“Armën e kishte mbështjellë me peshqir të madh”/ Detaje rrëqethëse nga krimi në Fier, vajza e vogël po flinte kur babai i vrau të ëmën

Sep 14, 2021 | 12:45
SHPËRNDAJE

Zbardhen të tjera detaje për krimin monstruoz që tronditi Fierin dhe gjithë vendin pesë ditë më parë, në fshatin Zhupan të Fierit.

Elton Metaj, i mori jetën ish-bashkëshortes së tij, Sabrina Bengaj. 23-vjeçarja la pas një vajzë 3 vjeçe jetime dhe me një baba tashmë pas hekurave.

Gazetarja Dorjana Bezat rrëfeu në emisionin “Me zemër të hapur” se natën që ndodhi krimi, autori i dyshuar, Elton Metaj ka hyrë brenda shtëpisë tre katëshe, dera e së cilës është në rrugën kryesore që lidh Fierin me fshatin Zhupan.

“Përballë shtëpisë ndodhet një arë me misër dhe dyshohet se autori ka qëndruar i fshehur aty për disa orë dhe kur janë larguar xhaxhai, vëllai dhe të gjithë burrat ka hyrë nga dera kryesore, e cila ka qenë e hapur pasi kishte 30 minuta që ishte larguar i vëllai i Sabrinës.

Në korridor të banesës ka dalë kunata shtatzënë e ka kërcënuar dhe atë. Më pas ka dalë nëna e Sabrinës që i ka kërkuar të largohet. Ai ka vazhduar të kërkojë Sabrinën dhe kur 23-vjeçarja ka nisur të dalë e ka qëlluar menjëherë. Trupi i saj është rrokullisur nga shkallët. Shenjat e plumbave janë dhe në katin e e dytë dhe të tretë të banesës. Vajza e vogël po flinte në katin e dytë me gjyshen”.

Detajet e ngjarjes flasin për një krim me paramendim nga ana e 31-vjeçarit Elton Metaj, i cili ishte divorcuar prej një viti me Sabrina Bengaj, por nuk e pranonte këtë ndarje.

“E kishte mbështjellë armën me peshqir të madh për të amortizuar zhurmën. Ka dalë nga banesa ku kishte lënë mjetin e tij të ndezur. 10-15 metër më tej ka hedhur peshqirin dhe është larguar”, tregoi gazetarja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura