Ardit Gjebrea: Si u kompozua kënga “Kur të jesh mërzitur shumë”, pa lejen e Dritëroit. Ja reagimi kur e dëgjoi

Oct 14, 2017 | 18:23
SHPËRNDAJE

Sikur Dritëroi të ishte gjallë, me gjasë do t’ia kishte tundur gishtin Elonës, që e kishte bërë aq të madhe ditëlindjen e tij. I urti dhe modesti Dritëro do të ishte mjaftuar me një valle devolliçe dhe një gotë raki.

Dritero Agolli portrete, Tirane Albania

Por jo Elonës. Flakadanë, portrete e telajo, ekrane të mëdhenj ku shfaqen fotografi të hershme dhe filmime, ndërsa një tufë vajzash kanë veshur bluza të zeza, stampuar mbi to kopertinat e librave të tij. Ka bërë gjithçka për ta ndier sa më pranë atin e dashur, që u nda nga jeta këtë fillimviti. Por, ajo e di, ashtu sikundër të gjithë ata që kanë humbur, që asgjë nuk do t’ia kthejë në jetë, e megjithatë, është si një qetësim shpirti..

Dje u përkujtua ditëlindja e Dritëro Agollit. Një mbrëmje me simbolikën e qiririt, që digjet si shpirti i poetit. Ishin të shumtë atë që mbushën atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, për t’i bërë nderet bardit të letrave shqipe dhe burrit të urtë, Dritëro Agolli.

Kolegë, shkrimtarë, politikanë, gazetarë, bashkëfshatarë, që nuk mungojnë asnjëherë, në asnjë sebep, ishin aty, për t’i shtrënguar dorën Sadijes, bashkëshortes së dashur, dhe për të ngritur një gotë për Dritëronë. Për të mos organizuar një përkujtimore si gjithë të tjerat, Sadija e Elona, të ndihmuara nga miqtë e Dritëroit e të familjes, sollën për lexuesin në këtë ditëlindje, dy vepra të shkrimtarit e poetit.

Njëri, të cilin ai kishte vite që e përgatiste, madje kishte shkruar vetë edhe parathënien, ishte një përmbledhje aforizmash, që ai vetë ia kishte zgjedhur titullin sipas Plinit “Nulla dies sine linea” (“Asnjë ditë pa një vijë”); ndërsa tjetri është një përmbledhje poezish dashurie, kushtuar gruas. Libri u botua në 75-vjetorin e bashkëshortes së tij, Sadies, titulluar “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”. Kjo ishte dhurata e tij në mungesë.

Veprat u prezantuan nga studiuesi Shaban Sinani, i cili ka studiuar elementin aforizëm në të gjithë veprën e Dritëro Agollit, si edhe poeti Ilirian Zhupa, i cili u ndal në poezinë e Dritëroit.

Aktorë të Akademisë së Arteve recituan poezi të Dritëroit, ndërsa përkthyesi dhe studiuesi i veprës së Dritëroit, Shpëtim Çuçka, recitoi Eseninin e përkthyer nga vetë Dritëroi. Surprizë e mbrëmjes ishin recitimet e aktores Justina Aliaj, për të cilën shtëpia e Dritëroit ishte e hapur edhe kur ajo ishte e internuar, ndërsa ai, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ajo recitoi poezitë “Ju desha”, “Pas ndarjes”, “Gruaja ka dalë nga brinja e burrit”, “Gruaja ime Sadija”.

Kjo mbrëmje nuk mund të kuptohej pa një prej këngëve që, më së shumti, shpreh filozofinë e jetës pas vdekjes së një poeti, përmes veprash. Pas prezantimit të Justina Aliajt, Ardit Gjebrea u ngjit në skenë për të interpretuar këngën “Kur të jesh mërzitur shumë”, por përpara se ta bënte këtë, i ulur pranë pianos, ai ndau me të pranishmit historinë e kësaj kënge. Se si ai kishte shfrytëzuar pa leje poezinë e Dritëroit. Dy “bashkëfajtorët”, me Elonën, përzgjodhën një nga poezitë më të fundit, që gjendej mbi tavolinë dhe ia treguan atij vetëm kur kishte përfunduar.

“Mora fizarmonikën në krahë dhe shkuam drejt shtëpisë. U takuam dhe nisa t’i tregoja për këngën. Si fillim, ai u vrenjt se i kishim marrë poezinë pa leje, por pastaj e pëlqeu. Unë nuk e mendoja se ajo do të bëhej një nga këngët më të njohura dhe do të këndohej nga kaq shumë njerëz.

Madje, edhe nga vajza ime, Ana, që s’më ka parë asnjëherë duke kënduar, por vetëm duke prezantuar. Nuk e dija që ajo e dinte këtë këngë të gjithën”, tha Gjebrea, duke thirrur të bijën në skenë dhe për të kënduar së bashku këngën hit, “Kur të jesh mërzitur shumë”. E më pas, të tjera poezi të Dritëroit, dhe për Dritëroin. Nuk munguan as kujtimet e miqve, të cilët do të sillnin për të ftuarit momente të këndshme nga bisedat me Dritëronë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura