Arlinda Morava: Sopranoja shqiptare merr çmimin “VIP” në Rumani

Jan 21, 2013 | 15:14
SHPËRNDAJE
Arlinda Morava

Emri i saj si një artiste e njohur shqiptare në tokë të huaj mund të mos jetë përmendur aq shpesh sa edhe koleget e veta, Inva Mula, Ermonela Jaho, Oriana Kurteshi e të tjera me radhë… Por, prej fundvitit të 2012- s, në rrethin e artistëve rumunë, kryesisht ata të muzikës klasike, shqiptarja Arlinda Morava është në qendër të vëmendjes, jo vetëm pse mori çmimin “VIP” si artistja e vitit në Rumani. Kauza e saj profesionale është më e gjerë se vet përshfaqja artistike në skenat ndërkombëtare… Sopranoja shqiptare ka marrë përsipër të promovojë artin dhe kulturën shqiptare në zhanrin e muzikës klasike, si edhe në lëme të tjera me protagonistë artistë shqiptarë, apo të huaj që kanë prej kohësh qasje ndaj vlerave tona identifikuese. Një prej tyre është edhe përkthyesi i njohur rumun i veprave të shkrimtarit Ismail Kadare, Marius Dobrescu, i cili së bashku me të shoqen Maria janë pozicionuar në vendin e kontribuuesve absolutë në projektin e sopranos Arlinda Morava për të promovuar kulturën shqiptare përmes nismës “Shqipëria, tokë legjendë”.

Posteri i projektit “Shqipëria, tokë legjendë

NGA SHTËPIA E PIONIERIT, TEK OPERA E BUKURESHTIT
Ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, me kokën te lojërat me kukulla e ato poshtë pallatit, nën vëzhgimin e prindërve, argëtimi për Arlindën ishte tjetërsoj. Këmbëngulte që çdo ditë të shkonte në Pallatin e Pionierit, e në shoqërinë e mamasë së saj, kalonte orë të tëra në grupet e këngës dhe kërcimit. Prirja drejt artit nuk kishte faktorë gjenetikë. Askush në familjen e saj më parë nuk ishte identifikuar si këngëtar, por kjo nuk do të thoshte se ajo nuk mund të bëhej e tillë. Formacionin e zërit e kishte të duhurin, derisa prirja ndaj muzikës u vulos pas emigrimit të familjes në Bukuresht të Rumanisë. Ishte vetëm 16 vjeçe kur la Shqipërinë. Ndërkohë që i duhet të përshtatej me mjedisin e ri, po aq i nevojitej të dallonte artistikisht gjatë studimeve në liceun artistik “Dinu Lipatti” në Bukuresht. “Në të njëjtën kohë studioja dhe interpretoja në Rumani, sepse synoja të krijoja profilin tim si soprano lirike. Ndoshta, temperamenti mesdhetar, kultivimi në fëmijëri i muzikës shqiptare, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në formimin tim si artiste lirike, duke krijuar një stil specifik të interpretimit. Kështu kam arritur të kem publikun tim, i cili më ndjek në shfaqjet ku interpretoj. Publiku rumun është tejet i kultivuar, falë traditës së gjatë në fushën e artit dhe edukimit shkollor rigoroz në këtë drejtim. Është publik tepër kritik dhe priret drejt artit cilësor. Ndihem e privilegjuar që jam pjesë e muzikës klasike dhe artit në Rumani, si një artiste shqiptare, natyrisht”, thotë Morava. Andaj, dhe çmimi “VIP” si artistja e vitit në Rumani për 2012-n nuk i erdhi befas, por konfirmimi i këtij vlerësimi, sidomos për të si një artiste shqiptare, ishte më shumë se një arritje profesionale. “Gjatë fundvitit, stafi i Operës së Bukureshtit mori çmimin ‘VIP’ për realizimin e operës ‘Flauti magjik’ të Moxartit. Me këtë rast u dhanë katër çmime speciale për artistët lirikë që interpretuan në këtë pjesë, mes tyre m’u akordua dhe mua çmimi ‘VIP’ për interpretimin në rolin e Papagenës, si një nga personazhet më të dashura dhe më të votuara nga publiku. Vlerësimi mbërriti në momentin e duhur, pas përmbledhjes së interpretimeve dhe punës sime ndër vite”, cilëson ajo.

Gjatë një shfaqjeje operistike në Bukuresht

“SHQIPËRIA, TOKË LEGJENDË’
E ndërmori si sfidë personale, por ishte e bindur se pa ndihmën e personaliteteve rumune, o atyre që kanë qasje ndaj kulturës shqiptare, nuk do ia dilte dot mbanë. “Një nga angazhimet e mia parësore është promovimi i kulturës dhe muzikës shqiptare në Rumani dhe më gjerë. Kështu, me ndihmën dhe mbështetjen e familjes së përkthyesit të shkrimtarit Ismail Kadare në Rumani, z. Marius dhe znj. Maria Dobrescu, kam realizuar disa koncerte në disa qytete të Rumanisë, ku kam kënduar muzikë popullore shqiptare, të përpunuar në stil klasik. Koncerti është quajtur “Shqipëria, tokë legjendë” dhe u bë i mundur me mbështetjen financiare të fondacionit “Nae Leonard”. Kam interpretuar disa pjesë shqiptare në aktivitete të ndryshme të organizuara në Rumani, në Zvicër dhe vende të tjera. Në këto spektakle janë recituar nga aktorë rumunë poezi shqipe dhe është përcjellë për publikun e huaj informacion mbi traditat, historinë dhe kulturën tonë. Synoj që këtë projekt ta realizoj edhe në disa shtete të tjera”, tregon sopranoja shqiptare. Por, krahas kësaj nisme kulturore, nuk mundet të lërë pas dore përditshmërinë e punës dhe karrierës së saj artistike. Momentalisht ka dy sfida përpara: rolin e Valencias në operetën “Vejusha gazmore” dhe atë të Muzetës në operën “La Bohemme”. Të dyja interpretimet do të jenë në operën e Bukureshtit, ndërsa disa javë më vonë ajo do të niset me turne muzikorë në Napoli të Italisë. Po Shqipëria, a është pjesë e projekteve të saj?! Thotë që po. Së shpejti, artisten e vitit në Rumani për 2012-n do e ndjekim në një koncert recital në Tiranë.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura