Arkitekti i së keqes

Jan 15, 2020 | 9:51
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI LEONARD DEMI

Më 3 janar 2020, në Bagdad, një dron amerikan vrau komandantin e Forcave iraniane Kud (Quds), gjen. maj. Kasem Soleimani (Qasem Soleimani), një nga ushtarakët më famëkeq në Lindjen e Mesme. Vrasja e Soleimanit përshkallëzoi tensione të ashpra midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Lideri suprem i Iranit(Ajatollah) e konsideroi vrasjen e Soleimanit të hidhur, por vrasësit i priste një hakmarrje tepër e ashpër.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ai kërkoi që Irani të përgjigjet si shtet dhe jo nëpërmjet mbështetësve të vet në Lindjen e Mesme. Udhëheqës të tjerë iranianë e irakianë e quajtën vrasjen akt agresioni dhe kundërpërgjigjja do të ishte shkatërrimtare. Po kështu, Irani deklaroi se nuk do të respektojë më marrëveshjen bërthamore, që i kufizon ambiciet për të prodhuar bombën atomike. Në këtë shkrim po përpiqem të trajtoj pështjellimet dhe pasojat mjaft serioze që ngërthen kjo situatë e rrezikshme, të cilat, nëse përshkallëzohen, mund të kërcënojnë kufijtë e Bashkimit Europian dhe të NATO-s.

KUSH ISHTE GJEN. MAJ. KASEM SOLEIMANI?

Soleimani ishte njeriu i dytë më i rëndësishëm në Iran pas Ajatollahut. Ai merrte urdhra dhe i jepte llogari vetëm atij. Kishte ndikim më të madh se ministri i Jashtëm dhe mendohej se mund të merrte ndonjë pozicion shumë të rëndësishëm politik.

Kasem Soleimani konsiderohej nga SHBA dhe aleatët si lideri ushtarak më i fuqishëm i Iranit dhe një nga veprimtarët më famëkeq në Lindjen e Mesme. Autoriteti i tij në rritje në ngrehinën ushtarake të Iranit u bë më i dukshëm në vitin 2019, kur Khamenei e dekoroi me Urdhrin Zolfaghar, nderi më i madh ushtarak i Iranit.

Soleimani u rreshtua në Gardën Revolucionare Islamike që me krijimin e saj, gjatë revolucionit iranian të vitit 1979. Në luftën tetëvjeçare Iran-Irak (1980-1988) mori pjesë në misione të posaçme luftarake në prapavijat e armikut, ku krijoi kontakte me kurdët irakianë dhe paraushtarakët shiia, të cilat i përdori vite më vonë. Këto misione janë pararendëse të Forcave Kud (1980), njësi e Gardës Revolucionare e specializuar në operacione zbulimi dhe luftarake jashtë territorit të Iranit. Në vitin 1998u emërua komandant i Forcave Kud (sot, rreth 15000 vetë), me të cilat bënte një luftë të paepur për të përhapur revolucionin iranian në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Më 1999, kur studentët protestuan në Teheran për më shumë liri kulturore, Soleimani kërcënoi Presidentin Khatami se në qoftë se ai nuk do ta shtypte rebelimin studentor, atë do ta shtypte ushtria, që mund të kryente edhe një grusht shteti. Dhe protesta u shtyp.

MISIONI DHE VEPRIMTARIA

Misioni i Soleimanit dhe Forcave Kud ishte të shtrinte influencën e Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai kishte përgjegjësinë të krijonte një zonë influence iraniane, të cilën Irani e quan ‘boshti i rezistencës’, që zë fill nga Gjiri i Omanit në jug dhe shtrihet në veri: në Irak, Siri, Liban dhe përfundon në bregun lindor të detit Mesdhe.

Soleimani organizonte operacionet e fshehta të Iranit thellë në konfliktet jashtë vendit, si ato në Siri dhe Irak. Nxiste luftëra të përgjakshme në rajon, duke shtyrë paraushtarakët pro iranianë dhe më pas negocionte me liderët e tyre politikë. Për të arritur qëllimin e vet ai përdorte diplomaci, ryshfete, kërcënime dhe vrasje. Kështu, nën drejtimin e tij, këto trupa zgjeruan influencën e Iranit në rajon me synim mënjanimin e ndikimit perëndimor dhe të myslimanëve suni. Ai ka mbështetur aktorë joshtetërorë në shumë vende të Lindjes së Mesme, si: Hezbollahun në Liban, Hamasin dhe Xhihadin Islamik Palestinez në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, Lëvizjen Huthi në Jemen, paraushtarakët shiia në Irak, në Siri dhe në Afganistan. Paguante zyrtarë, gazeta dhe stacione TV, si dhe kërcënonte ata që pengonin suksesin e politikanëve mbështetës të Iranit. Soleimani ishte arkitekti i një programi të gjerë kasaphaneje, skllavërimi dhe shtypjeje në të gjithë Lindjen e Mesme: në Irak, Siri, Liban, në Gji dhe veçanërisht kundër popullit të vet në Iran. Udhëheqja e Soleimanit dhe vendimmarrja e tij luftarake e kishin kthyer atë në një shenjë legjitime për çdo vend që kërkonte të përmbante Iranin. Pas rënies së regjimit të Sadam Huseinit, Soleimani drejtoi fushatën e Iranit për të luftuar trupat amerikane. Për këtë qëllim, armatosi dhe trajnoi paraushtarakët shiia në Irak dhe në të gjithë rajonin. Sipas një vlerësimi të Pentagonit, nga viti 2003 deri në 2011, këto forca kanë vrarë 608 trupa amerikane dhe u bënë burimi kryesor i influencës politike iraniane në Irak. Gjatë operacionit amerikan në Irak, ai drejtoi një fushatë të gjerë sabotimesh. Shumë nga bombat (EFP) që vendoseshin në anë të rrugëve, të cilat gjymtuan dhe vranë me qindra ushtarë amerikanë, ishin prodhuar në fabrikat e Iranit. Po kështu, ai është përgjegjës për vrasjen e 25 mercenarëve dhe 50 të plagosurve në bazat gjatë kufirit irako-sirian.

Në fund të dhjetorit të kaluar, Soleimani organizoi sulmin kundër zyrtarëve amerikanë në Irak, ku u plagosën katër trupa shërbimi dhe u vra një amerikan. Ai qe dirigjenti i sulmit të dhunshëm kundër ambasadës amerikane në Bagdad.

Në Siri drejtoi politikat e Iranit për të armatosur dhe për të mbështetur Presidentin Bashar al-Assad, aleat i Teheranit, përfshirë mobilizimin e rreth 50,000 paraushtarakëve luftëtarë shiia.

Soleimani ishte një nga ithtarët kryesorë dhe vendimtarë për angazhimin e Rusisë në luftën civile siriane. Në Liban ishte njeriu i përcaktuar për të mbajtur marrëdhëniet e Iranit me Hezbollahun. Ai e furnizonte këtë grup me raketa për të kërcënuar Izraelin. Ai ishte drejtuesi efektiv i partisë së shiiave libanezë, krahu i armatosur i Hezbollahut. Si i tillë, ai mbikëqyri luftën e Izraelit me Hezbollahun në vitin 2006. Në Jemen drejtoi strategjinë për të armatosur Lëvizjen Houthi, ku ka krijuar një gjendje të rëndë terrori. Në vitin 2011 u përpoq të vriste ambasadorin e Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një restorant në Xhorxhtaun, WDC. Ka fakte të besueshme që ai urdhëroi sulmet kundër rafinerisë më të madhe saudite të naftës, më 14 shtator 2019, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik. Ambiciet e tij nuk ishin të lidhura vetëm me rajonin. Në Afganistan u përpoq të rrëzonte qeverinë properëndimore demokratike, duke bashkëpunuar me armiqtë e saj. Nëpërmjet Forcave Kud ka komplotuar në Azi, në Amerikën Latine e gjetkë. Teherani aktivizon celula të fjetura dhe dërgon njerëz për të vrarë diplomatë në të gjithë botën: në Indi, Tajlandë, Gjeorgji, në vende që nuk mund të shkojë mendja. Forcat Kud kanë planifikuar operacione kriminale edhe kundër vendit tonë, si mik i Shteteve të Bashkuara dhe strehues të MEK (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit, që kërkon të rrëzojnë Republikën Islamike të Iranit). Lideri suprem Khamenei e ka quajtur vendin tonë, pa e përmendur me emër si “Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe djallëzor, që ka bërë komplot me SHBA dhe tradhëtart e MEK kundër Iranit”.

PSE SHTETET E BASHKUARA VRANË SOLEIMANIN?

Drejtues të institucioneve të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara kanë deklaruar se Soleimani u vra për të ndaluar një luftë. Informacionet inteligjente tregojnë se ai me rrjetin e vet po planifikonte sulme shumë të rrezikshme kundër Shteteve të Bashkuara, kundër ushtarëve, pilotëve, marinsave, marinarëve dhe diplomatëve amerikanë në të gjithë Lindjen e Mesme. Madhësia, shkalla dhe qëllimi i këtyre planeve ishte një rrezik i madh.

Goditja kishte për qëllim të pengonte këto sulme dhe të frenonte sulme të tjera kundër amerikanëve dhe interesave amerikane në rajon. Me vrasjen e Soleimanit shpëtuan me qindra jetë dhe le të jetë ky vendim një mësim për gjithë terroristët.

IRANI GODET FORCAT E SHTETEVE TË BASHKUARA NË IRAK

Më 8 janar 2020, Irani sulmoi me një breshëri raketash dy baza në Irak (Al-Asad dhe Arbil), të cilat strehojnë trupat amerikane dhe aleate. Baza Al-Asad ka qenë prej kohësh një qendër për operacionet ushtarake amerikane në Irakun Perëndimor. Ndërsa baza tjetër në Erbil ka qenë një qendër për operacione speciale për qindra amerikanë dhe trupa të tjera aleate, personel logjistik dhe specialistë të inteligjencës gjatë gjithë luftimeve kundër Shtetit Islamik (ISIS).

Sipas të dhënave, nga sulmet iraniane nuk humbi jetën asnjë ushtar amerikan, i vendeve aleate, apo irakian. Janë konstatuar dëmtime jo të konsiderueshme. Agjencitë shtetërore iraniane thanë se 15 raketa goditën shumë pika kritike, ku kanë vrarë 80 ushtarë, kanë plagosur 200 dhe kanë shkatërruar sasi të mëdha pajisjesh ushtarake, përfshirë helikopterë. Në paradën e deklaratave se ky sulm nuk do të jetë i fundit, bie në sy ajo e ministrit të Jashtëm, Javad Zarif, se Irani ndërmori dhe përfundoi masa proporcionale në vetëmbrojtje.

… Fjala kyç e ligjëratës së tij është “përfundoi”. Ajatollahu, me një ton armiqësor, tha se sulmi ushtarak nuk ishte mjaft. Ai mund të kthehet në strategjinë e mëparshme të Iranit, të arkitektuar nga Soleimani: të sulmojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet, duke përdorur mbështetësit paraushtarakë pro iranianë rajonalë, në mënyrë që qeveria në Teheran të ketë mundësi për t’i mohuar apo të mbulojë aksionet e veta me justifikime të sajuara p.sh., si ato kur kap qëllimisht anijet me naftë dhe deklaron se po kontrollon zbatimin e rregullores së trafikut në Ngushticën e Hormuzit(rrugëkalim strategjik, nëpërmjet të cilit transportohet një e treta e prodhimit botëror të gazit të lëngshëm natyror dhe 20% e naftës). Ajatollahu mundet të gjëmojë kundër Shteteve të Bashkuara, siç bën gjithmonë Republika e tij Islamike, por ai e di se një luftë në shkallë të gjerë do të riformonte Lindjen e Mesme në një mënyrë të paparë më parë dhe sigurisht që nuk do të ishte në të mirë të Iranit dhe mund t’i jepte fund atij regjimi njëherë e përgjithmonë. Fuqia amerikane është frenuesi më i mirë në rajon si ushtarak, ashtu edhe ekonomik.

QËNDRIMI I SHTETEVE TË BASHKUARA

Pas sulmeve në të dyja bazat, Presidenti Tramp i bëri thirrje Iranit për një përpjekje të re diplomatike, për të negociuar së bashku. Amerika, vijon më tej Presidenti, është e gatshme të bëjë paqe me atë që e kërkon atë kundër aksioneve terroriste apo destabilizuese në rajon, si dhe kundër përgatitjes së bombës atomike. Në të kundërtën, ai do t’i imponojë Iranit më shumë sanksione ekonomike, të cilat këtë radhë synojnë industrinë e çelikut dhe të hekurit.

Sipas Presidentit Rouhani, lufta ekonomike i ka kushtuar Iranit $100 miliardë të ardhura nga industria e naftës dhe $100 miliardë të tjera në investime.

QËNDRIMI I BASHKIMIT EUROPIAN DHE NATO-S

BE dënoi sulmet me raketa të Iranit dhe deklaron se nuk do të kursejë përpjekjet për të mbajtur gjallë marrëveshjen bërthamore.

Kryeministri britanik, duke mbështetur Shtetet e Bashkuara, ka bërë thirrje për ulje të tensioneve. Ai e konsideroi gjeneral Soleimanin një kërcënim për të gjithë interesat perëndimore dhe përgjegjës për një seri pështjellimesh dhe veprimesh destabilizuese në rajon. Ai i kërkoi Iranit të mos përsërisë sulme të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, por të ulë tensionet dhe përshkallëzimet. Nga ana tjetër, z. Xhonson (Johnson) ftoi qeverinë irakiane të lejojë trupat e huaj të qëndrojnë në vend për të luftuar ISIS-in, duke theksuar rëndësinë e shkatërrimit të rrjetit të terrorit dhe angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar te sovraniteti i Irakut. Gjermania dhe Franca lëshuan një deklaratë të përbashkët, ku ftojnë të gjithë krahët të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjshmëri, të ulin tensionet dhe të mënjanojnë një spirale dhune. Po kështu, nënshkruesit europianë janë të angazhuar te marrëveshja bërthamore me Iranin, pavarësisht trysnisë së zotit Trump që u kërkon ta lëshojnë atë. NATO i ka bërë thirrje Iranit të ndërpresë dhunën dhe provokimet e mëtejshme. Prej vitesh, aleatët kanë shprehur shqetësim ndaj aktiviteteve destabilizuese të Iranit në Lindjen e Mesme dhe mbështetjen që Irani u jep grupeve të ndryshme terroriste. NATO mbështet marrëveshjen atomike dhe miraton idenë se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë atomike. NATO, për çështje sigurie, përkohësisht ka ndërprerë trajnimin e forcave ushtarake irakiane dhe aktivitetin për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme ushtarake. Aleanca është e përgatitur të rinisë ndihmën ndaj Irakut kur ta lejojë situata dhe mbetet shumë e angazhuar ndaj luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar (trupat e NATO-s ndodhen në Irak me ftesë të qeverisë irakiane për të ndaluar kthimin e ISIS-it). NATO luan një roj kyç në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Në këtë kuadër, Presidenti i SHBA dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kanë rënë dakord që NATO të përfshihet më shumë në Lindjen e Mesme, për të dhënë një kontribut më të madh në stabilitetin rajonal dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

QËNDRIMI I IRAKUT DHE ROLI I SHTETEVE TË BASHKUARA

Më 5 janar 2020, Kuvendi i Irakut votoi për të larguar të gjitha forcat e huaja nga territori i vendit. Forcat amerikane janë në Irak si pas një marrëveshjeje të zyrtarizuar nga një letërshkëmbim midis ministrave të Jashtëm të të dyja vendeve. Kështu, në këtë rast, Kryeministri është autoriteti vendimmarrës dhe jo Kuvendi. Ushtria amerikane, si dhe prania diplomatike e Shteteve të Bashkuara janë thelbësore për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe për mbrojtjen e interesave amerikane në rajon, së paku për të ardhmen e parashikueshme, për këto arsye: Së pari, prania e Shteteve të Bashkuara në Irak është e nevojshme për të ndaluar ISIS të riformohet dhe të kërcënojë Perëndimin si në vitet që shkuan. Njoftimi se Koalicioni kundër ISIS i udhëhequr nga SHBA është duke ndërprerë operacionet e veta është tepër serioz dhe me pasoja. Së dyti, pa praninë e Shteteve të Bashkuara do të rritej influenca ruse dhe iraniane në këtë pjesë të Lindjes së Mesme. Iraku do të jetë gjithmonë e më i dobët kundrejt fuqisë në rritje të Iranit, prandaj mbështetja amerikane për Irakun mbetet vendimtare. Pa praninë e Shteteve të Bashkuara në Irak, Irani do ta kishte ende më të lehtë të politizonte institucionet dhe forcat e armatosura irakiane, të vendoste kontrollin e vet te burimet e naftës dhe ta përdorte territorin e Irakut për të pajisur me lehtësi grupet mbështetëse të Iranit, që ndodhen në Siri apo në Liban. Së treti, Iraku është një territor strategjik për stabilitetin rajonal, që ndikon në ekonominë botërore pasi influencon tregjet globale të naftës (Iraku është prodhuesi i dytë më i madh i OPEC-ut, që sot furnizon dhe Iranin). Në qoftë se terroristët do të jenë sërish të lirë të përparojnë në Irak, paqëndrueshmëria do të përhapet në të gjithë rajonin dhe do të minojë përpjekjet e Irakut të rritë prodhimin e naftës. Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se SHBA nuk do t’i tërheqë trupat nga Iraku. Administrata amerikane është duke hartuar sanksione potenciale kundër Irakut, në rast se liderët e vet do të zbatojnë planin për të larguar trupat amerikane për vrasjen e Soleimanit në territorin irakian.

MARRËVESHJA BËRTHAMORE ME IRANIN E VITIT 2015, APO PLANI I VEPRIMIT I PËRBASHKËT GJITHËPËRFSHIRËS (JCPOA)

Në vitin 2015, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania (P5 + 1) arritën një marrëveshje me Iranin për të ndaluar përpjekjet e veta për të prodhuar armë atomike. Pas vrasjes së Soleimanit, Irani deklaroi se nuk do të respektojë më kufizimet e kësaj marrëveshjeje, që e pengojnë të pasurojë uraniumin. Në këtë mënyrë, Irani shumë shpejt do të jetë në gjendje të prodhojë bombën atomike. Për Amerikën dhe NATO-n është interes jetësor që Irani të mos ketë armë atomike sepse do të kërcënonte Europën dhe aleatët e tyre në rajon. Nga ana tjetër, ai mund të nxiste Turqinë, Arabinë Saudite dhe Egjiptin të siguronin armë atomike dhe kjo garë armatimi do ta kthente Lindjen e Mesme në një fuçi baruti atomik. Presidenti Trump mendon se marrëveshja e vitit 2015 nuk është shumë funksionale. Ajo nuk e pengon, por i hap rrugën Iranit të prodhojë armë atomike. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë lëshuar këtë marrëveshje në mënyrë të njëanshme. Presidenti Trump fton vazhdimisht nënshkruesit e tjerë: Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Rusinë dhe Kinën të bëjnë të njëjtën gjë dhe të punojnë së bashku për të bërë një marrëveshje të re me Iranin, që do ta bëjë botën më të sigurt dhe më paqësore. Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen në Lindjen e Mesme për sa kohë Irani vazhdon të nxisë dhunë, paqëndrueshmëri, urrejtje dhe luftë. Bota e qytetëruar duhet t’i dërgojë një mesazh të qartë dhe të njësuar regjimit iranian: fushata juaj e terrorit, vrasjeve, pështjellimeve nuk do të tolerohet më, nuk do të lejohet të shkojë përpara. Irani justifikohet se nuk do të respektojë kufizimet e marrëveshjes për shkak të sanksioneve që i kanë rivendosur Shtetet e Bashkuara kur lëshuan marrëveshjen në vitin 2018, që do të thotë se ai është i vendosur të prodhojë bombën atomike.

Fuqitë europiane i konsiderojnë deklarimet e Iranit si të papranueshme dhe ekstremisht të dëmshme. Prandaj, sot Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca vunë në lëvizje ‘mekanizmin e mosmarrëveshjes’, të parashikuar në nenin 36 të kësaj marrëveshjeje. Sipas këtij mekanizmi, palët kanë 15 ditë afat të zgjidhin mosmarrëveshjen, gjë që do të thotë se Planit të Veprimit të Përbashkët Gjithëpërfshirës (JCPOA) të vitit 2015 po i vjen fundi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura