Arbër Çepani, nostalgji për realizmin socialist

Apr 16, 2015 | 11:07
SHPËRNDAJE

Arbër Çepani në lokalin e tij stil “retro”
Fituesi i “Big Brother 1”, Arbër Çepani, duket se e ka dëshmuar me kalimin e viteve aftësinë e tij për të qenë kreativ dhe me ide të veçanta. “Komiteti-Kafe Muzeum” është lokali që ai ka hapur në Tiranë dhe ku bën përshtypje mënyra se si ai e ka arreduar. “Aty ku kafja e mëngjesit shërbehet edhe me filxhanët e Porcelan Tiranës, është një mënyrë joshëse që Arbri përdor për të na ftuar në lokalin e tij, ku çdo gjë që sheh e prek i takon së kaluarës. “Ajo çka më lidh mua me të kaluarën, është interesi dhe dëshira për të ruajtur objekte të trashëgimisë kulturore të prodhuara në Shqipëri, që nga shekulli XVII e deri në vitet ’90. Ato që shkatërruam me shumë zell gjatë këtyre viteve si koleksioni i qelqurinave të Kavajës, radiove apo televizorëve të uzinës së Durrësit, plastika e nish-Gomës dhe shumë objekte të tjera ‘Made in Albania’ janë në brendësi të këtij lokali”, tregon Arbri. “Pavarësisht se një pjesë e madhe e objekteve i përket kohës së realizmit socialist, kjo nuk ka të bëjë me një nostalgji për sistemin apo ideologjinë komuniste, por është thjesht një vlerësim i kulturës dhe i trashëgimisë materiale, që është e ndarë nga politika. Brenda mureve të këtij lokali, një turist i huaj, por edhe një shqiptar gjen një copëz të historisë së Shqipërisë në miniaturë, kur vjen të shijojë një gotë”. Po lind pyetja se ku i ka gjetur, sa është lodhur për ta kthyer lokalin e tij një muze të vërtetë. “Pjesën më të madhe i kam blerë dhe kushtojnë shumë, pasi janë objekte të cilave u rritet vlera nga dita në ditë, normalisht edhe çmimet sa vijnë e rriten”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura