Arka me peshk e Rovena Vodës dhe “peshqit e mëdhenj” që çanë rrjetën e SPAK-ut

Jun 27, 2022 | 14:12
SHPËRNDAJE

“Arka me peshk ‘mori në qafë’ Rovena Vodën!” Duket si një frazë e shkëputur nga një emision apo rubrikë satirike, por jo.

SPAK-1-1-1

Shumëkush e mban mend që ky ishte kryelajmi i fillimvitit 2021, kur zv/ministrja e Brendshme u arrestua për korrupsion. Prokuroria e kish kopsitur dosjen, jo thjesht ishte përgjuar zv/ministrja, por arka e peshkut ishte e filmuar! Në dosje mungonte vetëm fakti, pra peshku, i pamundur për t’u ekspertuar, sepse me gjasë i tretur me verë të bardhë.

Dikush që vjen për herë të parë në Shqipëri, mund të mbetet fare mirë gojëhapur nga rigoroziteti dhe sqima e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Ky nivel suedez i goditjes së korrupsionit nuk ishte parë në 30 vite. Standardi u vendos lart, çdo ryshfet mbi arkën e peshkut, tani të çon në burg.

Por, ja që nuk është krejt ashtu. Afera të rëndësishme korruptive janë publikuar kohët e fundit nga media të ndryshme apo edhe nga opozita. Por këto afera kanë rënë në vesh të shurdhër. Drejtësia nuk ka vepruar në mjaft raste flagrante, gjë që të bën të mendosh për selektivitet në goditjen e zyrtarëve që dyshohen për korrupsion. Televizioni “News 24” ka publikuar kohët e fundit skandalin ku përfshihet drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, i cili i ka dhënë një tender 500 milionë lekë për të bërë një meny, kuzhinierit Alfio Rrotani, i cili ka punuar te restoranti i djalit të tij në Gjirin e Lalzit. 500 milionë lekë thjesht për të bërë një meny restoranti “me produkte autentike shqiptare”! Aq skandaloz ishte ky rast i publikuar në “News 24”, sa Komisioni i Prokurimit Publik u detyrua të ndërhyjë duke anuluar tenderin.

Komisioni vlerësoi se kriteret e vlerësimit teknik nuk ishin në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, duke cenuar trajtimin e barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë. Çfarë bëri prokuroria pas publikimit të këtij skandali? Asgjë. Madje më keq se asgjë. Sepse ajo trafikoi në media lajmin që kishte nisur verifikimet, por me kalimin e javëve gjithçka u harrua. Një tjetër rast ishte ai i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi, të cilit iu zbulua një huadhënie prej 140 mijë paundësh. E gjithë kjo histori pasi ai ishte gjetur më parë me shkelje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, e megjithatë ngjiti i pashqetësuar shkallët e karrierës. Vetë procedura e huadhënies është mjaft delikate dhe shpeshherë në kufijtë e ligjshmërisë.

Kodi Penal shqiptar e ka përcaktuar qartë se kur dhënia e fajdeve përbën krim të dënueshëm. Neni 170/ç i Kodit Penal parashikon se “Ushtrimi i një ose disa veprimtarive financiare të ndryshme nga veprimtaria bankare, nga persona që nuk janë të licencuar për këtë qëllim, sipas legjislacionit bankar dhe/ose financiar në fuqi, dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet”. Po kjo vepër, kur u ka shkaktuar pasoja të rënda interesave shtetërorë ose atyre të shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Duhet që autoritetet të përcaktojnë nëse huat e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve janë brenda normave të Kodit Civil, apo nëse kalojnë në fushën e veprimtarive të paligjshme. Po kush t’i bëjë këto hetime ose verifikime? Prokuroria e ka realizuar normën e punës me arkën e peshkut të Rovena Vodës. Këto 3 raste flasin për një selektivitet të frikshëm në vendimmarrjen e SPAK-ut. Disa trajtohen si të nënës, të tjerë si të njerkës. Prokuroria e Posaçme është një institucion, pritshmëritë ndaj të cilit janë shumë të larta. SPAK u ngrit për të arrestuar “peshqit e mëdhenj”. Prokuroria e Posaçme u krijua të hetojë dhe të bëjë transparencë mbi raste si ai i drejtorit të FSHZH-së, ose ai i kreut të Tatimeve. Por, nëse niveli i SPAK-ut do të rrijë tek arka e peshkut, jo vetëm që s’do kapen “të mëdhenjtë”, por vetë peshkut të prokurorisë do të nisë t’i vijë era.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura