të nxjerrë në dritë të vërtetën që i shërben edhe Klerit Katolik”

Fakte rreth një të vërtete

Dihet, sidomos në Shkodër, është bërë një luftë e madhe kundër Klerit Katolik. Arrestime, dënime, burgime e internime, ka pas qysh në vitin 1944 -‘45, por si veprim me stil të gjerë dallohet viti 1946.

Në këtë vit në Kishën Françeskane të qytetit tonë, ngjau krimi ma i madh i Sigurimit të Shtetit, kundër Klerit Katolik: futja e armëve në kishë dhe pastaj kontrolli i saj, dhe në fund arrestimi e dënimi i fretënve. U gjetën, gjoja, shumë fakte që vërtetojshin fajësinë e tyne.

Më kujtohet një fotografi e Padër Çiprian Nikaj me pushkë në dorë. Unë e dij shumë mirë se e kuj është ajo pushkë. Unë mbajshe çelësin e Muzeut të Kishës, dhe ndër të tjera orendi, ishte dhe pushka e Dedë Gjon Lulit. Unë, po punojshe diçka të Kuvendit, kur po vinë, Çesk Kabashi, bashkë me dy të tjerë, më kërkojnë dhe më marrin çelsin, duke më thënë se nuk më përkiste më mua, dhe kështu çelsi i Muzeumit Françeskan, ra në dorë të Sigurimit të Shtetit, i cili përfitoj nga rasti dhe, pushkën e Dedë Gjon Lulit i’a dha në dorë Padër Çiprian Nikës, me qëllimin diabolik, për t’a fotografue me armë në dorë.

Të parët që psuen pasojat e egra të Sigurimit të Shtetit, qenë Padër Mati Prenushi dhe Çiprian Nikaj. Ata asnjëherë nuk ishin marrë me politikë, por me qenë se ishin drejtuesit e Kuvendit, dhe ne si priftërinj kemi pasur kulturën dhe edukimin e rinisë edhe për këtë, ata dojshin të na fajsonin më shumë. Ne si priftërinj shifshim se diçka do të ndodhte, madje edhe disa figura, për t’i ruejt, i kemi shpërnda edhe nëpër shtëpija për të mos ra në duart e tyne. Synimi i tyne ishte shkatërrimi dhe demaskimi i Kishës, por këtë në atë kohë nuk e ka bërë direkt, por na kanë sulmue ne si persona, si individë.

Por desht zoti, e vërteta mbi “armët në kishë”, doli qysh në vitin 1949, kur një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, hetues, i cili i dënuar në gjyq për fajet kundër partisë e pushtetit, si kryetar grupi, dhe si përpilues traktesh, me 20 vjet burg, dënim të cilin nuk e pranon dhe ngrihet para trupit gjykues e para popullit dhe deklaron, se: armët në Kishën Franceskane nuk ishin të fretënve, por ishin armë të fut nga Sigurimi i Shtetit, për të fajsue totalisht Klerin Katolik dhe për këtë, dënimi nga 20 vjet, i’u kthye në vdekje, dhe u pushkatue.

Shumë fjal, posht e nalt janë ba për këtë deklaratë të Pjerin Kçirës, të cilën unë e kam ndie me veshtë e mi. Ndoshta ndonjë për qëllime të veta, edhe ja kanë ngjeshë Pjerinit këtë gjë, por unë them se sot, ka ardh koha që e vërteta të dalë ashtu siç është. Unë jam dëshmitar i kësaj ngjarje.

Sipas disa të dhanunave që unë kam marr nga disa shokë të mij të besuar, urdhëri për futjen e armëve në Kishë ka ardh direkt nga Tirana, disa herë, sepse nuk asht zbatue menjëherë nga Dega e Brendëshme e Shkodrës.

Siç e thashë ma parë, ne ishim të përgatitur për diçka se do të ndodhë, por faktikisht nuk e dinim. Për këtë, Padër Aleks Baqli, kishte disa net që ruente kishën. Në këtë periudhë u shtetëzue gjimnazi i frentënve. Punonjësit e Sigurimit, janë fut nga dera e gjimnazit, duke trokitur në dritaren e xhakonit, Ndoc Vasili, me një kallam në majen e të cilit ishte një letër. Xhakoni merr letrën ku ishte shkruar “dil e na hap derën”. Mbasi hapet dera, punonjësit e Sigurimit të Shtetit bisedojnë me xhakonin, duke i thënë se: “këta kanë mbarue, prandaj ti banu me ne. Ne do të japim ty edhe bursë për jashtë shtetit”.

Të gjitha këto janë fjalët e Ndoc Vasilit, q’i m’i ka thanë më vonë kur jam takue me të.

Mbasi Ndoc Vasili ka hap derën e Kishës, punonjësit Sigurimit të Shtetit, Elez Mesi, Mynyr Kurti dhe Ismail Lula, futën armët në kishë. Padër Aleks Baqli, i cili ishte i mshehur në sakristi, ka pa njerëz tuj lëvizë nëpër kishë atë natë. Të nesërmen, doli fjala se u gjetën armët në Kishën e Fretënve.

Kjo ashjt e vërteta që mbeti në errësirë deri në kohën e demokracisë.

Unë Padër Leoni, i kam dijtë këto fakte por nuk kam mujtë me folë, për të mos kopmpliku çashtjet që do të randonin ma tepër në Klerin Katolik.

Përsa i përket Pjerin Kçirës, unë e kam thanë dhe e them, se: ai dha jetën e tij duke nxjerrë në dritë të vërtetën e armëve dhe duke demaskue punën e Sigurimit të Shtetit. Me aktin e tij, ai bani njiherësh shërbim nacionalizmit dhe fesë.

Nëqoftë se ketij akti nuk dona me i dhanë ngjyra fetare, ky njeri asht një hero, që bani një heroizëm të madh për kombin.

Ndërsa, duke u nisur nga ana fetare, Pjerin Kçira asht një martir i së vërtetës, sepse dha jetën për një të vërtetë që i shërben aq shumë klerit katolik, para popullit dhe botës.

                                Padër Leon Kabashi

Dt. 4.III. 1995

Karakteristika e Pjerin Kçirës: “Nuk asht besnik i punës, ka raste që ka dekonspirue sektorin e punës së vet në Sigurim”

 

  1. PJERIN KÇIRA, MARSHALL CIVIL
  2.  I përmenduri nuk duket të jetë edhe aq besnik i punës, tue dasht me u shitë jasht si një njeri që ka një pozitë në Sigurim. Kanë ndodhë raste që ka dekonspire edhe sektorin e punës së vet, si p.sh., tash së fundi me rastin që ndodhet në pushime verore në Theth Dukagjin, në mes të një rrethit shokësh, shtron bisedën në lidhje me Hetuesinë, se si ka torturu një Prift dhe në sajë të këtij mjeti, e ka bërë me kapitullue. Si asht në korrent në lidhje me veprimtarinë e Riza Danit, personifikon punë të mëdhaja të Sigurimit, në forma të ekzaxherueme e tjera. Kjo e metë për me u shitë i madh, e për këtë gjë detyrohet me dekonspirue, i është bërë si pekt. Për dekonspirimin dhe damin që sjellë, kjo e mbetë i është vënë në dukje qysh në çastin e parë që i përmenduri erdhi në Sigurim, ku edhe prej kësaj kohe e tutje, asht këshillue në këtë drejtim.
  3. Nuk është edhe aq i sinqert e kjo rrjedh siç u tha më sipër, nga se i pëlqen me u dukë mbi të tjerët, aq sa aty këtu ndër shokët e Sigurimit, ka fitue një antipati.
  4. Ky asht hetues pranë Seksionit Sigurimit Shtetit në Qark. Sa për sektorin që ky ka sot tue kenë si i ri, akoma nuk e zotron sa duhet, por që ka prespektiva që shpejt të zhvillohet në këtë drejtim. Tue kenë i ri, siç u permend në këtë punë, nuk ka arrijtë akoma të fitojnë një pjekuni të duhun, sa me u ngjijzë më lart. Nga ana tjetër, ai pengesë kryesore ka të metat që theksuem ma sipër, pos ktyne, asht edhe shumë feminist.
  5. Asht element i zgjuar dhe deri diku asht i lidhur me punën.
  6. Përsa i përket pakënaqësivet, vetëm një gjë është vrejtje në të, në lidhje me gradën, i cili asht shprehë vetë, se si kur t’i vijë grada N/Oficer, nuk do veshet fare, e në lidhje me këtë, kur shkovi nder ditët e para nëpër burgje për me u bërë pyetje të burgosurvet, rojeve të burgut i paraqitej Oficer me gradën N/Toger. Nevet besojmë se ka për t’u prekë tash që të kthehet nga pushimi, kur nevet kemi me ja komunikue gradën si Marshall civil.
  7. I përmenduri nuk është çfaqë as ndonjë herë në se i pëlqen a jo, puna në Sigurim, por që nga puna e tijë e përditshme, konstatohet se e don këtë punë.
  8. Përsa i përket qëndrimit të familjes së tijë gjatë okupacionit, nuk asht kompromentuar që të ketë pasë ndonjë bashkëpunim me zaptuesit, por siç dijmë, kjo ka mbajtë një qëndrim indifferent, kurse mbas çlirimit, lidhet ngushtë me Pushtetin.
  9. Përsa i përket gjendjes ekonomike, nuk e ka aspak të mirë, dhe nuk ka të ardhuna të tjera përveç rrogës që posedon.
  10. Tue u mbështetur mbi sa u tha më sipër, i përmenduri mund të bante shumë i vlefshëm për Sigurimin, sikur t’i zhduken të metat që u përmendën ma sipër, gja që ka probabilitet me ju dalë një gjëje të tillë, mbasi është i ri nga mosha.

PJERIN KÇIRA, Hetues ne Seksion Shkodër

Lindur në Shkodër me 1926 nga një familje e ulët puntore me profesion nënpunës. Ka simpatizue Lëvizjen Nacional Çlirimtare qysh në fillim dhe është hedhë në aktivitet tue bërë agjitasion dhe shpërnarë trakte etj. Ka mbajt qëndrim të mirë mba çlirimit dhe deri tash.

Politikën e Partisë e kupton, ka dashur për Partinë dhe sakrifikon për të. Eshtë element i squt dhe kupton shpejt. Ka eksperiencë në administratë të Pushtetit. Eshtë bërë Antar Partije në vjetin 1946 në Shkodër. Sekretet e Partisë dhe të Pushtetit i mban mirë, me përgjegjësat dhe inferioret ka sjallë të mira, por i mungon autoriteti si A.P. Ka cilësira për të ecë përpara, por don dhe përkrahje se është dhe i ri(i mungon pjekunija). Ka kryer 4 klas Gjimnaz në shkollën Françeskane.

            Zoi Themeli d.v.

Dëshmia: “Pjerin Kçira njoftoi vëllanë tim, Lecin, se do e arrestonin dhe ai u arratis e shkoi në Kanada”

D E K L A R A T E

Unë e nënshkruara Gjyljana Vasija, deklaroj:

Se në vitin 1990 jam takuar me vëllanë tim, Lec Vasija, në Kanada, i arratisun jashtë shtetit që në vitin 1948 dhe në mes të tjerash, informata që morra rreth arratisjes së tij dhe të tjera që nuk i dinim, më deklaroi si vijon:

Arratisja ime u bë për arsye se morra njoftimin prej Pjerin Kçirës, i cili më tha:

Lec, deri këtu jam përpjekë për ta shtye për të mos me t’ë arrestue, por tash nuk kam se ça me të ba ma, bani derman vetes

Me këtë njoftim të Pjerin Kçirës, vendosa të arratisesha pa i njoftue asnjeriut lajmin e marrë prej Pjerin Kçirës.

                       DEKLARUESI

                     Gjyljana Vasija

Dëshmia: “Kur Pjerini deklaroi në gjyq se armët në Kishë i futi Sigurimi, u ndërpre seanca dhe popullin e nxorrën jashtë”

 

D E K L A R A T E

Unë Gjovalin Mazreku, pjestar i “grupit antiparti”, i vetmi i mbetur gjallë, deklaroj sa më poshtë vijon

Unë jam një anëtar i “grupit antiparti” të formuar në vitin 1948 dhe të drejtuar nga Pjerin Kçira. Jam dëshmitar i vuajtjeve dhe ngjarjes, e zhvillimit të gjyqit.

Shkaku i arrestimit tonë është veprimtaria antiparti dhe antipushtet e jona, si dhe përpilimi e shpërndraja e një trakti. Për këtë pas 11 muajve tortura, dolëm në gjyq dhe u dënuam me, ma i pakti me 10 vjet dhe ma i shumti 20 vjet, që ishte Pjerin Kçira, kryetar i grupit.

Na kishim ma vonë të drejtën e fjalës dhe kur i erdhi rradha Pjerinit me folë, pas disa minutash, i hoqën të drejtën e fjalës. Ai, si ishte në kambë, pshtyu trupin gjykues dhe u shpreh: “Mos mendoni me ma mbyllë gojën e me ma ba si ja kemi ba priftënve, që ja kemi fut armët në kishë, e me tortura i kemi ba me pranue se janë të tynet”. Pas këtij deponimi, gjyqi u mbyll, populli u nxorr jashtë dhe seanca tjetër e gjyqit u ba me dyer të mbylluna, në të cilën Pjerin Kçira u dënue me vdekje, me pushkatim.

Atëhere lind pyetja Ku e dinte Pjerin Kçira që armët në kishë i kishte fut Sigurimi i Shtetit?

Gjithkush ka të drejtë me e ba këtë pyetje, së cillës unë do t’i përgjigjem.

Ky akt u krye në vitin 1946. Një ditë të bukur, Kisha Franceskane njeh e rrethueme dhe në kontroll të saj, gjehen armë. Pjerin Kçira, që në atë kohë punonte si korrespodent i “Zëri i Popullit”, dërgohet të shkruj një artikull mbi këtë ngjarje, të cilëen ai nuk pranoi ta shkruj. Pse? Sepse me syt e vet vërtetoi se armët ishin të vojtisura, e nuk kishin pamjen e armëve të futura në altar.

Në vitin 1947 Pjerin Kçirën e emnojn në punë në Degën e Punëve të Brendëshme të Shkodrës. Emnohet me 1 maj dhe në fillim nuk pranon, mandej më 1 qershor fillon punë dhe vazhdon për 13 muaj deri më ditën që arrestohet. Gjatë këtyre 13 muajve, aty mbrendë në mesuam në mes të tjerave se personat që kishin fitur armët në kishë, ishin:

  1. Kapterr, Elez Mesi
  2. Rreshter, Mynyr Kurti
  3. Tetar, Ismail Lulo

Këta të urdhnuem nga Zoji Themeli, natën, të veshur me pelerina, fusin armët në kishë.

Të nesërmen Dul Rrjolli dhe Dulaç Lekiçi me të tjerë, gjenjë pas lterit “armët e priftënev franceskanë”. Kjo asht e vërteta mbi këtë ngjarje. Për traktin dhe veprimtarinë antiparti e antipushtet, Pjerin Kçira u dënue me 20 vjet burgim. Pas deklaratës mbi armët në kishë, ai u dënua me vdekje me pushkatim.

                    Deklaruesi

                 Gjovalin Mazreku

D E K L A R A T E

I nënshkruiari Ragip Fetah Meto, lindun e banues në Shkodër, vërtetoj si ma poshtë:

Me datën 6 prill 1946, jam arrestu nga Sigurimi i Shkodrës dhe menjeherë kan fillue hetimet për mu. Kam ndej 16 muej në hetuesi tuj hjek torturat ma çnjerzore dhe në nëndor të 1947, jam dënue me vdekje.

Gjatë hetuesisë, kam njoft Pjerin Kçirën, i cili më ka gjetë në tortura dhe një rast më ka gjet të varur për peme, 6 ditë pa hangër dhe pa pi ujë. Mu personalisht më ka ndihmu, tuj më çu në spital të Shkodrës, mbasi e pau se isha në gjandje të rëndë, tuj dekë. Vetëm kujdesi i Pjerinit, më pshtoj jetën. Këtë ai e bani me kryet e vet, me nisiativën e vet, pasi ai nuk ishte hetuesi im. Hetuesi im ishte nënkryetari i Degës. Pra edhe njëherë, jetën ja dedikoj Pjerin Kçirës. Nga shokët e mij të burgut, asnjëherë nuk kisha ndigju ankesa për sjelljet e tij ndaj tyre. Ja lshoj këtë deklaratë familjes së tij, për ta përdor ku t’i nevojitet.

 Dt. 8.II.1993               Deklaruesi

                                Ragip Feta Meto 

Dëshmia: “Hetuesi Fadil Kapisyzi më torturonte në mënyrë çnjerzore, kurse Pjerin Kçira më shpëtoj nga pushkatimi dhe u dënova vetëm 3 vjet”

 Një ish-i burgosun politk, Met Licaj dëshmon

Isha i arrestuar dhe kisha gjashtë muaj rresht që torturohesha në mënyrë çnjerzore nga Fadil Kapisyzi. Një nat, në orën 12 më marrin dhe më çojnë në hetuesi. Këtë rradsshë një tjetër që nuk e njihja. Ishte Pjerin Kçira. Pasi nxorri jashtë policët, filloi të më pyeste për çështjen dhe unë i përgjigjesha duke mos pranuar kurrgja. Natën tjetër m’u drejtua me po ato pyetje dhe unë i dhashë po ato përgjigjie. Por në atë dhomë ku unë mendoja se ishim vetëm ne të dy, ishte dhe dëshmitari i fshehur, trrë cilin Pjerini e nxorri me dëshmu. E njofta menjeherë, ishte dhe ai i arrestuar.

Na vuri përballë njëri-tjetrit dhe i tha fol. Dëshmitari i arrestuar filloi të flasë. Fjalët e tij ishin të vërteta, por unë në ansjë mënyrë nuk pranoja asgja dhe kundërshtoja fort. Atëhere Pjerini u kthye nga dëshmitari. Thirri policët dhe e nxorri jasht. Mbasi ikën të gjithë, më zgjidhi duart dhe më that ë ulesha. Ai vazhdoi: “Mos kujto se ma hodhe, unë i di të gjitha, e di se edhe fjalët e dëshmitarit janë të vërteta. Por ti je burrë dhe qëndron, dhe unë i ndihmoj njerzit që i rrinë fjalës. Tash ti ke me e pa se kush asht Pjerin Kçira. Po të pyes për diçka: A ke besë?

Dhe pastaj vazhdoi: Ti e ke vendimin me u pushkatu, por në rast se e ke fatin me ndej deri në fund të hetimit me mu, ti as nuk do të pushkatohesh, e as nuk do të dënohesh randë. Në qoftë se kanë me të çue te ndonji hetues tjetër, do t’i thuesh kështu: “Më torturoni, më rrahni, më mbytni, bani ça të doni me mu, veç në dorë të Pjerin Kçirës mos më çoni ma”. E tash thuej se çka kërkon prej meje. I thash me ba të mujtun mos me shtërngue fort duert në pranga, dhe me m’ë pru pak buk e duhan. Të gjitha këto kërkesa, indirekt m’i plotsoi.

Të gjithë e dimë se sa vlerë kishin fjalët e të pandehurit para trupit gjykues, por procesi që kishte ba për mu hetuesi Pjerin Kçira, bëri që unë jo vetëm të mos pushkatohem, por të dënohem vetëm me tre vjet burgim. Pjerin Kçira ishte ai që ma shpëtoi jetën. Ma vonë kur iusha në burg, morra vesh si Pjerin Kçirën e kushin pushkatue./Memorie.al

 Me nderime  Met Licaj

2-1 3-1 4-1 20200710_232711 20200710_233102 20200710_233135 Gjyqi-ndaj-organizates-Bashkimi-Demokristian-ne-Shkoder-1946 IMG-20200710-WA0027 Kuvendi-Françeskan-i-shkaterruar-nga-forcat-e-DMP.-Shkoder-1945-46.bmp

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.