Arkitektura e shekullit XX, si u dhunua nga politika

Feb 1, 2016 | 15:48
SHPËRNDAJE

“Faktet mbi jetën njerëzore, publike a private, janë kaq intimisht të lidhura me arkitekturën, saqë pjesa më e madhe e vëzhguesve mund të rindërtojë kombe e individë, realitetin dhe zakonet e tyre, nga mbetjet e monumenteve publike, apo studimi i relikteve të tyre shtëpiake”.

Kështu thoshte Honore de Balzac në veprën e tij “Kërkimi i absolutes”. Pikërisht, nga këto relikte apo trashëgimi të së shkuarës mund të ndërtosh edhe historinë e Shqipërisë. Gjithë ndikimet dhe kulturat që kanë kaluar këtej pari dhe kanë lënë gjurmët e tyre.

arkitektura

Me këtë citim të Balzac-ut e nis librin e tij studiuesi i artit Ermir Hoxha, i cili sjell për gjithë të pasionuarit pas arkitekturës, por jo vetëm, veprën “Arkitektura shqiptare e Shekullit XXnjë histori e shkurtër”. Një doracak, që do të mund ta shfletonte gjithkush, me një informacion të thukët mbi tipologjinë e ndërtimeve në Shqipërinë e shek.XX, ndikimet, modelet, arkitektët.

Një informacion i mjaftueshëm mbi një periudhë, gjatë së cilës politika ka lënë dhunshëm gjurmët e saj më të dukshme. Përtej mish-mashit të arkitekturës së sotshme, ndërtimit përtej çdo logjike dhe të ardhmeje urbanistike, Shqipëria e para ’90-ës u zhvillua mbi modele tërësisht të qarta: italiane apo sovjetike. “Në këtë shekull, zhvillimet stilistike arkitektonike ishin të shumëllojshme. Ato u mbivendosën pareshtur me shpejtësi, duke krijuar një panoramë shumëformëshe të pakrahasueshme me asnjë periudhë tjetër pararendëse.

Studimet mbi këtë produkt shpesh ishin pasqyrë e vetë kohës, porse një studim ezaurues, gjithëpërfshirës ende mbetet një sfidë reale për cilindo studiues”, thotë në librin e tij Hoxha, ndërsa modestisht na ofron një vepër, e cila mund të të orientojë fare mirë nëpër qytetet tona.

TIRANA Tirana, kryeqyteti i vendit, do të ishte edhe vendi i kryqëzimeve të mëdha, i kulturave dhe tendencave. Në vitet ’20, pas shpalljes kryeqytet, Tirana paraqiste një nevojë të ngutshme për ndërtesa që t’u përgjigjeshin nevojave të kohës. “Projektet e para nisën të merrnin formë të plotë, importuar kryesisht nga Italia aleate me projekte urbanistike, komplekse ministeriale, hotele, kinema, vila e shumë ndërtesa të tjera dizajnuar kryesisht nga arkitektë italianë.

Në të njëjtën periudhë do të ofronin kontributin e tyre dhe disa arkitektë vendës. Të shkolluar në Perëndim, ata, Kristo Sotiri, Qemal Butka, Skënder Luarasi, Anton Lufi, Sadi Pashallari, rigjenden në realitetin shqiptar me euforinë e intelektualëve të rinj, me dëshirën për të kontribuar me imazhin e kryeqytetit të ri shqiptar”, shkruan Hoxha. Orientimi politiko-ekonomik drejt Italisë, natyrshëm solli edhe orientimin në lëmë të arkitekturës.

Me pushtimin fashist, kjo nuk ishte më një dëshirë. Gjatë viteve ’20-’40, do të ndeshim disa emra arkitektësh italianë Armando Brasini, Florestano Fausto, Giulio Berte, Gherardio Bosio, firmën e të cilëve mban sheshi “Skënderbej”, kompleksi i ministrive, për të vijuar me bulevardin “Dëshmorët e Kombit” asokohe “Viale dell’Impero”, “Casa della Goventtu Littoria Albanese” (Rektorati i UT dhe Muzeu Arkeologjik), “Casa del Opera del Dopolavoro Albanese” (Universiteti i Arteve), “Casa del Fascio” (Fakulteti Politeknik”, të cilat qarkonin “Piazza Littorio” (Sheshi “Nënë Tereza”). Të tjerë arkitektë italianë do të ndërtonin banka në Tiranë, Durrës e Korçë. Ndërtime të veçanta u bënë për Mbretin Zog, edhe pse në ndonjë syresh, si në atë që sot quhet Pallati i Brigadave, ai nuk jetoi asnjë ditë.

SOCIALIZMI Pas mbylljes së erës italiane, do të niste një tjetër, ajo socialiste. “… Regjimi i Enver Hoxhës do të kërkonte matricën e vet, sepse si çdo sistem totalitar që kërkon të respektohet dhe ai duhet të lërë një arkitekturë imponuese, pasqyrim i filozofisë platformës ideologjike shtetërore. Në mungesë idesh apo dëshire, zgjidhja më e lehtë ishte ajo e ndjekur edhe në fusha të tjera të krijimtarisë-ndjekja e stampës sovjetike. Dhe e gjithë kjo lehtësohej edhe më shumë me bashkëpunimin e arkitektëve që flisnin të njëjtën gjuhë”, thotë Ermir Hoxha, teksa i rendit emrat e arkitektëve Gani Strazimiri, Koço Miho, Enver Dobi, që kishin studiuar në vendet e Lindjes.

Nën frymën e ndërtimeve sovjetike të viteve ’40 do të ngrihej Kinostudioja “Shqipëria e Re”, kombinati tekstil “Stalin”, Komiteti Qendror, muzeu “Lenin-Stalin”, hotel “Adriatiku”, për të vijuar, sipas Hoxhës, me “shembujt më të këqij të arkitekturës së imponuar sovjetike” pallatet “Shallvare” e “Agimi”. Kjo periudhë ndikimi konsiderohet më “jonatyralja”, sipas specialistëve të arkitekturës.

Pas prishjes së vëllazërisë me bashkimin Sovjetik, arkitektët shqiptarë duhet të mbështeteshin në “forcat e veta”. Sfida e parë do të ishte Pallati i Kulturës në Tiranë, që në të vërtetë përqaset me disa godina të ngjashme nëpër Europë, si Pallati i Kongreseve në Romë dhe Stacioni i Finlandës, Shën Petërburg. Në vitet ’60, arkitektët shqiptarë si Petraq Kolevica apo Maks Velo, janë në kërkim të një gjuhe tjetër arkitekturore, me të tjera volume, të cilat nuk kaluan pa u vënë re dhe u vunë në shënjestër si “moderniste”.

Të tilla ishin pallati pranë mapos në Rrugën e Dibrës e Velos, apo Biblioteka e Korçës e Kolevicës. Sipas Hoxhës, në Shqipërinë e dy dekadave të fundit të komunizmit, edhe ndërtimet do të ishin një reflektim i teorisë së “Njeriut të Ri”. Në këto vite, disa nga ndërtesat më të rëndë- sishme që u ngritën janë hotel “Tirana”, hotel “Turizmi” në Elbasan, në Shkodër, Galeria Kombëtare e Arteve, Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kongreseve, Muzeu i Krujës, Muzeu “Enver Hoxha” etj..

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura