Aritmia, risku më i lartë tek të sëmurët me zemër e ata që vuajnë nga hipertensioni

Sep 7, 2017 | 15:27
SHPËRNDAJE

Aritmitë e zemrës mund të cilësohen të padëmshme, megjithatë, nëse ato janë anormale, ose shfaqen te një zemër e dobët, ose e dëmtuar, mund të shkaktojnë pasoja serioze dhe madje potencialisht fatale.

“Në momentin që shfaqen simptomat e para, duhet kryer vizita pranë kardiologut dhe ndjekja e këshillave, mjekimit dhe ekzaminimeve të nevojshme. Në këtë mënyrë stabilizimi është më i shpejtë, më i sigurt dhe ka komplikacione më të pakta. Nëse nuk trajtohet në kohë, aritmia mund të bëhet edhe kronike. Fibrilacioni atrial është aritmia më e shpeshtë. Ajo mund të japë stroke dhe rritje të riskut apo vdekje të papritura”, pohon mjekja kardiologe, Manjola Liko.

Manjola Liko
Manjola Liko

Në intervistën dhënë për gazetën, doktoresha vë në dukje se shenjat më të shpeshta të aritmive janë djersitja, dhimbja e gjoksit, zbehja, si dhe problemet me përqendrimin. Gjatë një aritmie, zemra mund të përshpejtojë rrahjet, t’i ngadalësojë ose të tkurret në mënyrë jo të rregullt. Ndër faktorët e riskut që çojnë në aritmi veç moshës, renditen edhe problemet me zemrën, diabetin, konsumimi i tepruar i alkoolit, stresi, si dhe konsumimi i duhanit.

Çfarë është aritmia dhe nga se shkaktohet?

Aritmia është çrregullim i aktivitetit elektrik të zemrës. Gjatë kësaj patologjie çrregullohet origjina, frekuenca dhe përcjellshmëria e aktivitetit kardiak. Si shkaktarë etiologjikë mund të përmendim sëmundjet e ndryshme kardiake, IM, hipertensioni sistemik, hipo apo hiperkalemia, sëmundja pulmonare kronike, sëmundje të tiroides, terapite medikamentoze, mjekimi me doza toksike e medikamenteve kardioaktive, stimulimi vagal, çrregullimet metabolike, cor pulmonar, problemet me gjëndrën tiroide. Por shkak për aritminë mund të jenë edhe shkaqet psikologjike, si ankthi, ushtrimet fizike, shtatzënia.

Faktorë të jashtëm që mund të çojnë në përshpejtim të rrahjeve të zemrës, cilët mund të veçohen?

Moshat mbi 60 vjeç janë më të riskuara për të shfaqur aritmi, ku fibrilacioni atrial është një nga aritmitë më të shpeshta, dhe incidenca është më e lartë në meshkujt e kësaj grupmoshe sesa te femrat. Konsumimi i alkoolit, kafeve të tepërta apo pijeve energjike ul pragun për shfaqjen e aritmisë. Po ashtu prania e sëmundjeve shoqëruese kardiake apo jokardiake ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të ritmit.zemra

Cilat janë shenjat që shfaq?

Simptomat më të shpeshta të aritmive janë palpitacionet, djersitja, dhimbja e gjoksit, dispneja, zbehja dhe në rastin e fibrilacionit ventrikular, vdekja e papritur kardiake.

Çfarë duhet të bëjmë në momentin që përballemi me brakikardi apo takikardi?

Shumë e rëndësishme është vizita pranë kardiologut, kryerja e ekzaminimeve diagnostikuese si EKG, holteri i ritmit, ekoja kardiake etj., bilancet biokimike. Takikardia është prania e frekuencës kardiake mbi 100, mund të tentohet me doza të ulëta b-bllokuesish, si p.sh., atenolol apo metoprolol. Brakikardia, nga ana tjetër, është rënia e ritmit kardiak nën 60 për minutë, dhe praktikisht duhet të kontrollohen medikamentet që merren në rutinë, pasi nëse ato ndikojnë në rënien e ritmit, nuk duhen konsumuar.

Çfarë pasojash mund të sjellin?

Një nga pasojat më të rrezikshme të aritmive janë trombozat. Atriumi i majtë gjeneron ritmin kardiak në mënyrë kaotike, dhe gjaku nuk qarkullon në mënyrë efiçente, duke rritur riskun për tromboza. Gjithashtu një zemër me aritmi për një kohë të gjatë mund të sjellë shfaqjen e insuficiencës kardiake aritmogjene.

Cilat kategori janë më të rriskuara?

Moshat mbi 60 vjeç, kryesisht meshkujt, të sëmurët kronikë hipertensivë, pacientët me insuficiencë kardiake, kardiomiopati, defekte kongenitale të zemrës, sëmundja ishemike, sëmundje infektive apo pulmonare.

A është i rrezikshëm hipertensioni për aritminë?

Hipertensioni arterial rrit probabilitetin për shfaqjen e aritmisë kardiake.

Si trajtohet?

Ndër grupet farmakologjike për trajtimin e aritmisë përmendim b-bllokuesit (si metoprololi, carvedilolol, nebivolol etj.), ca-bllokuesit verapamili apo diltiazemi, dhe antiarit mikët, si amiodaroni, propafenoni etj. Gjithashtu edhe fillimi i medikamenteve antikoagulante për shkak të riskut të shtuar për tromboza.

Dhe së fundi, sa mundësi ka që të rikthehet nëse nuk trajtohet si duhet?

Çdo aritmi duhet të trajtohet në kohë, d.m.th. që kur shfaqen simptomat e para, duhet kryer vizita pranë kardiologut dhe ndjekja e këshillave, mjekimit dhe ekzaminimeve të nevojshme. Në këtë mënyrë stabilizimi është më i shpejtë, më i sigurt dhe ka komplikacione më të pakta. Nëse nuk trajtohet në kohë, aritmia mund të bëhet edhe kronike. Fibrilacioni atrial është aritmia më e shpeshtë. Ajo mund të japë stroke dhe rritje të riskut apo vdekje të papritura. Sa më shpejt të trajtohet, aq më i lartë është probabiliteti për t’u kthyer në normë dhe aq më i ulët është risku për komplikacione tromboembolike. Lënia mbi 24 orë pa trajtim e ritmit të fibrilacionit paraqet shumë probabilitet për formimin e trombozave dhe e bën të pamundur kthimin medikamentoz të ritmit të fibrilacionit në ritëm të rregullt sinusal. Në këto raste, pas fillimit të antikoagulumit me hollues gjaku, mund të tentohet konvertimi elektrik./Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura