Ardian Tragaj, piktori që fikson shëmtinë e babëzisë së pushtetit

May 14, 2018 | 15:51
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ

Artisti i njohur durrsak, Ardian Tragaj, do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e 16-të të artit bashkëkohor me dy vepra, titulluar “Pushtetari abuziv para pasqyrës” dhe “Enigma”. Me ftesë personale nga historiani dhe kritiku i artit profesor Giorgo Grasso, Tragaj do të marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare Kolektive e Artit Bashkëkohor që mundësohet në Venecia të Italisë, eveniment që do të mbahet nga data 26-30 qershor. Në Bienalen e 16-të janë të ftuar dhjetëra artistë nga mbarë bota, të përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij eventi të rëndësishëm.

Ardian Tragaj shquhet për guximin në tematikat që trajton dhe në jo pak raste janë bërë objekt i diskutimeve nga kritikë të njohur jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe jashtë trojeve shqipfolëse. Arti i piktorit durrsak i kalon kornizat e portretizimit shqiptar, duke u përshtatur mjaft mirë me realitetin ballkanik dhe më gjerë. Talenti i tij për të përcjellë mesazhe të mëdha përmes pikturës nuk ka kaluar pa u pikasur nga historiani dhe kritiku i artit profesor Giorgo Grasso, i cili vlerësoi që në Bienalen e 16-të të prezantohej me punimet e tij edhe piktori i mirënjohur durrsak.as

Pikturave të tij, siç e thekson edhe vetë Tragaj, u ka vënë “si detyrë” të zëvendësojnë rolet e një aktori të madh në skenë, pra, të interpretojnë role të vështira dhe të shëmtuara, karaktere tragjike dhe komike, të cilave pasuria dhe etja e shfrenuar për pushtet ua nxjerr zbuluar para spektatorit botën e tyre perverse të veseve, të cilën ata ishin munduar ta fshinin me kujdes.

Duke u ndalur pikërisht në dy punimet me të cilat piktori Ardian Tragaj do të prezantohet në këtë eveniment ndërkombëtar, portretet “Pushtetari abuziv para pasqyrës” dhe “Enigma”, përcjellin mesazhin për tek ata persona që e kanë të shkruar në ballë shenjën e të babëziturve dhe të vesit që e bën të shëmtuar një njëri, sado të veshur me pushtet dhe me pasuri. Janë pikërisht orekset e tejskajshme dhe kontradiktat e fuqishme të qenies, që bartin ata dhe që i bëjnë kaq interesante për shikuesin këto dy punime.

Vetë piktori thotë se “Ka qenë papranueshmëria e vendosur me dhunë dhe paradoksi i ngritur në pushtet, ato që kanë përcaktuar më pas edhe formën e tyre artistike”. Frika që ngjallin ata natyrisht që nuk buron prej gjendjes së tyre fizike, por prej fenomenit, të cilin ata e kanë të ngjizur në vetvete. “Pikturat e mia janë kambana, të cilat ende nuk ua kanë ndërtuar kambanoren. Këto dy portrete që po paraqiten në këtë ekspozitë mbeten thjeshtë një pjesë e perceptimeve të mia individuale se deri ku mund të mbërrijë deformimi i karakterit dhe shpirtit njerëzor në rrethana dhe kushte të caktuara, se ç’fuqi shkatërruese mund të ketë në një shoqëri apo tek individë të veçantë instalimi i regjimeve johumane”, shpjegon piktori Ardian Tragaj.

Arti i veçantë i piktorit Tragaj vazhdimisht tenton trajtimin e temave kozmopolite, ku në qendër mbetet gjithmonë fati i individit. Në këtë ekspozitë mjaft të rëndësishme për artin bashkëkohor dhe jo vetëm, por edhe në të gjitha ekspozitat e tjera të piktorit, qëllimi mbetet që shikuesit mbasi të dalin nga dera e galerisë, të jenë të ngarkuar me impresione dhe urrejtje, por jo për pikturat si gjallesa artistike, por për rolet dhe karakteret që ato kanë marrë përsipër t’i stigmatizojnë.

Ardian Tragaj ka një karrierë të gjatë dhe të plotë artistike. Në Durrës ai ka hapur mbi 20 ekspozita, të cilat vazhdimisht janë mirëpritur nga artdashësit durrsakë, por edhe më gjerë. Edhe në kryeqytet Tragaj është prezantuar me dy ekspozita në Muzeun Kombëtar. Për të vijuar më tej në Itali, aty ku është vlerë- suar edhe me një çmim nga kritikët si dhe një ekspozitë personale në Manhattan New York, Amerikë, pikërisht në një ndër galeritë më prestigjioze në botë, ajo e “Agora gallery”.

SUBJEKTI I PIKTURAVE

Në pikturat e Ardian Tragajt, shtrembërimi dhe abstragimi përdoren si mjete për të zbuluar kontradiktat e shoqërisë. Tragaj sjell një sy të vëmendshëm për politikën dhe psikologjinë në punën e tij. Me tiparet e tyre të ekzagjeruara dhe sytë e kërkimit, subjektet e tij janë shprehje e absurditetit pothuajse komik, por ka edhe një nënshtresë të dhimbjes dhe dëshirës në fytyrat e tyre, duke bërë një tërheqje të drejtpërdrejtë ndaj mendimeve dhe emocioneve të shikuesit.

Portretet e Tragajt në pamje të parë duken si koka të deformuara, por thellë ato simbolizojnë dhe sisteme të caktuara politike. Rruga shoqërore, ekonomike dhe politike që po kalon Ballkani ka ndikuar fort në artin e tij. Ky efekt mund të shihet përmes ndjenjës së ankthit që lëviz përmes punës së tij. Subjektet e tij kurrë nuk duket të jenë në pushim dhe fytyrat dhe trupat e tyre duken të shtrembëruar dhe modifikuar nga forca jashtë kontrollit të tyre.

Ky tension midis subjekteve të tij dhe botës që i përmban ato është një burim kryesor i fuqisë së imazheve të tij. Burimi tjetër i kësaj fuqie është trajtimi i shkathët i artistit të ngjyrës dhe linjës, si dhe qasja e tij çuditërisht delikate ndaj përbërjes. Brenda çdo pikture ai përdor një gamë të vetëm disa ngjyrave, duke i dhënë imazhit një thjeshtë- si grafike që duket se tërheq çdo figurë përpara.

Linjat e tij të guximshme përforcojnë atë efekt. Kur kjo qartësi kombinohet me aftësinë e artistit për të zgjatur perspektivën dhe për të ndryshuar konturet e realitetit, lind një botë unike, e cila ndihet si haluçinante dhe tërësisht e vërtetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura