Armëmbajtja pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese

Apr 24, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

florjan-kalajaFLORJAN KALAJA

Mbajtja pa leje e armëve dhe e lëndëve plasëse ka qenë gjithnjë vepër penale në Shqipëri – sipas Kodit Penal (në vijim KP) të vitit 1959, K.P. të vitit 1977 dhe KP të vitit 1995. Me vendimin 9/ 2016, Gjykata Kushtetuese (në vijim GjK) shfuqizoi të gjithë paragrafin e armëve dhe lëndëve plasëse në publik dhe paragrafin e fundit të nenit 278 të KP (rrethanat e cilësuara).

Të gjitha argumentet e artikuluara në pjesën arsyetuese nga GjK individualizojnë si antikushtetuese vetëm pjesën e sanksionit në paragrafët e shfuqizuar dhe asnjë argument nuk rëndon mbi veprat penale. Kjo mënyrë disponimi nuk ka lidhje logjike me pjesën arsyetuese dhe i shkon kundër argumentimit tradicional jurisprudencial të GjK, për koherencë në të gjitha pjesët e vendimit. Kështu, po të lexohet pjesa arsyetuese, atëherë, pa qenë e nevojshme të lexohet dispozitivi i vendimit, kuptohet se është shfuqizuar në secilin paragraf vetëm sanksioni joproporcional.

Ndërkohë, po të lexohet vetëm dispozitivi, pa lexuar më parë pjesën arsyetuese, krijohet ideja se detyrimisht në pjesën arsyetuese është konkluduar se, të gjitha veprat penale të dy paragrafëve të shfuqizuar janë konstatuar antikushtetuese. Kjo ka krijuar idenë e gabuar se nuk ka më ligj që të dënojë veprat penale të shfuqizuara.

Vendimi i GjK-së mbi kontrollin incidental u njoftua publikisht në faqen zyrtare të internetit, më datë 10.12.2015. Reaksioni i shkaktuar ndërmjet gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte i madh. Pyetja “Po tani ç’do bëjmë me çështjet?” ishte bërë e përditshme dhe e kudondodhur. Në praktikën gjyqësore të shkallës së parë dhe të apelit, disa nga gjykatat pezulluan gjykimet, në mënyrë që të pritej publikimi i arsyetuar i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Disa nga gjykatat nuk e pezulluan gjykimin, e vazhduan dhe e përfunduan atë.

Ato dhanë vendime përfundimtare dënimi me dispozitat që GjK kishte njoftuar se janë shfuqizuar. Argumenti ishte dispozita e ligjit të GjK, se vendimet hyjnë në fuqi si rregull në momentin kur botohen në Fletoren Zyrtare (në vijim FZ). Të tjerë gjyqtarë dhe gjykata shtynin seancat gjyqësore me shkaqe të stisura, edhe në fazën e konkluzioneve përfundimtare, me shpresën se vendimin GjK, duke pasur rëndësinë e veçantë të tij, do ta publikonte shpejt.

Pavarësisht zhurmës që bëhej poshtë, GjK e publikoi vendimin e arsyetuar në faqen e internetit, më datë 26.02.2016, pas gati dhjetë muajsh nga paraqitja e kërkesës. Vendimi rezulton të jetë botuar në FZ nr. 31, dt. 29.02.2016. Megjithëse të gjithë po prisnin se çfarë ka argumentuar GjK, paqartësitë në praktikën gjyqësore nuk u zbehën, por u shtuan pas publikimit. Një praktikë është vendimmarrja e pushimit të gjykimit, me arsyetimin se ligji nuk e parashikon më armëmbajtjen pa leje si vepër penale (“nullum crimen sine legge”).

Disa nga gjykatat dënuan të pandehurit sipas paragrafit të dytë, para ndryshimeve të vitit 2013. Sipas kësaj praktike, shfuqizimi i paragrafit të pestë dhe të gjashtë të nenit 278 të KP kthejnë në fuqi ligjin e shfuqizuar nga ky ligj i shfuqizuar nga GjK. Ndërkohë trupa të tjera gjyqësore kanë dhënë vendime dënimi sipas paragrafëve ekzistues të nenit 278 të K.P., që parashikojnë se këto vepra ndodhin në banesë.

Në fund, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë iu drejtua GjK-së, ku ndër të tjera u kërkua interpretimi i vendimit 9/2016, duke vënë në dyshim nëse veprat e armëmbajtjes pa leje janë dekriminalizuar sipas këtij shfuqizimi apo jo. Në rastin konkret, i gjithë debati mbi paragrafët e veprave penale të shfuqizuara nga GjK ka të bëjë me kualifikimin juridik të tyre, ndjekjen penale dhe dënimin më tej.

Vlerësoj se premtimi kushtetues dhe konventor i parimit të mosdënimit pa ligj duhet të kuptohet si garanci ndaj ushtrimit të ndjekjes dhe dënimit penal në mënyrë arbitrare. Për të pasur një ligj penal kushtetues kualitativisht duhet që ai të kënaqë kërkesat për aksesueshmëri dhe parashikueshmëri.

Këto cilësi të ligjit penal mundet të vlerësohen të plotësuara si standarde, nëse subjektet kanë mundësi të kuptojnë hipotezën e normës penale, veprimin e ndaluar dhe pasojat përkatëse apo sanksionet penale. E nëse është e nevojshme, duhet që subjektet ta kuptojnë normën ligjore penale, jo në bazë të aftësive të veta, por edhe nëpërmjet ndihmës së jurisprudencës dhe pas marrjes së një ndihme të përshtatshme ligjore, për të qenë të aftë sakaq të kuptojnë veprimet apo mosveprimet, të cilat munden t’i aktivizojnë përgjegjësinë penale.

“Nullum crimen sine legge” si parim nuk mundet të interpretohet në mënyrë të tillë që të përjashtojë jurisprudencën nga zhvillimi i ligjit penal nga çështja në çështje, gjithnjë duke pasur parasysh që edhe e drejta e gjallë duhet të gëzojë në vetvete legjitimitetin kualitativ në elementet e aksesueshmërisë dhe parashikueshmërisë.

Në çdo sistem të së drejtës, sado i qartë të jetë draftuar ligji penal, ka nevojë për qartësimin e mëtejshëm të tij nëpërmjet interpretimit gjyqësor, pasi gjithnjë do të ketë nevojë për iluminim të shumë çështjeve të diskutueshme dhe për përshtatje të ligjit me rrethanat që ndryshojnë, si në kohë, edhe në hapësirë. Mbetet që interpretimi gjyqësor të përshtatë normën penale në kohë përgjatë zhvillimit shoqëror dhe rrethanave të reja të panjohura në momentin kur norma ligjore u hartua.

Kështu, kufiri i shkeljes së parimit të përbotshëm të “nullum crimen sine legge” për ligjin në kuptimin formal dhe material do të jetë gjithmonë ndalimi i arbitraritetit në ndjekjen dhe dënimin penal. Kështu vlerësoj se, pavarësisht se GjK në vendimin 9/2016 ka gabuar kur ka shfuqizuar të dy paragrafët tërësisht të nenit 278 të KP, në një kohë ku sipas arsyetimit duhet të shfuqizonte vetëm pjesët respektive të sanksionit, veprat penale të parashikuara në paragrafët e shfuqizuar nuk janë dekriminalizuar nga vendimi shfuqizues.

Paragrafët ekzistues të nenit 278 të KP parashikojnë se armëmbajtja pa leje, mbajtja pa leje e minave, bombave, lëndëve plasëse – për rrjedhojë edhe në bashkëpunim, e kryer më shumë se një herë dhe me sasi të mëdha apo që ka sjellë pasoja të rënda, janë veprime të dënueshme, pavarësisht se janë shfuqizuar tërësisht paragrafët nga GjK.

Fakti që paragrafët ekzistues, ku parashikohen si krime këto veprime, kanë si element cilë- sues banesën, nuk mundet të përjashtojë automatikisht dhe të shërbejë si argument dekriminalizues i të njëjtave veprime të ngjara jashtë banesës.

Pyetja që shtrohet në këtë rast, në analogji me retorikën që sjell GjK në vendimin e saj, është se: A ka kuptim që këto figura vepre penale të jenë të dënueshme vetëm po të ndodhin në banesë dhe nëse ndodhin jashtë saj nuk dënohen, në kushtet kur jashtë banesës veprimet kriminale kanë rrezikshmëri më të fortë? Në fakt, nuk ka kuptim, por sipas dispozitës prima facie ka.

Sjell në vëmendje se, që prej 66 vjetësh asnjë shtetas në Shqipëri nuk ka krijuar pritshmëri të ligjshme dhe në mënyrë të arsyeshme, se mbajtja e armëve dhe e lëndëve plasëse jashtë banesës nuk dënohen penalisht. Në këtë kuptim, çdokush ka pasur dijeninë e prezumuar kushtetutshmërisht se mbajtja pa leje e armëve dhe e lëndëve plasëse jashtë banesës do të aktivizonte përgjegjësinë penale të tyre në rastin e procedimit nga organet e ndjekjes penale.

Ato, për më tepër, kanë pasur dijeni, qoftë edhe pa këshilla të përshtatshme të gjykatës apo avokatëve, se mbajtja e armëve apo e lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente jashtë banesës është një veprim më i rëndë kriminal sesa mbajtja e tyre në banesë, natyrisht për shkak të rëndësisë së hamendësueshme të faktit dhe rrezikshmërisë shoqërore të saj.

Në këtë mënyrë, vlerësoj se askush në Shqipëri nuk mundet të ketë hamendësuar se GjK në të ardhmen do të shfuqizojë si antikushtetues dy paragrafët respektivë të nenit 278 të KP dhe se me këtë vendim do të dekriminalizohet mbajtja e armëve dhe lëndëve plasëse pa leje jashtë banesës, ndërkohë që mbajtja e tyre do të jetë e dënueshme penalisht vetëm në banesë, dhe për këtë arsye subjektet e proceduara më vonë kanë kryer veprimet kriminale, për të cilat sot kërkohet nga organet e ndjekjes penale të dënohen.

Ky argument bën të konkludohet se, asnjë ndjekje penale e nisur mbi figurat e veprave penale të shfuqizuara nga GjK, sipas nenit 278 të KP, nuk ka qenë arbitrare. Ndërkohë që kushtetutshmërisht çështja ngjan të jetë zgjidhur, mbetet të adresohet zgjidhja ligjore. Fillimisht vlerësoj se, praktika gjyqësore, që konkludon se në kushtet kur janë shfuqizuar ndryshimet e ligjit penal, ipso legge, hyn në fuqi norma e shfuqizuar më parë, më konkretisht neni 278 i KP para vitit 2013 – është jokushtetuese dhe në vetvete përbën dënim pa ligj.

Duhet të kuptohet se ligji, që është shfuqizuar nga ligji që shpallet më vonë antikushtetues, nuk kthehet dot në fuqi veçse me miratimin nga Kuvendi si ligj. Ligji nuk mundet të ngjallet me një interpretim të tillë. Në kushtet kur nuk ka asnjë bazë kushtetuese për këtë lloj përtëritjeje të ligjit penal në kohë, është e pamundur që në mënyrë të arsyeshme t’i kundërejtohet dijenia kujtdo destinatari, qoftë me ndihmën e iluminimit të vendimit gjyqësor, apo qoftë me asistencën dhe ndihmën ligjore të një këshilltari apo avokati.

Për rrjedhojë, kjo mënyrë zbatimi e ligjit është arbitrare, e paparashikueshme dhe e paaksesueshme. Njëlloj antikushtetuese është edhe praktika gjyqë- sore e ndjekur nga gjykatat, në periudhën gjatë gjykimit dhe pritjes së botimit në FZ të vendimit 9/ 2016 të GjK. Të gjitha vendimet gjyqësore të dënimit, sipas paragrafëve të shfuqizuar të nenit 278 të KP, gjatë kësaj kohe kanë zbatuar një ligj antikushtetues, kur kanë artikuluar sanksionin e dhënë.

Këto vendime gjyqësore, duket se, më shumë sesa për të zbatuar ligjin, janë nxituar të heqin nga gjykimi çështjet që së shpejti do të shndërroheshin në një dilemë të vështirë për t’u zgjidhur. Edhe këto vendime përbëjnë dënim pa ligj në kuptimin material, pavarësisht se në kuptimin formal kanë zbatuar një ligj akoma të pashfuqizuar, por të njoftuar paraprakisht se për çështje ditësh apo javësh ligji, që u zbatua prej tyre, do të shfuqizohej në momentin kur vendimi do të botohej.

Sikurse afërmendsh mundet të kuptohet, zgjidhja ligjore është kualifikimi ligjor i veprave penale të mbajtjes së armëve dhe lëndëve plasëse pa leje jashtë banesës, sipas paragrafëve ekzistues respektivë të nenit 278 të KP. Kështu, veprimet kriminale të veprave penale të shfuqizuara tashmë duhet të kualifikohen sipas veprës penale të mbetur në nenin 278 të K, për të cilën GjK është shprehur në fundin e vendimit se nuk u konstatuan elemente antikushtetutshmërie.

Në këtë kuptim, elementi vend, i individualizuar si “banesë” në paragrafët e mbetur të nenit 278 të KP, nuk duhet të interpretohet më gjyqëisht, në këtë kontekst të ri të zhvillimit të ligjit penal, si element konstitutiv dhe sine qua non, por duhet të interpretohet si element indikativ, që ndikon në rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe për rrjedhojë edhe të autorit. Ky element, në këtë kontekst të ri të zhvillimit të ligjit penal, duhet të mbahet parasysh nga gjykata për caktimin e dënimit rast pas rasti, në kuptim të nenit 47 të KP, por jo më si element që dikton kualifikimin juridik të veprës apo të figurës së veprës penale.

Ndërkohë, zgjidhja më e paqtë dhe më adekuate për sqarimin dhe eliminimin e çdo paqartësie në mënyrën se si zbatohet neni 278 i shfuqizuar i KP, do të jetë vendimmarrja unifikuese nga organi më i lartë gjyqësor dhe institucioni ekskluziv që realizon procesin kushtetues të nomofilatisë, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Më tej, kjo çështje kaq nxehtë e debatuar do të tejkalohet. Zbatimi i nenit 278 i KP në këtë mënyrë do të futet në hullitë e zakonshme të zbatimit të ligjit.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura