Arbi Agalliu: UET, gati projekti i ri i zhvillimit, indiferent ndaj luftës tregtare

May 16, 2018 | 10:30
SHPËRNDAJE

Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Arbi Agalliu, tregon projektet e reja të Universitetit. “Universiteti Europian i Tiranës është duke kaluar nga një fazë në një tjetër, nga një fazë ku ishte një universitet i profilizuar në tre fakultete; Ekonomi, Juridik dhe Shkenca Sociale, po kalon në një fazë në atë që quhet universitet universal, ku kemi dëshirë të zhvillojmë Fakultetet e Mjekësisë, Inxhinierisë, Artet dhe Humanitetet, Sportet”.

arbi agalliu

Prej muajit janar të këtij viti, ju jeni emëruar administrator i Universitetit Europian të Tiranës. Si ndiheni në këtë detyrë të re?

Nga 1 janari i 2018-ës, Universiteti Europian i Tiranës është futur në linjën që ligji detyron, e cila ndan përfundimisht administrimin nga pronësia, nëse pronësia nuk është i profesionit jurist apo ekonomist me më shumë se shtatë vite eksperiencë. Në këtë kontekst, pronari në njëqind për qind i UET, z.Henri Çili, në konsulencë me rrjetin e tij të këshillimit, vendosi që nga 1 janari i këtij viti të jem administrator i Universitetit Europian të Tiranës.

Në kuptimin profesional, menaxhimi i institucionit është një sfidë më vete për mua. Avantazhi im është se vij nga institucioni; prej tetorit të vitit 2011, jam pjesë e institucionit dhe kam mbajtur disa pozicione të caktuara si, përgjegjës i Departamentit të Financës, drejtor i Shkollës Doktorale apo edhe zv/rektor në këtë universitet. Pra, problematikat menaxheriale apo mënyra si trajtohet e menaxhohet ky staf, besoj se përvoja ime dhe koha e qëndrimit në këtë institucion, në anën akademike të tij, më ka bërë ta përjetoj dhe të kem, në kontekstin e ri të mirëmenaxhimit, disa elementë që ndoshta një person i ardhur nga jashtë institucionit nuk do i kishte. Sa i përket background-it tim, duke qenë se vij nga fusha e financës dhe sektori bankar ku kam ushtruar detyrën e audituesit për disa vite, besoj i shkon për shtat futjes së institucionit në një mirëmenaxhim financiar.

Doja të theksoja edhe njëherë arsyen pse ka ndodhur ky kalim, që është ligji, i cili kërkon ndarjen përfundimisht të pronësisë nga administrimi dhe arsyeja që, është një staf i brendshëm dhe nuk vjen nga jashtë, ka të bëjë me njohjen e sistemit dhe mënyrën sesi funksionon UET-i, si edhe njohjes së specifikave brenda universitetit për ta mirë- menaxhuar institucionin. Në këta pesë muaj, ka pasur një dinamikë të jashtëzakonshme, pasi transferimi i përgjegjësive dhe i detyrave nga pronari z.Çili -dhe bazuar mbi kuadrin ligjor dhe ligjin tregtar mbi të drejtën e administrimit- ka dashur kohën e vet, ka kërkuar shpenzimin e energjive të caktuara, por sot që flasim institucioni është në një regjim ndryshe, në një menaxhim më të mirë dhe një eficiencë që ndoshta më parë ka munguar.

Duke qenë se është e vështirë të jesh edhe pronar dhe administrator dhe aq më tepër të kesh gjykim të ftohtë kur je pronar i një institucioni. E them me plot bindje sot se, UET-i është futur tashmë në një rrugë të menaxhimit sikurse e kërkojnë korporatat e mirëfillta, sikurse e kërkojnë standardet ndërkombëtare dhe sikurse e kërkon një mirëmenaxhim financiar.

Jemi në kuadrin e kremtimit të 15- vjetorit të krijimit të sektorit privat të arsimit të lartë në Shqipëri. Si e shihni ju tablonë e përgjithshme apo konjukturën e arsimit privat në vend?

Viti 2017 shënoi edhe 15 vite të krijimit të sektorit të arsimit të lartë në Shqipëri, një sektor i cili edhe pse kanë kaluar 15 vite, nuk është stabilizuar, por fatkeqësisht luftohet dita-ditës. Bëhet një lloj lufte që nuk duhet të ndodhte, sepse arsimi është një e mirë publike që mund të ofrohet edhe nga sektori privat e ai publik. Eksperiencat më të mira botërore tregojnë se institucionet më të suksesshme të arsimit të lartë janë pikërisht institucionet private ose ato të pavarura nga shteti.

Jo se institucionet shtetërore të arsimit të lartë nuk kanë staf të kualifikuar apo kushte për të zhvilluar normalisht një proces mësimor, por për vetë faktin se eficienca në sektorin privat, qoftë teorikisht, qoftë praktikisht, është e pakrahasueshme me sektorin publik. Të gjithë teoritë sot të mirëmenaxhimit financiar dhe të institucioneve të arsimit të lartë të çojnë në një konkluzion të vetëm, që është se sektori privat ka përparësi sa i përket aspektit të mirë- menaxhimit. Nga ana tjetër, sektori i arsimit privat në Shqipëri vuan dita ditës paragjykime, jo të vërteta dhe luftë jo të ndershme. Në këtë kontekst, duhet punuar më tepër, duhet pasur më shumë bashkëpunim midis aktorëve të sektorit privat; sepse numri total i studentëve që del nga sektori privat nuk është më shumë se 15 për qind të studentëve të diplomuar në rang kombëtar.

Është një pjesë shume e vogël e së gjithës, por pavarësisht se është pjesë e vogël dhe pavarësisht se tregu nuk ka rregulla të qarta e të pastra loje, por rregulla diskriminuese, sektori privat ka ecur shumë përpara dhe janë të paktë ata universitete që janë pararojë, lider në inovacion dhe risi dhe, me bindje e them se UET-i është një nga këta universitete ku jo vetëm ka përpjekje maksimale për të rritur dhe standardizuar cilësinë e studentit, por tashmë ka një filozofi të re për të mbështetur këta studentë-që zgjedhin këtë universitet –në tregun e punës. Besoj se sfida e radhës e sektorit të arsimit privat, sidomos arsimit të lartë privat është asistimi i studentit përtej përfundimit të studimeve, gjë që nuk ndodh në sektorin publik.

UET ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të jetës, cilat janë planet e zhvillimit të tij të mëtejshëm si institucion i arsimit të lartë?

Universiteti Europian i Tiranës është duke kaluar nga një fazë në një tjetër, nga një fazë ku ishte një universitet i profilizuar në tre fakultete; Ekonomi, Juridik dhe Shkenca Sociale, po kalon në një fazë në atë që quhet universitet universal, ku kemi dëshirë të zhvillojmë Fakultetet e Mjekësisë, Inxhinierisë, Artet dhe Humanitetet, Sportet. Pra, çdo maturant të gjejë në dyert e UET-it atë degë apo profil që dëshiron. Është projekt ambicioz që ka kaluar në fazën e tij finale.

Shumë shpejt do të dorëzojmë në Ministrinë e Arsimit kërkesën për licencimin për këto fakultete të reja. Stafi administrativ dhe akademik i UET-it ka plotësuar tashmë dosjen përkatëse me silabuset dhe dokumentacionin përkatës për këto fakultete për të mbyllur procesin e aplikimit, sikurse është duke u përmbyllur procesi i projektimi të kampusit të ri universitetit. Bëhet fjalë për një kampus të ri mbi një sipërfaqe prej 25 mijë metrash katrorë, një kampus modern ku çdo student do të ketë jo vetëm ambientet e tij për të qenë shumë komod në procesin mësimor, në një bibliotekë të mirë, por edhe ambientet kreative që janë mëse të domosdoshme sot në këtë epokë ku arsimi i lartë po performon. Pra, UET-i po zhvillohet dita-ditës jo vetëm sa i përket cilësisë, standardeve, por edhe me atë çka ofron.

Tashmë institucioni i ka fituar të gjitha betejat, qoftë me konkurrentët, qoftë me të tretëtduke iu përkushtuar standardeve të cilësisë së institucionit-, por duke u kujdesur në mënyrë të veçantë, ndoshta ndryshe nga të tjerët, për studentin pasi përfundon ciklin e studimeve. Sot kemi një sërë marrëveshjesh me kompani të ndryshme në tregun e punës, ku studentët tanë jo vetëm që bëjnë praktikën, por edhe punësohen më pas. Planet e UET-it për zhvillim nuk janë të nxituara nga ne, por një kërkesë e vazhdueshme e tregut për këto degë dhe fakultete të reja dhe UET-i me një studim mbi fizibilitetin e këtij projekti është në fazën e tij finale dhe shpresojmë që sa më shpejt të jemi në gjendje t’u ofrojmë maturantëve në të gjithë republikën e Shqipërisë e më gjerë, ato degë që ato duan. Pra, të mos jemi më një universitet me tre fakultete, por të kemi të gjitha fakultetet e mundshme.

Qarkullojnë këto ditë lajme në portale mbi problematika të UET, deri edhe në mbylljen e tij. Çfarë janë këto lajme dhe a bëhet fjalë për një luftë tregtare, luftë konkurrence të të njëjtit lloj?

Në portale të ndryshme, unë do i quaja aspak serioze dhe jo profesioniste, janë shfaqur në javët e para të janarit kur mora detyrën si administrator thashetheme dhe shpifje nga më të ndryshmet; “Që UET falimentoi, ndryshoi administrator për njëmijë e një arsye, UET nuk ka paguar këtë apo atë…”. Unë di të them me bindje se sot UET është më i fortë se kurrë, duke ndërmarrë masa për menaxhimin financiar që e kanë kthyer atë në një institucion të standardizuar jo vetëm në aspektin akademik, por jemi sot, shumë afër, e quaj të mbyllur edhe certifikimin në një nga katër kompanitë “Four Big” e auditimit edhe të certifikimit financiar sipas standardeve ndërkombëtare.

Për çështje etike dhe PR nuk e përmend emrin e kompanisë, por shumë shpejt do të gjendet e vendosur në institucionet zyrtare ku dërgohet ky lloj raporti dhe certifikimi dhe sot them me plot bindje se me ristrukturimin e institucionit, riorganizimin e tij, me një organigramë të re, dinamizëm tëri, me rritjen e pagesave për stafin drejtues që tanimë ka marrë përgjegjësi të reja në menaxhimin financiar, për rivendosjen e disa ekuilibrave brenda institucionit dhe për disa elementë të tjerë, për të cilët ndoshta nuk janë menaxhuar si duhet në të kaluarën.

Sot UETi është në një fazë të re dhe nuk ka sot asnjë të vërtetë nga ato që kemi parë në fillim të janarit, apo hera-herë të shfaqur edhe më pas. Të gjitha këto do i quaja një luftë të pastër tregtare nga konkurrentë qoftë të sektorit publik, qoftë atij privat apo e nxitur nga persona të caktuar që nuk e përballojnë dot faktin se UET-i jo vetëm është avangardë, por po ecën suksesshëm. UETi në të gjithë ekzistencën e tij kurrë nuk ka folur apo shpifur për askënd tjetër, përkundrazi ka mbrojtur interesin publik dhe ka qenë flamurtar i ideve të reja. Nuk di sot, qoftë edhe një staf i UET-it të jetë prononcuar zyrtarisht apo në një portal apo gazetë a televizion, në dëm të një universiteti tjetër. Ne shohim punën tonë të përditshme, jemi të angazhuar totalisht për ta zhvilluar institucionin dhe të gjithë këto deklarata anonime, sepse askush deri më sot me emër e mbiemër nuk ka dalë të thotë a të ngrejë një shqetësim për institucionin, të gjitha janë si fletërrufe, ku një e pavërtetë artikulohej në publik.

UET-i po zhvillohet ditaditës, kemi sot studentë shumë të mirë, kemi 250 studentë që kemi çuar në programet Erasmus, në shkëmbimet studentore, kemi sot studentë të huaj që studiojnë në UET, kemi partneritet me mbi 250 kompani, kemi shumë studentë të punësuar në kompanitë më serioze në treg, kemi studentë që punojnë në zyrat qendrore të “Facebook”-ut, në institucione financiare të rëndë- sishme në arenën ndërkombëtare dhe studentët e UET-it janë ambasadorët më të mirë dhe tregojnë më së miri seriozitetin e institucionit. Operojmë në një treg jo të ndershëm dhe jokorrekt, me luhatjet e veta, por çdo gjë që shprehet apo artikulohet nuk është gjë tjetër veçse një luftë e pastër tregtare apo financim të personave që për interesa të ngushta personale bëjnë të gjitha përpjekjet për të hedhur baltë mbi këtë universitet, që përveç procesit mësimor, që e zhvillon më mënyrën më të mirë të mundshme, organizon një sasi të konsiderueshme aktivitetesh.

Mund të përmend faktin që vetëm në vitin akademik 2016-2017 janë organizuar mbi 500 aktivitete, që tregon dinamizmin që ka ky universitet. Në UET hyjnë dhe dalin persona nga fusha të ndryshme; politikanë, sipërmarrës, biznesmenë, aktivistë, përfaqësues politikë, qoftë majtas, djathtas apo të qendrës. Nuk kemi dallime as politike, as feje as krahine, është institucion ku vlon mendimi i lirë, ku vlojnë idetë dhe debatet është një institucion që e ka derën të hapur për këdo dhe madje shumë shpejt, këtë certifikim që ka marrë procesi akademik nga kompania angleze e akreditimit, merr -dhe kam kënaqësinë që do të jem unë administrator në këtë proces – me sukses përmbylljen e procesit të Auditimit prej një nga katër kompanive më të mëdha sot për sot në botë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura