Universiteti Luarasi
Panorama Sport
Home » Argument » 70 mije eurot: Zbulohet teksti i videos mes Priftit dhe Beqirajt

70 mije eurot: Zbulohet teksti i videos mes Priftit dhe Beqirajt

Videoja e përgjigmit ku ndahen 70 mijë euro

Aferat e përmendura gjatë 45 minutave të bisedës dhe emrat e cituar. Prifti e Ina Rama reagojnë për letrën te “RD”

Ministri dhe zv.ministri planifikojnë t’i marrin 400-500 mijë USD një investitori që ka gati 10 milionë dollarë

Spartak Braho publikoi në emisionin “Opinion” pak ditë më parë, videon ku Dritan Prifti ndan me ish-zv.ministrin e Ekonomisë rreth 70 mijë euro. Sekuencat që u bënë publike në televizion janë vetëm një pjesë e bisedës që përmban videoja, e cila është regjistruar nga kamera e fshehtë e Dritan Priftit më 11 mars 2010. Videoja në fjalë disponohet nga Prokuroria e Përgjithshme pas rikuperimit nga eksperti amerikan dhe së fundi, siç u tregua publikisht, edhe nga Spartak Braho. Vetëm prokuroria besohet se ka një version të transkriptuar të videos, megjithatë, pak çaste pas publikimit të saj në “Opinion”, gazeta “Tema Online” publikoi të gatshme një pjesë të bisedës që ekziston në dialogun Prifti-Beqiraj. Historia e 70 mijë eurove, siç duket nga dialogu, nuk është aq e thjeshtë. Në fillim ato kanë qenë 100 mijë euro, por 30 mijë i ka marrë dikush tjetër. Sipas dialogut që disponohet nga burime ende të paidentifikuara, Leonard Beqiraj ka shkuar në banesën e Dritan Priftit me 69

Dritan Prifti

mijë euro, pasi një mijë euro ia kishte dhënë, siç thotë ai në bisedë, një femre me emrin Rezarta. Pasi ka shkuar në banesën e Priftit me 69 mijë euro në çantë, Beqiraj bisedon me ministrin nëse shumën do ta ndanin mes tyre, apo do t’u çonin pjesë edhe “të tjerëve”. Teksa ndajnë paratë, Beqiraj e pyet Priftin edhe për një emër tjetër kur thotë: “Po atij Gjergjit do t’i japim gjë?”. Në bisedë përmendet më pas një emër Ilir dhe më vonë etiketohet si “ai i boteve”. Sipas dialogut, duket se është fjala për një biznesmen që sjell anije në Vlorë. Në bisedë, më vonë, nuk dihet nëse duke iu referuar të njëjtit person apo jo, përmendet një emër i plotë, Ilir Kashiri. Në dialog më pas flitet për shtetasin Piro Bare. Flitet që ky person kërkonte të shkarkonte anijet, ndërsa theksohet se do t’i kërkohej 60 dollarë për çdo ton mall. Prifti e Beqiraj bisedojnë të ndajnë në këtë rast nga 30 dollarë secili. Biseda vazhdon më pas në të njëjtën linjë, përmendet një shtetas me emrin Nardi dhe më vonë linja e trenave, ku thuhet se Beqiraj ka marrë nga 80 dollarë për ton. Më pas, në bisedë, Beqiraj i thotë Priftit se ka një person nga Vlora, një i quajtur Miri, i cili, sipas zv.ministrit, kërkon të investojë 10 milionë dollarë. Gjatë bisedës, zv.ministri i propozon Priftit

Leonard Beqiraj

që këtij personi t’i marrin 400-500 mijë dollarë nga investimi që ai do të kryente. Në bisedë përmendet edhe një person me emrin Martin, që sipas sqarimeve që Leonard Beqirajt dha në emisionin “Opinion”, është Martin Shultz, eurodeputet gjerman. Duke iu referuar këtij personi, Beqiraj thekson se ka folur me të në lidhje me një takim me Ilir Metën, ndërsa Shultz i ka thënë se nuk ka pasur takim me Edi Ramën. Në bisedë përmendet edhe një person me emrin Monika. Sipas Beqirajt, Monika është në dijeni për disa shuma që zv.ministri i ka dhënë dikujt. “Dyzet milionë, dyzet milionë lekë m’i ka marrë mua, dy njëzetëshe dhe njëzet mijë euro ia kam dhënë unë, siç m’i kanë dhënë, ja kam dhënë unë. I ka ajo të gjitha, i di Monika, ka qenë aty”, thotë Beqiraj në bisedë me Dritan Priftin në banesën e këtij të fundit.

Minutazhi i videos
Sipas disa të dhënave të Prokurorisë, videoja Prifti-Beqiraj zgjat të paktën 45 minuta në versionin e saj të plotë. Sekuencat e para fillojnë me Dritan Priftin, i cili monton kamerën e fshehtë, kontrollon këndvështrimin e saj dhe vazhdojnë më pas me pritjen që ai i bën zv.ministrit. Pasi ndahen paratë, aty flitet për shumë çështje dhe personazhe të tjera. Dialogu i bisedës rreth 45-minutëshe është zbardhur nga prokuroria me ndihmën e ekspertit amerikan, pasi me dëgjim të zakonshëm cilësia e zërit nuk është e mirë.

Mbrojtja fizike për Dritan Priftin
Paraqitjet e Dritan Priftit në Prokurori pas publikimit të videos në emisionin “Fiks Fare” kanë qenë të shpeshta. Pak muaj pasi u largua nga detyra e ministrit, krahas videos së Metës, Prifti bëri akuza publike për kontrabandë nafte në adresë të policisë dhe doganave. Për këtë shkak, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme i vendosën masa mbrojtëse Dritan Priftit. Gjatë lëvizjeve të tij, ai shoqërohej nga truproja të repartit të forcave speciale BRISK-u në Policinë e Shtetit. Kjo mbrojtje vazhdoi disa muaj, derisa me urdhër të kreut të Policisë truprojat e Dritan Priftit u thirrën në repart dhe u tërhoqën.

Eksperti amerikan gjeti materialet e zhdukura
Prifti fshiu nga kompjuteri videon ku ndan 70 mijë euro

TIRANE – Në mesin e janarit 2011, emisioni “Fiks Fare” publikoi një video në të cilën Dritan Prifti bisedonte me Ilir Metën në paradhomën e Ministrisë së Ekonomisë. Një ditë më pas, Prokuroria e Tiranës filloi hetimet për këtë çështje dhe pasi pyeti disa dëshmitarë e mblodhi disa shkresa, vendosi që dosjen ta dërgojë në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi duhej të hetoheshin persona me imunitet parlamentar. Në këtë kohë, Dritan Prifti u pyet me çfarë e kishte kryer përgjimin dhe tha se filmimi ishte bërë me orën-kamer. Prokuroria e kërkoi këtë pajisje dhe gjithë mjetet tjera që ishin përdorur për shkarkimin dhe kopjimin e regjistrimit filmik. Dritan Prifti u paraqit vetë në Prokurori dhe dorëzoi orën-kamer, laptopin, USB-në dhe fishat e çdo pajisjeje tjetër elektronike. Prokuroria i mori në dorëzim këto materiale dhe kërkoi ekspertizë nga një specialist amerikan për vërtetësinë e videos “Meta-Prifti”. Deri në këtë kohë nuk dihej asgjë për video të tjera, por përgjigja e kthyer nga specialisti amerikan, më 9 shkurt 2011, i shtangu hetuesit. Specialisti amerikan shpjegonte se gjatë ekzaminimeve në kompjuterin e Dritan Priftit kishte arritur të gjente disa materiale filmike të fshira. Një nga këto materiale paraqiste dy burra që takoheshin mes tyre në mbasditën e datës 11 mars 2010 dhe ndanin mes tyre 70 mijë euro. Videoja ishte regjistruar nga vetë Prifti, i cili e kishte hequr nga kompjuteri para dorëzimit të laptopit në Prokurori. Eksperti amerikan theksoi se kjo video ishte fshirë nga laptopi i Dritan Priftit në pjesët e dukshme të saj, por në fakt, kishte mbetur ne memorien BIO, për të cilën përdoruesi i pajisjes në fjalë nuk ka qenë fare në dijeni. Pas shqyrtimit të kësaj videoje, Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të Dritan Priftit dhe mori në hetim edhe zv.ministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiraj që ndante eurot me Dritan Priftin.

Hetimi i Priftit, afati i fundit këtë muaj
Ndërkohë që dosja penale e hapur për videon në të cilën ishte filmuar ish-zv.kryeministri Ilir Meta u hetua dhe u dërgua në gjykatë me akuzën e korrupsionit, dosja e Dritan Priftit u mbajt në Prokurorinë e Përgjithshme. Edhe pasi Gjykata e Lartë përfundoi shqyrtimin e dosjes së Metës dhe e shpalli atë të pafajshëm, Prokuroria e Përgjithshme ende vazhdon pa një vendimmarrje në lidhje me video-përgjimin që Dritan Prifti i ka bërë vetes teksa ndan 70 mijë euro me ish-zv.ministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiraj. Prokuroria e Përgjithshme, dy javë më parë vendosi shtyrjen e afatit të hetimeve për videon e Priftit edhe me një muaj tjetër. Pritet që brenda këtij muaji, organi i akuzës të konkludojë me akuzë konkrete në lidhje me këtë video. Burime të Prokurorisë kanë thënë dje se kjo çështje është ende në hetim.

Prifti i shkruan Ina Ramës, Prokuroria: U protokollua

Ish-ministri: “RD” mashtron, kërkoja vetëm siguri fizike

Prokurorja: Jam e vendosur ta vazhdoj detyrën, pavarësisht insinuatave

Kryeprokurorja Ina Rama

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i ka shkruar një letër prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në kohën kur është marrë në hetim nga Prokuroria për korrupsion. Sipas një varianti të publikuar dje në gazetën “Rilindja Demokratike”, letra në fjalë implikon vetë Dritan Priftin, por edhe Ina Ramën. “Për informacion, e dashura ime, ka qenë ura lidhëse. Me të kam biseduar për paratë që të kam dhënë ty dhe drejtuesve të PS-së, por edhe për aspekte të tjera të jetës intime të disa personaliteteve”, citonte dje RD letrën e Dritan Priftit drejtuar prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Në lidhje me këtë publikim, Prokuroria e Përgjithshme reagoi dje duke thënë se në letrën e Priftit nuk ka pasur asgjë të paligjshme. “Në një nga mediat e shkruara është botuar një shkrim, në datën 21.01.2012, mbi një letër që deputeti Dritan Prifti i drejton prokurores së Përgjithshme, znj. Ina Rama”, thuhej në deklaratën e shpërndarë dje nga Prokuroria. Sipas saj, “duke marrë shkas nga elementët denigrues dhe të pavërtetë që janë shprehur në këtë media, Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se deputeti Dritan Prifti i ka dërguar një letër prokurores së Përgjithshme, por përmbajtja e saj është tërësisht e ndryshme nga ajo çfarë thuhet në këtë gazetë”. Organi qendror i akuzës pretendon se “kjo letër është trajtuar zyrtarisht e është protokolluar sapo ka ardhur në zyrën e protokollit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe si dokument, është e do të mbetet në arshivën e këtij institucioni”. Duke shfrytëzuar rastin, Prokuroria e Përgjithshme shprehet se është e vendosur të kryejë detyrën e saj kushtetuese, pavarësisht insinuatave të ndryshme që synojnë të devijojnë angazhimin e prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë në hetimin e çështjeve që janë në fokus të vëmendjes së opinionit publik.
Ndërkohë, në një reagim për shtypin, Prifti thotë se: “më vjen shumë keq për një shkrim të pavërtetë dhe abuziv të gazetës Rilindja Demokratike botuar sot. Kjo gazetë ka shpifur dhe mashtruar për çdo gjë që ka shkruar, nga fillimi ne fund. Unë i kam shkruar Prokurores së Përgjithshme një letër tepër sekrete, për disa shqetësime personale lidhur me sigurinë time, për të cilën kërkova të hetohet. Kam marre telefonata dhe sms për dënim me vdekje dhe jam shumë i shqetësuar”.
Misteret e letrës
Prokuroria e Përgjithshme tha dje se nuk mund ta bënte publike letrën e Dritan Priftit, pasi ajo është sekret hetimor. Burimet zyrtare në Prokurori thanë se ka një çështje në hetim në lidhje me Dritan Priftin dhe letra e tij është administruar si një nga provat në këtë dosje. Për sa kohë letra mbetet pa u publikuar, përmbajtja e saj mbetet misterioze, megjithatë, burimet nga organi i akuzës thanë dje se letra në fjalë është shkruar nga vetë Dritan Prifti. “Mund të thuhet se letra ka një përmbajtje jo si ajo që është paraqitur në media. Në atë letër, Dritan Prifti vë në dukje denoncimin që ka bërë për një aferë korruptive dhe pretendon se ai denoncim e ka vendosur përballë rreziqeve dhe presioneve”, thanë burimet e Prokurorisë. “Përmbajtja e shkresës vërtitet rreth denoncimit të bërë publik një vit më parë nga Dritan Prifti, dhe përpiqet ta paraqesë këtë gjest si një veprim të guximshëm që mund të sjellë pasoja për sigurinë e Priftit”, thuhet nga organi i akuzës. Burimet e Prokurorisë sqaruan dje edhe faktin tjetër se nuk janë vënë në dijeni nga Dritan Prifti për kërcënime konkrete në adresë të tij dhe se nuk kanë pasur kallëzim për kanosje ndaj tij.

Arvizu me Fevziun për videon
Ambasadori amerikan Arvizu është parë pasditen e djeshme në shoqërinë e gazetarit Blendi Fevziu. Diku pas orës 19:00 ata janë ulur së bashku në “Whiskey Bar”, një lokal i famshëm i jetës së natës në qendër të Bllokut. Nuk dihet saktësisht tema e bisedës mes tyre, por takimi, megjithëse u zhvillua pasditen e protestës së opozitës, duhet të ketë pasur në qendër edhe videon më të fundit “Prifti-Beqiraj”. Fragmente të saj u shfaqën në emisionin e së enjtes dhe menjëherë prokuroria nisi hetimin për dalje sekreti hetimor. Një kopje e materialit të shfaqur u mor nga prokuroria në televizionin “Klan” për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Me shume nga kjo kategori:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori

7 Komente per “70 mije eurot: Zbulohet teksti i videos mes Priftit dhe Beqirajt”

  1. E gjithe kjo histroi turpi shqiptar, nuk eshte gje tjeter vecse lufte brenda lloit mafioz, lufte klanesh mafioze……..ketu ka humbje vec üpopulli dhe ajo pjese e ndershme e shoqerise gje qe me duket se eshte ne minorance….

  2. Cen Durimmadhi

    Dhe perseri ka “partizane” qe japin edhe jeten per keto kafshe!

  3. LARGQOFTE ME ARRESTUA PRIFTIN….AI ESHTE ENGJELLI I RAMES. PROKURORIA NUK HETON PRIFTIN POR ATA QE KANE NXJERRE SEKRETIN

  4. Z.Prifti fute ne sherr nje popull te tere. Gjeja me e mire qe mund te besh eshte te heshtesh se nuk je i zoti per asgje. e vetmja gje qe ti ben mire eshte te krijosh rremuja. Mos mendo se edhe ti ke nje pergjegjesi te madhe per 21 janarit,sepse videoja qe dorzove te fiksi miro ne cafe 4 veta. Po te ishe nga ata burra e dorzoje ne organet e drejtesise e jo te behesh palaco ne tv. Me ato pergjimet je bere aq bajat sa per mendimin tim ti duhet te punosh ne SHISH se ben shume mire ate pune .

  5. Ne fakt keto “kafshe” sic i quan njeri nga komentuesit,ishin dhe jane pjese e kesaj qeverie koalicioni,e kesaj qe vazhdon te jete qeveria jone! Tjeter eshte se asaj (qeverise se koalicionit) nuk i bejne pershtypje keto skandale ( mes zv/kryeministrit,ministrit dhe zv/ministrit te “koalicionit”) pasi edhe vete fjala “skandal” tani nuk ka asnje lloj kuptimi ne vendin tone.Po te kishin kuptim fjalet “skandal,moral,turp etj”, koalicioni me LSI duhej prishur me kohe dhe duhej te beheshin zgjedhje te reja.

  6. Mire prokuroria qe i zbuloi te dhenat e videos, po Spartak Braho ku i gjeti? Ata jane ndyre te gjithe, vetem nje fshese e hekurt duhet qe nga Monika, Dritani e deri te Iliri e Saliu, veçse kjo tregon se çfare bejne ministrat dhe administrata e kesaj qeveri. Vetem kush te vjedhe me shume. Jepini sa te keni mundesi, se do tu a marrin pushtetin e pastaj do vriti me njeri tjetrin. Ja po vjen fundi. Berisha e shkarkoi gjeneral Prendin, por Berishen kush do ta shkarkoje qe ka dhene urdherin Prendit per te vrare njerez.

  7. Jane kaq te peshtire politikanet – hajdute ne Shqiperi ,sa .shpesh mendoj , se s’kam per t’u kethyer kurre ne vendin tim , ndonse me dhimset dhe adhuroj aq shume . Mjere populli yne ,qe paska qene denuar te vuaje ne jete te jeteve !

Beni nje Koment


Sondazh

Presidenti i ri duhet të jetë një person që merret me politikë, apo jashtë saj?

Shikoni rezultatet

Loading ... Loading ...




Gazeta Panorama ne PDF nepermjet Shtypi.al

Erjoni Ndertim

ARKIVA

Maj 2012
Hën Mar Mër Enj Pre Sht Die
« Pri    
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

© 2012 Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept