Ardian Cuculi: Mllada e fortë, por ndeshjet do t’i zgjidhë Latifi

Jul 26, 2017 | 23:38
SHPËRNDAJE

Shkëndija e Tetovës dhe Skënderbeu janë skuadrat e vetme shqiptare që vijojnë aventurën verore në Kupat e Europës. Ish-mbrojtësi i Partizanit, Ardian Cuculi, që luan me kuqezinjtë nga Tetova, në një prononcim për “Panorama Sport” tregon sekretet e ecurisë pozitive të Shkëndijës dhe çfarë presin të arrijnë në këtë veprimtari.

cuculi

 Një vit më parë, Shkëndija eliminoi në Ligën e Europës Mlada Boleslav, kundërshtarin e nesërm të Skënderbeut. Cuculi tregon sekretet e skuadrës çeke dhe këshillon korçarët se çfarë duhet të bëjnë, që të përsërisin suksesin e tetovarëve ndaj çekëve. 30-vjeçari beson se Latifi do të jetë lojtari që do të zgjidhë ndeshjen për Skënderbeun. Në fund, Cuculi jep edhe pikëpamjen e tij për atë çfarë i ndodhi ish-skuadrës së tij, Partizanit, këtë vit në Europë.

Shkëndija ka shkëlqyer në dy turet e para të Ligës së Europës duke mos njohur humbje në katër ndeshjet e zhvilluara. Si e shikon Cuculi këtë ecuri dhe çfarë ka ndryshuar në ekip me ardhjen e trajnerit Qatip Osmani?

Sigurisht që është diçka e mirë kur çdoherë ekipi merr rezultat pozitiv, por kemi një grup lojtarësh që jemi bashkë prej gati dy vitesh. Normalisht, me ardhjen e profesor Osmanit, ekipi po ecën edhe më mirë, pasi ai na ka dhënë qetësinë e duhur dhe instruksionet e nevojshme. Faktor pozitiv ka rezultuar edhe njohja që trajneri ka për ekipin, pasi me shumicën ka punuar edhe më herët. Por, ecuria e Shkëndija bazohet te grupi i lojtarëve duke mos anashkaluar dhe aftësitë individuale të pjesëtarëve të skuadrës.

Nesër luani ndeshjen e parë të turit të tretë paraeliminator të Ligës së Europës në Lituani. Si i mendoni dy përballjet me Trakain?

Nuk do ta kemi aspak të lehtë në dy përballjet me Trakain. Bëhet fjalë për një ekip të ri dhe kualitativ. Vetë fakti që ka mbërritur deri në turin e tretë tregon se përballë do të kemi një ekip të fortë. Do të jetë një duel i vështirë, por shpresojmë se do ta kalojmë duke përsëritur edhe suksesin e vjetshëm, ku e kaluam këtë raund.

cuculi

Mendoni se Shkëndija mund të bëjë më mirë se vjet dhe a shpresoni të kapni grupet e Ligës së Europës?

Të shpresojmë, por do të jetë e vështirë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që na presin, por fillimisht duhet të kalojmë sfidat ndaj Trakait, më pas të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Në futboll asnjëherë nuk i dihet. Futbolli për atë është i bukur, sepse ndodhin edhe çudira.

Një vit më parë, në këtë stad ku ndodhet Liga e Europës aktualisht, eliminuat Mlada Boleslav, kundërshtarin e radhës të Skënderbeut në Europë. Duke e njohur skuadrën çeke, për Cuculin sa shanse kanë korçarët ndaj tyre?

Skuadra çeke është një kundërshtar shumë serioz dhe i fortë. Të them të drejtën, vjet kemi pasur shumë vështirësi në përballjet me ta. Mlada ka një ekip të mirorganizuar dhe shumë cilësor, por nga ana tjetër Skënderbeu ka kapacitet për t’u përballur me ta. Korçarët kanë përvojën e duhur dhe lojtarë cilësorë në përbërje, kështu që mendoj se do të jetë një 180-minutësh interesant dhe mendoj se detajet e vogla do e zgjedhin fituesin.

Çfarë duhet të bëjë Skënderbeu që të përsërisë suksesin e Shkëndijës ndaj Mladës, si dhe kujt duhet t’i ruhet?

Mlada zhvillon një lojë shumë të organizuar dhe në përbërje ka lojtarë shumë cilësorë. Që të triumfojë, Skënderbeu duhet të jetë shumë i kujdesshëm në mbrojtje dhe në sulm duhet të jetë shumë i saktë në veprime. Mendoj se Latifi mund të bëjë dallimin dhe them se do të jetë ai që do e zgjidhë ndeshjen ndaj çekëve.

Si ish-lojtar i Partizanit, çfarë mendimi keni për eliminimin e hershëm të “demave” nga Liga e Europës?

Pjesëmarrja në Ligën e Europës këtë vit e gjeti Partizanin të papërgatitur. Largimi i disa futbollistëve të formacionit bazë pas përfundimit të sezonit, si dhe mosgjetja në kohë e zëvendësuesve të tyre ndikuan në paraqitjen e Partizanit ndaj Botev Plovdivit. Tani ajo i përket së shkuarës dhe të kuqtë duhet të hedhin vështrimin përpara, pasi nis epoka “Moxhi”. Një gjë e mirë është se Luçiano Moxhit i është dhënë dorë e lirë për të ndërtuar ekipin siç mendon ai. Tani të presim rezultatet, shpresojmë që ata t’u dhurojnë tifozëve titullin kampion.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura